Një hapësirë enkas për qytetarin ideal, atë që do të jetonte në Utopia, qytet që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Një filozofi e bukur, e cila nëse në kohërat e mëhershme do të mbetej thjesht një filozofi, në epokën e teknologjisë ( siç do thoshte gjyshi i saj) është shdërruar në një faqe interneti e prekshme dhe e dukshme, ku kushdo mund të gjejë vend për veten. Një grup artistësh shqiptarë e të huaj do të shprehin në një blog, të bukurën e natyrës, artit, njeriut… Një tjetër hapësirë e veçantë i është lënë edhe rebelimit ndaj klisheve që kanë çuar femrën në atë që është sot, në gjininë që shitet lehtë e blihet shpejt. Këtë projekt na e prezantoi kryeredaktorja e “Utopian Magazinë” Dasara Malltezi. Bashkë me të, ajo na prezantoi edhe veten. Në Shqipëri Dasara njihet si supermbesa e gjyshit ish-kryeministër Sali Berisha. Vetë ai ka folur jo pak herë për potencialin e të mbesës, por publiku i gjerë shqiptar nuk e ka marrë edhe aq seriozisht, duke menduar se lideri e sheh me sytë e dashurisë. Në disa raste Dasara është komentuar edhe si vajza e llastuar që vetëm shëtit. Por ajo ka gjetur rrugën më të mirë për të vënë pikat mbi “i”, po ndërton diçka të rëndësishme në një vend të huaj e madje me hundë shumë të hollë për ata që vijnë prej larg, në Francë. Atje ku s’do t’ia dijë njeri vajza e mbesa e kujt je.
Cila ishte pikënisja e Utopian Magazine dhe roli juaj tek revista?
Së bashku me një nga miqtë e mi më të mirë, Enri Mato, kishim një ide për të bërë diçka ndryshe. Ai donte të niste një revistë ndërsa unë një blog, të cilat do ishin të ndërlidhura, pra do ishin pjesë të njëra tjetrës. Enri themeloi revistën, dhe me tej menduam të shkrinim blogun dhe revistën bashke, rrjedhimisht unë mora rolin e Editor in Chief. Revistën nuk donim ta linim në limitet e një tregu lokal, ndaj ia treguam Jarl Alexandre de Basseville, i cili ka themeluar 27 revista. Atij iu duk tejet inovativ dhe kështu filloi bashkëpunimi me Ale dhe Egla Harxhin.
Çfarë mund të na thuash diçka për stafin e Utopian Magazine?
Utopian është një revistë e bazuar në Paris, e cila do të jetë online dhe së shpejti në Newsstand. Jemi një skuadër e madhe internacionale duke marrë në konsideratë dhe palët e tjera me të cilat po bashkpunojmë. Megjithatë, në zemër të revistës momentalisht jemi katër veta: Unë si Editor in Chief, Enri Mato si themelues, Jarl Alexandre de Basseville si Creative Director dhe Egla Harxhi si kontribuese. Ky bashkëpunim na ka vendosur në kontakt me artistë dhe media në vendë të ndryshme si Amerikë, Azi, Europë etj.
Në të kaluarën projektet e ndërmarra kanë qenë individuale. Si është te punosh krah partnerëve të tjerë?
Unë gjithmonë kam patur qejf të punoja me të tjerë, por partnerët e duhur janë gjithmonë të vështirë për t’u gjetur. E konsideroj veten shumë me fat të bashkëpunoj me Enrin një urbanist tejet të talentuar, Eglën e cila pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera arkitekturën në Tiranë studion aktrim dhe meret me modelim në Paris, dhe Ale i cili është një fotograf me famë botërore, i cili së fundmi bëri bujë dhe për fotot nudo të Melanie Trump. Mbi të gjitha, përveç formimit të tyre, vlerësoj kulturën dhe dashurinë për artin, të bukurën dhe vlerat që sot janë venitur në shumicën e njerzve.
Pse pikerisht Utopian? Ku bazohet revista?
Utopia është qyteti perfekt i cili nuk u ndërtua kurrë. Rrjedhimisht, Utopian është qytetari ideal. Revista bazohet në katër shtylla: arkitektura, fotografia, moda dhe kultura. Në përmbajtje syohet gjithmonë për substancë, jo vanitet. Arkitektura është ana fizike e këtij qyteti që ofrohet virtualisht nga ne. Fotografia, moda dhe kultura janë aspekti social i tij i fokusuar në të bukurën dhe vlerat e njeriut të lirë dhe utopik. Disa gjëra më specifike që mund të përmend janë shkrimet për vende të veçanta në botë, mendësia e të veshurit, këto gjithmonë të trajtuara sipas këndvështrimit tonë, Ekspozita “No Compromises”, dhe intervista me artistë të ndryshëm. Veçantia qëndron në faktin që nuk ka një revistë tjetër që permbledh të gjitha të sipërpërmendurat.
Cili eshte publiku i synuar nga revista?
Utopian Magazine është për të gjithë ata që kanë pasion dhe dashuri për të bukurën, kulturën dhe që nuk kanë frikë të jenë mendjehapur. Është për guximtarët që nuk pranojnë kompromise për hir të opinionit të shumicës, për qytetarin Utopian në shpirt dhe në mendje.
Folet për ekspozitën “No Compromises”. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Ekspozita është një formë për të shprehur një manifest pa kompromise kundër industrisë së markave dhe fenomenit të eskortave. Kudo në botë, është krijuar një imazh i asaj që “duhet” të jesh për tu konsideruar një femër e bukur. Ky imazh i gabuar, bën që vajza të reja në mbarë botën të mendojnë se është diçka që arrihet lehtë dhe rrjedhimisht kur kuptojnë se nuk është aq e lehtë drejtohen në rrugë alternative për të arritur aty.
Revista Utopian kishte një predominancë të fotove nudo. A do jetë kjo baza e revistës?
Hahah jo. Manifesti ‘No Compromises’ synon të çliroje njerëzit e ndrydhur të cilët duhet të përballen me një kulturë ku predominojnë tabutë në vend të lirive të njeriut. Imazhet nudo jane aty jo vetëm për t’i dhënë një shuplakë në fytyrë mentalitetit që kërkon pabarazi gjinore, apo atij që shtyp femrat, që sheh dikë që guxon apo një femër që pozon nudo si diçka të ulët dhe të pavlerë vetëm për faktin që ajo do të bëjë të tilla foto. Është absurde se si të njëjtat veprime të bëra nga një mashkull bëjnë që ai të konsiderohet ‘cool’, ndërsa për femrat konsiderohen të ulëta.
Si do jetë lidhja e kësaj reviste, dhe kësaj levizjeje me Shqipërinë?
Utopian Magazine është online, është për qytetarin e Utopisë, që rrjedhimisht ka lidhje me çdo kënd që ndihet i tillë në shpirt e mendje kudo qofshin, qoftë në Shqipëri, Francë, apo kudo në botë. Lëvizja “No Copromises” nga ana tjetër ka lidhje me fenomenin eskortë dhe industrinë e markave që e thënë butësisht nuk shtojnë vlera, përkundrazi deformojnë perceptimin dhe kanë një ndikim tejet negativ fizik dhe psikologjik tek vajzat e reja të cilat siç e përmenda më sipër duan atë “perfekten” surreale të markave pa punuar, sepse si e tillë u prezantohet. Besoj se lidhja e “No Compromises” me Shqipërinë, dhe jo vetëm, është mëse e qartë…
Ku mund t’ju gjejmë?
Vetëm tek www.utopianmagazine.com apo në faqet tona në Facebook dhe Instagram nën emrin Utopian Magazine.