Ditën e Pavarësisë së Kosovës, tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj do ta festojë duke mbajtur një koncert në Dubai, ndërsa biletat për qytetarët kosovarë dhe atdhetarët që duan të marrin pjesë në këtë shfaqje kulturore janë falas.
Lajmin e ka bërë të ditur, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, e cila përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se Kosova do të prezantohet në ekspozitën botërore “EXPO 2020 DUBAI”.
“Për ti dhënë akoma më shumë vlerë kësaj paraqitje, tenori ynë i skenave ndërkombëtare njëherësh dhe Ambasadori i Kulturës, Ramë Lahaj do të mbajë koncert në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2022 në Amfiteatrin Milenium në Dubai, prej orës 21:30 (18:30 – zona kohore e Kosovës). Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ‘EXPO 2020 Dubai’ me 17 shkurt 2022”, thuhet në njoftim.
Mes tjerash, Hajdari, ka njoftuar se pos koncertit të Lahajt, në Dubai do të ketë performancë edhe Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”.