Zgjedhja e buqetës së nuses është një rutinë e gjatë dhe e lodhshme. Fillimisht duhen gjetur lulet që përshtaten me karakterin dhe temën e dasmës tuaj, pastaj fillon një cikël i gjatë zgjedhjeje për sa i përket formës, gjatësisë dhe kompozimit. Por ky proces ndodh instinktivisht pa e pasur shumë mendjen se pse e bëjmë këtë. Mirëpo pasi gjithë ceremonia ka përfunduar dhe çdo lodhje e dasmës ka përfunduar nis e na bie ndër mend: Cila është arsyeja që nuset mbajnë buqetë lulesh në ceremoninë martesore? Ka ndonjë histori nga pas e gjithë kjo? Ka shpjegime të ndryshme ky fenomen në vende të ndryshme si pasojë e kulturës dhe shtrirjes kohore. Më poshtë gjeni disa prej tyre…/blitz.al
1. Për të mbuluar erën e keqe
Në shekullin e 15-të, nuset që martoheshin nuk mbanin aromë të mirë pasi nuk kishin dalë ende në treg shampot me aromatikë apo parfumet. Tradita donte që nuset të martoheshin përgjithësisht muajt e verës sepse prania e diellit ishte një domosdoshmëri. Për këtë fakt nuset nisën të mbanin lule pranë vetes për të zbutur sado pak erën e rëndë.
2. Për të larguar shpirtrat e këqij
Më përpara, sidomos në vendet e lindjes, buqetat nuk bëheshin me lule por me barishtet ku rriteshin erëzat. Pra buqeta kompozohej nga piperi, hudhra dhe disa barishte erëzash, të cilat edhe sot thuhet se “mbajnë larg syrin e keq”. Sigurisht, këto buqeta zbukuroheshin edhe me disa lule të tjera për t’i bërë estetikisht më të bukura.
3. Mesazhi i jetës dhe fertilitetit
Në Romën e lashtë, nuset kanë mbajtur buqeta me lule ende të paçelura. Thuhet se kjo bëhej për shkak se lulet ende të paçelura janë tregues i jetës dhe fertilitetit. Të dyja këto japin mesazhin e dashurisë së çiftit dhe dëshirës për t’u shtuar më pas edhe me fëmijë.
4. Dhënia e një mesazhi emocionues
Ky shpjegim vjen edhe më pranë ditëve tona. Në periudhën viktoriane, nuset mbanin buqeta me lule për të dhënë një mesazh të veçantë. Çdo lloj luleje kishte një karakteristikë dhe një kuptim të veçantë, ndaj duke pasur parasysh këtë nuset zgjidhnin buqetën që dëshironin. Nëpërmjet kësaj zgjedhjeje ato jepnin mesazhin te të pranishmit në ceremoni.