Nga revistawho.com / Fotot: Pirro Beati / Editimi: Alketa Bektashi / Veshjet: Rezarta Skifteri / Hair: Rezi Maison De Coiffure / Make Up: Delina Tagani
Një jetë nuk mjafton. Ndonjëherë nuk mjafton një jetë për të zbuluar dimensionet e një qenieje njerëzore, që teksa i shpërfaqet botës pasqyrohet magjishëm. Kalojnë vitet dhe dyert që hapen krijojnë hapësira të ëmbla, si ato hojet e bletës. Ndërsa rrekesh të imagjinosh një personazh të tillë, shumëdimensional, ndërmend të vjen ajo, Rozana Radi. Çdo derë e hapur për të, është zbulim më vete. Formula e saj është e fshehtë, por e shtruar dhe e shkruar me kujdes. Ka Rozanë në gjithçka të veçantë që mendon, e kudo të shkojnë sytë e shpirti. Gjen një copëz të saj në tekstet e këngëve, në skenat e teatrit, në atë të festivaleve, një vend të mirëvendosur në televizion, një tingull në muzikë, një frymëzim në gjithësi. Po, ajo është Rozana në çdo gjë që bën, mes buzëqeshjes, punës, pasionit dhe talentit që duket se burimin e ka të thellë, të brishtë, të pafundmë. Dita e parë e janarit 2023 e gjen me krijesën e saj të re, me “Një gotë Rose”, aty ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja bëhen një. Rrëfime, të thëna e të pathëna, një horizont që rrotullohet përreth kujtimeve. Viti që po lëmë pas i dha Rozit edhe një transformim fizik, për të cilin ajo flet pa doreza, duke dhënë një mesazh të qartë. Rozana është e thjeshtë si uji kur dashuron, e nëse zhytesh në buzëqeshjen e saj, nuk mund të largohesh dot kurrë.
Në një rrëfim ekskluziv për revistën “Who” në ditën e fundit të vitit 2022, ajo i tha të gjitha dhe sigurisht, “Gëzuar me një gotë Rose”!
Kaluan 365 ditët e 2022-it, si ishte ky vit për Rozanën?
Sa herë jemi në fund të një viti, i premtojmë vetes se viti që do të vijë do të jetë më i bukur se ai që shkoi. Ndoshta sepse e kaluara na duket si një valixhe gjithmonë e më plot me emocione të forta, gëzime, lot, zhgënjime, humbje, suksese dashuri. Për mua çdo vit që kalon është i bukur në çdo lloj situate që më ka përballur jeta. Janë vitet e mia brenda ne atë valixhe. Jeta më ka mësuar të jem mirënjohëse për çdo gëzim që më ka dhënë, të pranoj disa humbje dhe të mësoj nga zhgënjimet që kam marrë. Mua më maftojnë gjëra të vogla për të qenë e lumtur. Shëndeti i familjes time, një picë me miqtë e mi dhe përqafimi i motrës time.
A u përmbushën të gjitha synimet për vitin që po lëmë pas?
Jam një grua që nuk di t’i them vetes këtë e kam bërë shumë mirë. Jetoj çdo ditë siç më vjen. Jeta më mësoi të ngjis shkallë çdo ditë, por ngadalë. Jam mbështetur te familja sepse nuk i preferoj rrëzimet në fund të shkallëve që disa nga shpejtësia kërkojnë t’i ngjisin. Unë i marr gjërat shtruar. Kam hipur në trenin tim të jetës dhe nuk kam synim ta ndërpres tani këtë udhëtim. Ndaj për mua fundi i një viti nuk është një kalendar që më tregon datën e përmbushjes së synimeve. Për mua fillimi i një viti te ri është vazhdimi i udhëtimit me trenin tim deri ateherë kur zoti të ketë vendosur stacionin e fundit për mua.
Sezoni i ri televiziv nuk të gjeti më në të njëjtin format që të kishim parë prej kohësh, duke na bërë të mendojmë se po bëje një “pushim”, por ndërkohë ti bëre të ditur se do të vish me një projekt të ri, plotësisht tëndin, plotësisht “Rose”. Si u projektua ky program që siparin e çel në ditën e parë të vitit 2023?
Nuk e kam ndaluar asnjëherë punën. Pasi përfundova një projekt shumë të dashur për mua siç ishte ai i një emisioni investigativ menjëherë fillova punën për të sjellë një emision timin, por kësaj here si autore dhe prezantuese e tij. I kam dashur gjithmonë intervistat e artistëve të mëdhenj kur i shikoja në televizionet e huaja. Thoja me vete: “Kështu do jetë formati im televiziv. Histori të verteta. Histori frymëzuese nga njerëz që kanë lënë shenjë me artin e tyre. Dhe kështu lindi “Një gotë Rose” Kur vjen puna të pimë një gotë në kohën tonë të lirë, ne i zgjedhim miqtë për të na shoqëruar. I duam ata që na degjojnë, ata që janë të vërtetë në atë që thonë. Kështu është dhe formati im “Një gotë Rose” në shtëpinë time të re në “MCN TV” ku do të pres artistë të cilët kanë shumë për të treguar dhe unë si një dëgjuese e mirë, i dashuroj historitë e pathëna më parë. Ndaj më 1 janar 2023 ora 20:45 ftoj të gjithë ata që duan të dëgjojnë “histori që të lënë pa frymë” në “Një gotë Rose”. Pastaj rikthehem në datën 9 çdo pasdite në “MCN TV” për të vazhduar rrugëtimin e këtij formati që për mua është krejtësisht i vërtetë.
A është “Një gotë Rose” plotësimi i etape të rëndësishme të karrierës tënde në televizion?
“Një gotë Rose” mendoj do jetë një emision që edhe pas disa dekadash bisedat që do të bëhen në atë studio, do të rivihen për t’i kujtuar ata që do bëjnë nesër televizion, që ndonjëherë mjafton një pyetje e thjeshtë për të të bërë të rrëfesh një jetë të tërë. Mendoj që është një plotësim etape në formimin tim si artiste dhe një format për të cilin nesër do jem shumë krenare.
Karakterizohesh si një personazh multidimensional, kësisoj lind natyrshëm një pyetje. Sa përqind Rozanë do të ketë në “Një gotë Rose”, si do të kornizohesh?
Unë kam vendosur të jem 100% Rozana që jam dhe jashtë kamerave. Unë nuk jam kurrë ajo që buzëqesh nga rrethanat vetëm për t’i bërë qejfin të tjerëve. Jam ajo qe kur nuk te pelqej nje pergjigjie ti e kupton nga shikimi im. Jam ajo që jap shpirtin për njerëzit që dua por ndërkohë bëhem një hienë kur kam përpara një njeri fallco e manipulator. Unë do jem në “Një gotë Rose” kjë që jam çdo ditë. Thjesht e vërtetë, thjesht Rozi vetvetja.
Siç e thamë edhe më lart, plotësohesh në disa pasqyrime dhe duhet thënë që në të gjitha ke shkëlqyer, por ku e sheh më të ulur veten Rozana, a ndien se ke arritur ta gjesh hapësirë në të cilën e sheh veten paaaaaak më shumë se në të tjerat?
A mund t’i ndajë një nënë fëmijët e saj? Për mua çdo punë që e bëj me pasion e përkushtim, është si një bebe që rritet në sytë e tu. Nesë janë punë të mira të gjitha atëherë pse duhet t’i votojmë cilën më pak e cilën më shumë!?
Në vitin 2022 je angazhuar edhe në teatër, një dashuri e madhe e jotja, “A flasim për burrat” apo “Gratë e Kazanovës”, si vjen kjo “stuhi” dashurie te ti?
Unë jam diplomuar në Akademine e Arteve për aktore dhe sigurisht që e dashuroj teatrin. Komedia “A flasim per burrat” ishte një rikthim shumë i fuqishëm i imi në teatër. Fakti që u rikthye dhe motra ime Andeta si regjisore ma rriti dhe më tepër pergjegjësinë për të punuar fort. Komedia ka qenë një megasukses dhe të mendosh që e mbyllëm me skenën plot. Publiku e dashuroi këtë komedi dhe ata të cilët nuk gjetën një vend të lirë për ta parë, paguan biletë vetëm për të mos e humbur natën e fundit të shfaqjes u ulën kembëkryq në tokë. Suksesin e kësaj komedie ia dedikoj vetëm Andetës (motrës time ) e cila me zgjidhjen e saj regjisoriale e bëri këtë vepër të përqafohej menjëherë nga publiku. Ne ishim 4 gra që ja dolëm. Unë, Andeta, dhe dy aktoret e mrekullueshme Blerta Belliu dhe Lola Meta. Ndërsa komedia “Gratë e Kazanovës” vazhdon rrugëtimin e saj duke mbushur sallat plot. Po e shijoj punën me Andja Xhungën ( regjisore dhe aktore në këtë komedi) dhe aktorin Indrit Çobani. E lumtur që punoj me dy profesionistë të tillë. Dhe meqë jemi te “Gratë e Kazanovës” javën e dytë të janarit 2023 do jemi në Korçë me këtë komedi.
Përpos sukseseve profesionale, projekteve, ti ke folur edhe për transformimin tënd fizik, rënien në peshë, regjimin e shëndetshëm që ke ndjekur, pse vendose ta bëje pikërisht tani?
Gjatë pandemisë të gjithë shtuam në peshë, por unë e teprova. Embëlsirat ishin bërë të pandashme, e teprova vërtet shumë. Një ditë vendosa të mbaja një regjim ushqimor. Me pak fjalë u ushqeva shëndetshëm dhe humba plot 15 kilogramë. I vetmi problem që pata pas humbjes në peshë, ishte ai barku i vogël që nuk ikte kurrë, e provova dhe me sport por mision i pamundur. Krahët e mi të dobësuar nuk dukeshin aspak bukur për një njeri që punon në televizion. Unë dua që të më pëlqejë vetja ime dhe kur diçka nuk shkon në paraqitjen time, unë sigurisht e rregulloj. Pas shumë konsultash me disa mjekë, pata një kimi me doktoreshë Rezarta Kapajn të cilën nuk e di a mund ta falënderoj mjaftueshëm për punën që bëri në barkun dhe krahët e mi. Nuk jam ndjerë kurrë më mirë në paraqitjen time. A mund t’i them publikisht doktoreshë Rezartës që më ka qëndisur. Faleminderit Rezi!
Ky transfmormin a ka sjellë ndryshim në jetën tënde, në perceptim, në mënyrën e jetesës, në marrëdhënie me të tjerët ndoshta, çfarë ke parë ti ndryshe?
Sigurisht që ka sjellë ndryshim. Për shembull tani vesh pantallona XS(shaka) Por ndryshim ka sjellë tepër. Tani ndihem shumë më mirë me veten time. Nuk kam komplekse të vesh një fustan të ngushtë apo një bluzë pa mëngë. Tani jam më e kujdeseshme në atë çfarë konsumoj dhe me shëndet ndihem më mirë.
A janë kilogramët “peshore” e dashurisë dhe vlerësimit të vetes në gjykimin tënd?
Jo-jo, aspak. Unë e dua Rozanën dhe me 16 kilogramë më shumë. Është e njëjta Rozanë, e njëjta artiste, shoqe, partnere, motër. Unë thjesht i bëra një nder shëndetit tim.
Me siguri që në këtë kohë ke marrë pafund mesazhe dhe pyetje për regjimin që ke ndjekur për të humbur peshë, të kanë folur për përvojat personale, ke bërë një pasqyrim përvojash ta themi kështu ndoshta edhe për të kuptuar diçka më tepër, përtej asaj që ne shohim apo perceptojmë?
Mesazhet kanë qenë pafund. Jam munduar të shpjegoj që nuk kam bërë asnje dietë. Kam ngrënë shëndetshëm, por kujdes, kam hequr bukën, makaronat, brumërat, ëmbëlsirat, të skuqurat, dhe darkën e mbyll shumë më herët tani.
A ndikon dhe a duhet të ndikojë partneri/partnerja në vendimin e këtij lloj transformimi?
Për mua është e gabuar të ndikohesh nga partneri/partnerja. Të dyja palët duhet ta pranojnë njëri-tjetrin edhe me disa kilogramë më shumë. Ka njerëz që e vuajnë kur i tregon me gisht që je shëndoshur ose nuk dukesh bukur. Ne nuk e dimë kurrë se çfarë po kalon dikush në atë periudhë. Ka njerëz që shëndoshen nga stresi, ka të tjerë që kanë një problem shëndetësor e kështu me radhë.
Kujdes kur i thoni dikujt që je shëndoshur, sepse i lëndoni, ose më mirë të themi gjeni mënyrën për t’i ndihmuar që të mos e perjetojnë si dramën e jetës shtimin në peshë. Shëndeti vjen i pari.
Fakti që je personazh publik dhe dashur-padashur ndonjëherë edhe të kanë martuar, apo herë të tjera të kanë ndarë, ka ndikuar në marrëdhënien tënde?
Jo aspak. Unë jam me dikë i cili nuk ka lidhje me artin por që ai e di shumë mirë që unë jam pjesë e kësaj “loje” që quhet showbiz. Në mos një ditë, një ditë tjetër do merren dhe me mua.
Cili është “sekreti” i një marrëdhënieje të shëndetshme?
Sa here që debatoni me partnerin/ partneren tuaj në fund duhet te pyesni:
– A më do? E nëse përgjigja është:
– “Po, të dua për gjithë jetën”, atëherë ju keni një marrëdhënie të suksesshme.
A ndryshon koncepti i të dashuruarit me kalimin e viteve, mendon se dashurojmë ndryshe në periudha të caktuara kohore?
Sigurisht që ndryshon! Për mendimin tim me kalimin e viteve ti kupton që sa herë përqafon partnerin tënd, ti ndihesh në shtepi.
Si mund të dashurojë Rozana sot?
Unë jam e thjeshtë si uji kur dashuroj. Por kujdes, se uji është transparent.
Të qëndrojmë te dashuria, ti padyshim një të tillë quan muzikën, cilat janë planet e tua për të, a ka një projekt që fle diku, një projekt që pritet të lindë, çfarë do të sjellë viti 2023 në këtë aspekt?
Unë jam në pritje të përfundimit të një kënge të cilën e kam duet me një këngëtare shumë të mirë. Ndoshta këtë vit që vjen do të jem në Festivalin e Këngës (gjithmonë nëse kam atë këngën që them “uau”, kjo është e duhura).
Çfarë pret nga ky vit, i ke të qarta synimet?
Nuk i kam qejf pritjet. Dhe nuk bëj plane se atje lart na qesh dikush që na i ndërron ato.
Gëzuar dhe qoftë një vit i mbarë!
Gëzuar! Le të ngremë një dolli për jetën.