Le të ngrenë dorën të gjitha vajzat që padashje ose me dashje e kanë gjetur veten në një histori si kjo që do ju tregojmë më tej. Një vajzë e mirë, me norma (që arrijnë kufijtë e të mërzitshmes), e shkëlqyer në mësime, shumë e edukuar, e bindur dhe e urtë, e gjen veten të përfshirë në një lumë fantazish teksa pëlqimi i rritet për një ‘djalë të keq’.
Në serialin ‘Euphoria’ që po thyen çdo rekord shikueshmërie nga të rinjtë, Lexi Howard është personazhi tipik që i përshtatet përshkrimit më lart. Por si Lexi ka shumë edhe në realitetin tonë të përditshëm. Çifti Lexi-Fezco ka bërë aq shumë bujë dhe është komentuar aq shumë saqë duket se kombinimi klishe në çift, gocë e mirë – djalë i keq prapë ja doli të fitojë simpatinë e publikut.
Por pse? Sipas psikologëve, prej djalit të keq, një vajzë përjeton emocionet e forta që ajo nuk gjen fuqinë ti shprehë vetë. Shumë shpesh, gocat e mira e identifikojnë këtë djalë me figurën autoritare të babait që kanë pasur në fëmijëri dhe kështu ato ndjejnë sigurinë dhe mbrojtjen.
Ndaj figurën e djalit të keq e kemi parë të vendosur në sa e sa prodhime kinematografike që kanë bërë historinë. Dhe jo më kot. Diçka shumë magjike dhe magnetike, e përfaqëson pikërisht ky djalë me modelin klasik të mashkullit të fortë. Zakonisht gjithë veçoritë e tij kaq atraktive lidhen me fizikun dhe sjelljen. Djali keq është zakonisht simpatik, muskulor, i mistershëm, i paprekshëm, i sigurt dhe shpreh krenari. Shumica e vajzave gjatë adoleshencës, edhe nëse nuk e kanë një lidhje me një djalë të keq, të paktën fiksohen dhe e admirojnë nga larg një të tillë. Ky përfundim është nxjerrë nga sondazhe mes të rinjsh në disa vende të botës dhe ekspertët e sjelljeve vazhdojnë ta mbështesin./revistawho.com