Gjashtë muaj më parë, familja Keta nga Shqipëria pushtoi faqet e para të mediave rajonale në Gjermani. Oltiana dhe Vehbi Keta sollën në jetë katërnjakët Olivia, Xhesika, Amelia dhe Frederikun. Para pak ditësh, katërnjakët janë pagëzuar në Kishën Ungjillore ku i pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri i landit Tyringen, Bodo Ramelov. Oltiana dhe i shoqi u larguan nga Shqipëria drejt Gjermanisë në korrik të vitit ë shkuar. Sipas tyre, ata nuk i lindnin dot katërnjakët në spitalet e Shqipërisë. Fëmijët lindën më 16 tetor. Por nëse familja kërkoi azil duke pretenduar se gjendja e mjekësisë në Shqipëri është e mjerueshme, ata nuk do e kenë të lehtë të qëndrojnë në Gjermani. Kjo për shkak se Shqipëria cilësohet një vend i sigurt origjine dhe Gjermania nuk jep azil për shqiptarët. Megjithatë duket se fati po i buzëqesh familjes. Kryeministri i Tyringenit ka bërë të ditur se do të bëjë gjithçka i lejon ligji që familja të qëndrojë. “Fëmijët dhe prindërit duhet të kenë një të ardhme të sigurt”-tha ai./opinion.al