I ftuar në ZëmeMirën Podcast, Dashamir Shehi ka folur për jetën e tij, të shkuarën, të ardhmen, familjen dhe karrierën politike.
Me një realizëm dhe sinqeritet ç`armatosës, Dash Shehi rrëfeu pse ka zgjedhur gjithmonë Shqipërinë, edhe kur me bashkëshorten bënë dokumentet për të emigruar në Kanada.
Njëherë na u mbush mendja burrë e grua për të shkuar në Kanada
“Bëmë ato letrat dhe i fituam. Ajo gruaja tek zyra e dokumenteve, puna e parë që tha, ore ku po shkoni?
Ti mendon që do kesh këtë status social? Jo, i thashë. Unë nuk mendoj që bëhem ministër kanadez, as deputet. Si përfundim, vendosëm burrë e grua të rrimë këtu. Pikërisht se ka një pjesë njerëzish që për hir të sedrës, mënyrës sesi kanë jetuar, nuk mund ta pranojnë atë statusin shpeshherë të emigrantit, sidomos të emigrantit fillestar. Do të përballen me një realitet krejt tjetër. Ajo që ke bërë më përpara praktikisht nuk të vlen. Unë kam qenë tërë jetën shumë i lumtur. Nuk mund të largohem nga ky vend. S’jam larguar kurrë”, rrëfeu Dashamir Shehi.
Më tej Mira e pyeti:
Çfarë ndjesie ke kur zbret në aeroport për shembull?
“Ja ta them unë kush është sensacioni im personal, se nuk e kanë të gjithë. Se ne jemi pak të përkëdhelur në këtë lloj sedre, por është njerëzore. Unë ditën që zbres këtu, vë këmbët më përshëndet polici. I shtyn ato, hapu se po kalon shefi thotë. Shefo, bjere pasaportën. Dikush kap valixhen. Mirëpo do thuash ti, çfarë është kjo? Sigurisht që unë nuk kam nevojë për atë, por mirë të vjen. Ndërsa ai atje më lë tek rreshti mua, gjermani”, rrëfeu deputeti Shehi.
Se ndonjëherë edhe gjërat që duken të vogla mund të përbërje një rëndësi të madhe.








