Vajza që fitoi “Miss Universe Kosova”, Tuti Sejdiu ia ka dedikuar fitoren e saj të atit, i cili ndodhet në burg. Missi ka rrëfyer në një intervistë për ATV historinë tronditëse të jetës kur në moshën 13 vjeçare është trafikuar dhe përdhunuar. I ati ka kërkuar drejtësi, por nuk e ka marrë atë dhe ka përfunduar në burg. Me këtë kurorë, Tuti kërkon që të bëhet zë për të vënë drejtësinë dhe i ati të lirohet.
“Në moshën 13-vjeçare jam përdhunuar e jam trafikuar nga persona të ndryshëm nga Kosova në Serbi, derisa prindi im nuk ka lënë institucion pa kërkuar drejtësi. Ata njerëz që janë munduar me ma marrë mu jetën ata sot janë në liri, nuk janë në burg, babi vetëm pse ka kërkuar ndihmë për mua, nuk është pranë meje po është në burg, drejtësi nuk ka pas asnjëherë. Çka është më e rënda, babin nuk e di a është mirë, nuk e lejojnë as me na thirr në telefon, as me e pa e me i fut rroba në burg, nuk e di në çfarë gjendje mundet me qenë, unë them publikisht se unë do të luftoj për babin jo për veten, e kam me nxjerrë drejtësinë në vend. Kjo kurorë ka vlerë të madhe për mua e kam dëshmuar që unë jam femër e fuqishme e pranë familjes, pavarësisht sfidave. Unë shpresoj që të vendoset drejtësia, sepse 5-6 vite jemi duke luftuar. Personi që më ka bërë të gjitha këto gjëra, familjarët e tij janë në institucion që punojnë, janë të korruptuar. I kisha bërë apel të gjitha gjykatave, të vendosin dorën në zemër se sot më ka ndodhë mua nesër i ndodhë fëmijës tënd. Unë jam shumë e fortë, edhe pse babai është larg meje”, tha Sejdiu duke shtuar se familjarët e personave që e kanë përdhunuar e kërcënojnë prej vitesh.








