Titulli
Libri me një fjali
E çfarë s’do të jepnim që të kishim mundësinë të kalonim edhe një ditë më shumë me njeriun tonë më të dashur, që ka ndërruar jetë! Një bir dhe një nënë, që s’jeton më, përshkojnë për të fundit herë jetën dhe zbulojnë sekrete të pathëna kurrë më parë.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
Çarli Beneto e adhuronte të atin dhe kurrë s’ka arritur ta pranojë faktin që ai e braktisi familjen. Në moshën 11-vjeçare iu desh të mësonte t’i besonte së ëmës, një gruaje zemërbutë dhe të guximshme. Dekada më vonë, Çarli është një njeri i rrënuar që e mbyt vetminë në dhembje dhe në alkool. Një ditë,
kthehet në qytezën e lindjes me qëllimin për t’i dhënë fund jetës. I dëshpëruar, hyn në kuzhinën e shtëpisë së vjetër dhe nuk u zë besë syve kur në kuzhinë e pret e ëma, e vdekur prej tetë vjetësh, me gjithë dashurinë e saj më të madhe se koha.
Ajo që pason është e vetmja ditë “e zakonshme” që shumë prej nesh e dëshirojnë me gjithë shpirt, një rast për t’u pajtuar me një prind të humbur, për të shpjeguar sekretet e familjes dhe për të kërkuar falje. Diku midis kësaj jete dhe tjetrës, Çarli mëson shumë gjëra befasuese për të ëmën dhe sakrificat
e saj, që s’i ka ditur kurrë. Dhe përpiqet të bëjë bashkë copëzat e shkërmoqura të jetës së tij.
Një roman që të bën të buzëqeshësh, të lëshosh lot përmallimi dhe që na tregon se familja është një histori fantazmash, pengjesh, keqkuptimesh, dhembshurish dhe revoltash. Është një parajsë dhe një ferr, ku gjejnë strehë përvojat tona më thelbësore.
Kritika
Një libër që ka fuqinë e veçantë të mallëngjejë e të ngushëllojë lexuesit. The New York Times
Përmes kësaj historie, Albom vë në plan të parë shenjtërinë e familjes, sakrificën e nënës dhe fuqinë shkatërrimtare të ambicieve personale dhe të egoizmit mashkullor.
Publishers Weekly
Një histori e thjeshtë, por tepër e fuqishme, prekëse, e dhembshme e mbi të gjitha, shëlbyese. “Edhe një ditë më shumë” është një rrëfim i mrekullueshëm mbi fuqinë e dashurisë dhe rëndësinë e faljes.
The Literary Edit
Mbi autorin
Mitch Albom është autor i shumë librave, që kanë shitur më tepër se dyzet e një milion kopje, në dyzet e shtatë gjuhë të ndryshme në mbarë botën. Ai ka shkruar tetë vepra, të cilat janë renditur në vend të parë në New York Times bestsellers – përfshirë këtu “Të martat me Morin”, biografia më e shitur e të gjithë kohërave – ka shkruar skenarë filmash televizivë, të nderuar me çmime;
drama; skenarë filmash kinematografikë; artikuj për një gazetë kombëtare të sindikatave si dhe një musical. Nëpërmjet veprimtarisë së tij në Detroit Free Press, u pranua zyrtarisht në National Sports Media Association dhe në këndin e famës të Michigan Sports, ndërsa në vitin 2010 u shpall fitues i çmimit Red Smith për arritjet në jetë. Albom është themeluesi dhe mbikëqyrësi i SAY Detroit, një bashkim ky i nëntë shoqërive me veprimtari të ndryshme bamirëse në qytetin e tij të lindjes, së bashku me një ëmbëltore jofitimprurëse dhe një fabrikë ushqimore për të financuar programet e ndihmës për shtresat më në nevojë në Detroit. Që nga viti 2010, drejton një jetimore në Port-au-Prince, në Haiti, të cilën e viziton çdo muaj. Jeton në Miçigan, së bashku me të shoqen, Janine.
Fragmente nga libri
1) Kur e ke dikë në zemër, ai njeri kurrë nuk largohet plotësisht. Dhe mund të ndodhë, që edhe atëherë kur nuk ka më gjasa, të kthehet sërish pranë teje.
2) Duke ndërmendur të shkuarën, nis të më shfaqet para syve dita që ime ëmë u nda nga jeta, rreth dhjetë vite më parë. Nuk iu ndodha pranë në çastet e fundit, kur në fakt, duhej të kisha qenë. Kështu që gënjeva. Por doli që nuk veprova mirë. Në një funeral nuk ka vend për të fshehta.
3) Fakti që në këtë tekst ndeshni praninë e një fantazme, mund t’ju shtyjë të mendoni se është veç një histori fantazme dhe aq. Po cila është ajo familje që nuk e ka një histori të tillë? Vetëm duke rrëfyer për të gjithë ata që kemi humbur, do të arrijmë t’i mbajmë gjithnjë pranë vetes.
4) Por si gjithnjë, pas çdo gjëje fshihet një histori. Si ndodhi që një pikturë u gjend e varur në mur, si u bë ajo vrajë në fytyrë. Nganjëherë, ato janë fare të thjeshta, herë të tjera aq të koklavitura sa të copëtojnë zemrën. Por pas të gjitha këtyre ndodhive qëndron historia e nënës, sepse ajo është burimi ku merr jetë vetë historia jonë