Taylor Swift u shpall sërish “Artistja e vitit” në “American Music Awards 2020”, i mbajtur mbrëmjen e djeshme. Këngëtarja fitoi tre çmime, por nuk mundi të ishte pjesë e skenës. Ajo u shfaq live në një video ku falenderoi fansat dhe tregoi edhe arsyen pse mungoi.
“Të gjithë vitet e karrierës time kanë qenë të shkëlqyer, por ky vit ka qenë i veçantë sepse nuk kemi mundur ta shohim njëri-tjetrin në koncerte. Arsyeja pse nuk jam sot aty është sepse po regjistroj në studio këngët e mia të vjetra, aty ku kemi regjistruar versionet orgjinale. Janë të mrekullueshme dhe mezi po pres që t’i dëgjoni”-tha Swift.
Në këtë kohë e vetmja arsye për të mos shkuar në një event të të tillave përmasave është Covid, prandaj Swift i ka futur të gjithë në dyshime për mungesën e saj.
Kujtojmë që Swift po regjistron sërish këngët e saj të vjetra pasi në qershor të vitit të kaluar, Scooter Braun bleu të drejtat e albumeve të këngëtares, që ishin publikuar nga labeli Big Machine. Më pas Swift deklaroi se do t’i regjistronte sërish të 5 albumet e saj kur t’ja lejonte kontrata, pra në nëntor 2020. Kështu, tani këngëtarja ka të drejtën t’i tregjistrojë sërish këngët e saj dhe të ndërpresë çdo përfitim nga Braun. Një artiste e madhe si Swift, të regjistrojë për herë të dytë albumet e saj, është e paprecedentë në historinë e muzikës pop.