Prej ditës së sotme Shkodra mirëpret një prej ngjarjeve më të veçanta të stinës së verës, duke u bërë shtëpia e madhe e shijes dhe elegancës gastronomike.
“Shkodra International Food Event”, do të ketë këtë vit edicionin e parë të festivalit të ushqimit dhe pijeve.
Nga sot deri më 16 korrik, Shkodra nis festën ku rreth 30 restorante dhe shefat e tyre, do të bashkojnë forcat për të treguar një anë që vlen për t’u zbuluar dhe shijuar. Eventi synon prezantimin e produkteve lokale, menunë e pasur të kuzhinës tradicionale shkodrane, promovimin e atraksioneve turistike të territorit dhe është menduar të organizohet si një festë e shtrirë në te gjithë qytetin e Shkodrës.
Një udhëtim përmes trashëgimisë së pasur gastronomike, kulturore, artistike, historike dhe bukurive natyrore. Kur kanë mbetur detajet e fundit të përgatitjeve, eventi ka tërhequr vëmendjen e medieve italiane.
E përditshmja “Corriere della Sera” i ka kushtuar një faqe të plotë faktit që në festival do të jetë i pranishëm një prej shefave më të famshëm të kuzhinës italiane, Carlo Zarri.
Nën titullin “Nga Michelle Obama në Ballkan”, bëhen një përshkrim i hollësishëm këtij organizimi që për 3 ditë radhazi e kthen Shkodrën në epiqendër të shijes, elegancës dhe traditave më të mira të saj.
“Nga Piemonte në Shqipëri, pasi ka gatuar për emrat e mëdhenj botëror si (Sophia Loren, Michelle Obama, Armani, Ferrari etj), Carlo Zarri, pronari i hotel-restorantit “Villa San Carlo di Cortemilia (Cuneo) do të jetë në Shkodër, ku prej 14-16 korrik merr jetë edicioni i parë i festivalit “SHIFE”, një festival ndërkombëtar i ushqimit i organizuar nën kujdesin e kryetarit të ri të bashkisë Bardh Spahia, me përkujdesjen e shefit piemontez të kuzhinës.
Gjatë një takimi me Bardh Spahinë, në “Expo Milano” ku menaxhoja ushqimin dhe verën në hapësirën e SHBA-së, shpjegon Zarri, në atë kohë Spahia nuk ishte akoma kryetar i bashkisë, por vjen dhe më takon në “Cortemilia”, ku pas një shëtitje më premton se do më priste në Shkodër për të organizuar të parin festival ndërkombëtar të ushqimit në Shqipëri. Një premtim i bërë realitet.
Përse të zgjedhësh një shef kuzhine piemontez për të drejtuar një eveniment shqiptar?
Motivet janë disa dhe të gjitha vënë theksin tek lidhjet mes dy popujve-tonë thotë Zarri, i cili shprehet se Shqipëria ngjan si një degë e Italisë ku të gjithë flasin gjuhën italiane, e kuptojnë atë shumë mirë dhe ata që punojnë në kuzhinë kanë kaluar një periudhë kohe në Itali dhe njohin zakonet tona. Nuk është gjithçka.
Shqiptarët janë të lidhur me një model kuzhine të thjeshtë, bazuar në një ekonomi të ngjashme- shton Zarri, ku si në Itali që po ndodh prej disa vitesh, janë duke kërkuar të rikuperojnë disa ingredientë lokal që po rrezikojnë të humbasin nga pasojat e kohës. Shefi i famshëm i kuzhinës italiane, Zarri, po punon me kuzhinierët e zonës për të sjellë pjata të veçanta që nxjerrin në pah vlerat më të mira të zonës, ndërsa nuk do të mungojnë edhe prezantimet e verërave lokale.
E ndërsa është gati festivali i parë i këtij lloji, paralelisht Spahia dhe Zarri po punojnë për objektivin tjetër madhor të një tradite që do të vijojë. Në 2023 ata do të finalizojë binjakëzimin e Shkodrës me një komunë të rëndësishme në Itali, për ta zhvilluar festivalin dhe shpalosjen e këtyre vlerave në të dy rajonet.
Vetë kryebashkiaku Spahia e ka cilësuar festivalin si hapin e parë të kthimit të Shkodres në vendin që i takon në rang kombëtar dhe atë ndërkombëtar, si një qytet ku turizmi zhvillohet mbi rrënjët e forta të traditës dhe pasurive të pafundme të territorrit, ndërthurur me elementet që koha i dikton”.
Nga 14-16 korrik, për 3 ditë radhazi, Shkodra do të jetë shtëpia e madhe ku bashkohen vlerat më të mira turistike, me gastronominë dhe verërat lokale, që e bëjnë tunduese për të gjithë ofertën për të mos munguar në të parin festival të këtyre përmasave”, thuhet në shkrim.
Shkodra mirëpret të gjithë miqtë nga e gjithë Shqipëria për të ndarë “bukën” në këtë
festë të parë të kësaj natyre.