Duket filluar nga janari, TikTok do të mbyllet për të paktën 1 vit në gjithë territorin e Shqipërisë. Pas konsultimit publik, Rama tha se nuk do ta lejojnë këtë ‘rrugaç’ në lagjet tona.
“Është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. TikTok do ta mbyllim për një vit. Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikTok,” ka thënë kryeministri Rama në daljen e tij më të fundit.
Ministrja e Arsimit ka njoftuar një sërë masash të reja për përmirësimin e sigurisë fizike dhe digjitale në shkolla, përfshirë bllokimin e platformës TikTok. Kjo vendim po bëhet pjesë e një plani më të gjerë për mbrojtjen e nxënësve dhe mjedisit arsimor.
Sipas ministres, bllokimi i TikTok bazohet në një paketë masash të përgatitura nga AKCESK dhe AKSHI. “Synojmë të reduktojmë rreziqet që vijnë nga përdorimi i kësaj platforme, duke e bërë ambientin arsimor më të sigurt,” tha ajo.
Një tjetër element i rëndësishëm i planit është instalimi i kamerave inteligjente nëpër shkolla, në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara, në kuadër të projektit “Smart City”. Këto sisteme pritet të mundësojnë monitorim më të detajuar, si brenda shkollave, ashtu edhe në perimetrin përreth tyre.
Masat përfshijnë edhe dyfishimin e numrit të oficerëve të sigurisë, të cilët do të arrijnë në 500 brenda dy viteve të ardhshme. Përveç kësaj, në drejtoritë arsimore do të krijohen struktura të dedikuara për të koordinuar punën e oficerëve të sigurisë dhe për të forcuar bashkëpunimin me policinë dhe njësitë e mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal.
Masa të reja për përdorimin e celularëve dhe luftën kundër bullizmit
Një aspekt tjetër i planit është rregullimi i përdorimit të celularëve gjatë orëve mësimore, për të minimizuar shpërqendrimet dhe për të parandaluar rastet e bullizmit, përfshirë atë kibernetik. Po ashtu, do të forcohen mekanizmat e raportimit të hershëm për incidentet e dhunës dhe bullizmit, duke përdorur platforma online për sinjalizimin dhe trajtimin e rasteve brenda dhe jashtë shkollave.
Ky plan i detajuar synon të krijojë një mjedis më të sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor, duke adresuar sfidat digjitale dhe fizike në mënyrë proaktive.