Beef Wellington është një recetë me origjinë angleze, por për shqiptarët që e adhurojnë aq shumë mishin, ama nuk duan atë të gjelit apo pulës, kjo recetë do ishte zëvendësuesja më e mirë. Do e vini në mes të tryezës dhe na besoni kur ju themi që do ju nderojë. Ne ju kemi sjellë recetën e Gordon Ramsay-t, e cila është pak më e thjeshtuar. Mjafton të ndiqni pikë për pikë hapat e përgatitjes sipas recetës më tej.
Pra ju duhet vetëm durim për të lexuar dhe për ta zbatuar recetën pikë për pikë dhe na besoni që ia vlen, jo thjesht sepse ka pamje të bukur dhe shije të mirë, por sepse është sfidë e lezetshme për ta mbyllur vitin.
Përbërësit
Një fileto e madhe viçi, rreth një kilogram, e pastruar nda çdo lëkurë apo dhjam; 3 lugë gjelle vaj ulliri; 250 gr kërpudha, lloji që ju pëlqen më shumë; 50 gr gjalpë; një degë e freskët trumzë; 100 ml verë e bardhë e thatë; 12 feta proshutë; një petë sfoliatë 500 gr, katrore do të ishte më e përshtatshme; pak miell; 2 të verdha veze të rrahura me një lugë ujë.
Përgatitja
Hapi 1.
Nxehni sobën në 220 gradë C.
Hapi 2
Vendoseni fileton e mishit në një tavë, lyheni me një lugë vaj ulliri dhe kripë e piper dhe vendoseni në pjekje për 15 minuta nëse e doni medium rare ose 20 min për medium. Kur të jetë pjekur sa e dëshiroheni, nxirreni nga furra, lëreni të ftohet dhe pastaj vëreni të pushojë në frigorifer për rreth 20 minuta.
Hapi 3
Ndërsa misi po ftohet, copëtoni kërpudhat sa më hollë të mundeni, që të duken si thërrime. Mund të përdorni edhe grirëse elektrike, por kujdes të mos i bëni krem.
Hapi 4
Nxehni dy lugët e tjera të vajit të ullirit dhe gjalpin në një tigan dhe skuqini kërpudhat në zjarr mesatar, duke shtuar dhe degën e trumzës, skuqini për rreth 10 minuta, derisa përzierja të jetë e butë.
Hapi 5
Hidhini pak kripë dhe shtoni verën dhe lërini po në nxehtësi mesatare për 10 minuta të tjera, derisa vera të jetë përthithur.
Hapi 6
Largoni tiganin nga zjarri, lëreni gatimin të ftohet dhe hiqni degën e trumzës.
Hapi 7
Hapni në tavolinë nje qese kuzhine. Shtroni fetat e proshutës në dy radhë, ngjitur me njëra tjetrën.
Hapi 8
Hapni gjysmën e kërpudhave mbi fetat e proshutës dhe vendosni mbi të fileton e mishit dhe hapni pjesën e mbetur të kërpudhave mbi të.
Hapi 9
Përdorni qesen e kuzhinës që t’ju ndihmojë të vendosni proshutën rrotull mishit dhe rrotullojeni që të behet si formë salçiçeje duke e shtrënguar qesen fort. Lidhni fort dy fundet e qeses.
Hapi 10
Lëreni të pushojë në frigorifer, ndërkohë që merreni me brumin.
Hapi 11
Hapni pak miell mbi tryeze dhe shtroni mbi të petën (unë përdora letër kuzhine). Prisni prej saj rreth një të tretën, një drejtkëndësh rreth 18-30 cm dhe vëreni në një tjetër letër kuzhine. Pjesën tjetër të brumit priteni në një drejtkëndësh 28 x 36 cm. Peta katrore e bën të gjithën më të thjeshtë.
Hapi 12
Hiqeni mishin nga qesja dhe vendoseni mbi këtë fletë brumi.
Hapi 13
Rrihini të verdhat e vezëve me ujin dhe lyeni me një furçë anët e brumit që kanë mbetur jashtë.
Hapi 14
Me ndihmën e petësit, merrni pjesën tjetër të brumit dhe vendoseni rrotull mishit, duke mbyllur sa më mirë anët.
Hapi 15
Pritini tepricat e brumit me thikë, duke i lënë anët rreth katër cm. Jepini një formë të dhëmbëzuar me pirun.
Hapi 16
Lyejeni gjithë sipërfaqen me të verdhe veze dhe me majën e një thike bëni disa vija diagonale, por kujdes, vetëm në sipërfaqe, që të mos e çani brumin.
Hapi 17
Lëreni të pushojë në frigorifer të paktën 30 minuta. Mund ta lini deri në 24 orë para se ta piqni. Sobën duhet ta nxehni në 200 gradë.
Hapi 19
Lyejeni prapë me furçë me të verdhë veze dhe piqeni derisa të marrë ngjyrë të artë, 20 – 25 minuta për medium rare dhe 30 min për medium. Lëreni të ftohet për 10 minuta, përpara se ta prisni ne feta.








