FOTO: Juxhin Kurti
Skandinada Lalaj është ndër të parat vajza shqiptare që u bë modele e njohur, në një kohë kur Shqipëria nuk kishte ende modeling të mirëfilltë e agjencitë e modës numëronin dy, tri grupime nëpër apartamente. Mirëpo ajo e deshi dhe e do pasarelën, fotografinë. Për këtë është e krijuar, ka një trup perfekt për profesionin e saj dhe një pasion të madh për të cilin vazhdon lufton. Por tashmë në Amerikë. Skandinada ka nisur një udhëtim të bukur në tokën e premtuar, shoqëruar nga i dashuri i saj. Ajo tregon për “revistawho.com” se po shijon shumë gjithçka e se nga Tirana ka mall vetëm për njerëzit e zemrës. Por cilat janë planet e bukuroshes dhe ç’mendim ka ajo për modelingun në vendin tonë. Ju ftojmë t’i lexoni në këtë intervistë.
Skandinada je larguar nga Shqipëria prej disa kohësh, dhe je vendosur në Amerikë. Ku dhe me kë po jeton?
U bë pak kohë që ndodhem në Amerikë. Kam ardhur për të bërë një trip, kam vizituar disa vende deri tani si New York, Miami, Houston, San Antonio, Alabama. Në këtë udhëtim jam bashkë me të dashurin.
Si je gjendur në Amerikë. A është vërtetë atje vendi i realizimit të ëndrrave siç thonë?
Mendoj që këtu është vendi i mundësive për të ndjekur ëndrrën tënde apo qëllimet e tua në jetë. Ky vend duket se të ofron shumë, nëse je njeri këmbëngulës dhe kërkues ndaj vetes.
Ëndrra jote amerikane cila është?
Të them të drejtën kur u nisa nuk është se kisha një “ëndërr amerikane në sirtar” (qesh). Por tashmë kam filluar ta mendoj dhe ëndrra më e madhe është të realizohem si njeri i suksesshëm në ate që di të bëj më mirë në jetë.
A po të mungon Tirana?
Sigurisht që më mungon një pjesë nga Tirana… Shoqëria dhe njerëzit e afërt.
Po pasarelat në Shqipëri të mungojnë? Si mendon, ja vlen profesioni i modeles në vendin tonë?
Pasarelat në Shqipëri nuk më mungojnë vetëm mua që ndodhem larg, por besoj edhe vajzave që ndodhen aty, pasi shoh që nga viti në vit po reduktohen edhe më shumë. Unë për këtë do të sugjeroja që vajzat të cilat kanë të dhëna për modele dhe e shohin modelingun si profesion në jetën e tyre, të bëjnë përpjekje dhe të gjejnë mundësi ta zhvillojnë jashtë Shqipërisë. Më vjen keq ta them po atje po emërohet “modele” çdo vajzë e mundshme e cila paguan apo jo për një set fotografik “profesional” dhe pas publikimit në rrjetet sociale, si me një shkop magjik (pavarësisht nëse ka apo jo kriteret e një modeleje) quhet modele.
A mendon se modelingu në Shqipëri është në rrugë të drejtë apo duhet akoma edhe shumë punë?
Sigurisht që modelingu në Shqipëri ka bërë disi përpara, por duhet ende shumë punë qe ne dhe vendi ynë të hyjë në industrinë e modelingut.
Ke tentuar të punosh si modele në Amerikë? Të duket e realizueshme?
Kam realizuar disa foto në Neë York me fotografin tonë Juxhin Kurti dhe jam në kontakt me një agjent dhe fotograf për të realizuar një set tjetër fotografish. Mendoj që dhe këtu mund ta realizoj me mundësite që do të më ofrohen. Ka shumë për të bërë në botën e modelingut dhe këtu nuk njeh moshë. Mjafton të kesh dëshirë të punosh dhe të respektosh kriteret për të qenë një modele në formë.
Teksa shohim fotot e tua vëmë re se ke një trup të shkëlqyer megjithëse nuk je më adoleshente… Si e arrin këtë?
Për trupin sigurisht tani tregoj më kujdes se kur isha adoleshente, edhe pse unë ndër vite nuk është se kam ndryshuar shumë. E kam pak dhe gjenetike. Kujdesem për ushqimin që të jetë i shëndetshëm, dhe sigurisht në kohë të lirë merrem dhe me ushtrime fizike.