EKSKLUZIVE/ Historia e balerinës që përfundoi në koma: Nga dashuria erdha në këtë jetë dhe me forcën e dashurisë e ndjej se jetoj
Nga Jonida Hitoveizi
Balerina e “Tv Klan”, Sigi Gjini, rrëfen për herë të parë ndjesitë dhe luftën me vdekjen gjatë kohës së komës, por edhe çasteve të gjata të rikuperimit të saj. Një vajzë e re, e talentuar, e cila u përball me një aksident automobilistik gati fatal për jetën. Kjo është hera e parë që Sigi flet për një media, duke na lënë të gjithëve, pas çdo fjale të thënë, të reflektojmë më shumë për atë çka jemi, për jetën tonë dhe për një forcë që shpesh në raste si ky i Sigit e tejkalon njeriun. Rastet e komave janë gjithnjë një atraksion studimor për botën shkencore, për atë se çfarë ndodh me trurin tonë, me ndjenjat dhe me perceptimin. Sigi rrëfen disa pasazhe, ato që e kanë rikthyer. Dëshira për jetën, lotët e nënës së saj dhe ëndrra e përhershme për kërcimin. Këto kanë qenë kujtimet që ajo mund të na tregonte, edhe pse intervista me të ishte shumë delikate, pas gjithë asaj lufte të madhe për të qenë ende mes nesh, për t’ia fshirë lotët nënës së saj, për t’u rikthyer në skenë. Në skenën që është pasioni i saj, e me sa duket jo vetëm kaq, por edhe një nga shtyllat që e ka bërë të luftojë dhe të qëndrojë në jetë.
Sigi, përshëndetje. Si je këto kohë?
Përshëndetje. Jam shumë më mirë sesa kam qenë më parë. Ndodhem në një klinikë në Gjermani, ku po ndjek terapinë.
Çfarë thonë mjekët për gjendjen tënde, kur mund të kthehesh në Shqipëri?
Në këtë fazë është ende herët për të folur për rikthimin tim në Shqipëri pas një aksidenti pothuajse fatal.
Të gjithë janë sensibilizuar me atë që të ndodhi ty. Kur e ndjeve gjithë këtë mbështetje të të njohurve, por edhe të të panjohurve?
Interesimi ishte, si në emisionet televizive, por edhe rrjetet sociale, më mbështetën shumë dhe më dhanë forcë; më bënë të kuptoja që nuk isha vetëm. Pa dyshim, familja ishte një mbështetëse e paparë deri në vetëmohim. Nuk u pajtuan me atë çka më ndodhi… Prandaj përfitoj nga rasti t’i falënderoj nga zemra tërë miqtë e mi të artit, sportit, por dhe ata që janë jashtë ekranit; dikush financiarisht dhe shumëkush me lutje, më japin forcë akoma dhe sot.
Cilët nga miqtë të kanë qëndruar më afër?
Përveç mamasë sime që qëndron me mua që nga dita e aksidentit deri më sot, një rëndësi të madhe luajnë familja dhe shoqëria. Disa nga shoqet e mia kanë ardhur dhe më kanë takuar këtu në Gjermani.
Tani që gjendja jote është përmirësuar, ç’mund të na thuash për forcën që jeton tek njeriu?
Njeriu paska fuqi të pashtershme. Unë nuk e mendoja se do isha kaq e fortë.
Ty, ç’forcë të ka bërë ta fitosh këtë betejë?
Dëshira për të jetuar përsëri, kërcimi, lotët e nënës sime, që dua të mos i shoh më në sytë e saj, më bëjnë të jetoj… Këto më kanë dhënë forcë dhe më bëjnë të luftoj.
Në gjendje dhe raste si i yti, njerëzit përjetojnë eksperienca shpesh jo të zakonshme, bëhen më besimtarë apo kanë edhe ëndrra që u tregojnë se si do shkojë gjendja e tyre në vazhdim… A ka pasur diçka të ngjashme edhe përvoja jote?
Them se Zoti më vuri përpara një prove të vështirë. Shpesh ëndërroj sikur kërcej në skenën ku jam rritur.
Beson më shumë në Zot tani?
Gjithmonë kam besuar në Zot, por tani akoma më shumë.
Për njerëzit që kalojnë në koma disa shkencëtarë besojnë se ata e zgjedhin vetë se kur do zgjohen; a është e vërtetë kjo? Ti vetë, çfarë kujton nga ajo kohë “gjumi” (disa njerëz kur janë zgjuar kanë folur edhe gjuhë të panjohura)?
Si në vegim më shfaqeshin përpara prindërit e mi që mundoheshin të më jepnin frymë. Doja të ngrihesha, por s’mundja…
Është e vërtetë që, kur je në koma dëgjon gjithçka ndodh rreth teje?
Është e vërtetë. Unë madje kam folur përçart dhe shikoja njerëz që nuk ndodheshin aty, por nuk kujtoj shumë tani.
Ka diçka që të ka bërë ta kuptosh më mirë jetën, ekzistencën?
Jeta është shumë e shtrenjtë. I bëj thirrje, sidomos rinisë, të vendosë rripin e sigurimit dhe të ecë me shpejtësinë e lejuar. Të jenë më të ndërgjegjshëm me veten e tyre. Uroj për të gjithë njerëzit në nevojë shërim të shpejtë dhe asnjëri të mos provojë atë që unë përjetova. Nga dashuria erdha në këtë jetë dhe me forcën e dashurisë e ndjej se jetoj.
Ju falenderoj për intervistën. Të gjithë miqve të mi u them se i dua shumë dhe më mungojnë. Falënderoj Zotin dhe familjen time për mbështetjen, por në veçanti mamin tim, që po sakrifikon gjithçka për mua. (Korrik 2014)