Sezoni i ri televiziv në “Top Channel” riktheu të premten në mbrëmje “Top Show Magazinë”, që moderohet nga Alban Dudushi. Dy opinionistët e rinj të këtij formati janë ishlojtari i “Big Brother Albania 7” e konkurrenti i “Dancing with the stars”, Valer Kolnikaj dhe Sara Kapo, aktorja kryesore e klipit të Flori Mumajesi ft. Ledri Vula, “Beautiful”. Dy personazhet protagonistë me tipat e tyre do të kombinohem në këtë shou “prime time” të të premteve në “Top Channel”, ku pritet të pyesin, provokojnë e përballen me personazhet e ftuar në panel. Valeri, një mjek që e konsideron këtë eksperiencë vazhdimin e ëndrrës televizive, ndërsa Sara e cila nuk e kishte ekranin në opsionet e saj, tregon se si u gjend papritur në këtë projekt, ndërsa po tentonte këngën dhe aktrimin. “Panorama” i ka pyetur dhe se çfarë mendojnë për njëri-tjetrin, duke dhënë opinionet e tyre të para jashtë ekranit.
VALERI: SARA ËSHTË INTERESANTE, TË SHOHIM SA DO TË PËRSHTATEMI
Cili do të jetë roli yt në “Top Show Magazine”?
Do të jem opinionist çdo të premte në “Top Show Magazine” me Alban Dudushin. Roli im dhe i Sarës është të jemi sa më të lirshëm dhe të natyrshëm për të folur, mikpritur, ndërhyrë në bisedë, e si të duam…. A mund të quhet ky rol? (qesh)
Do të dilni me skenar, apo do të jeni spontanë, pra do të bëni pyetje aty për aty?
Do të jemi të drejtpërdrejtë dhe sa më realë, pra pa skenar(gjë që mungon në këto kohë në televizion). Do të mundohemi të kemi sukses përafërsisht sa paraardhësit tanë në këtë pozicion, që janë nga emrat më të pëlqyer të medias sot.
Në këtë punë kombinohesh me Sara Kapon. E njihje më parë dhe të pëlqen si personazh?
Më pëlqen më shumë Bieta e Albani. (qesh) Sara është interesante. Të shohim sa do të na përshtatet. Nuk kam pasur rastin ta njoh më parë, por si vajza e Ema Andreas, them e mirë duhet të jetë. (qesh)
Çfarë nuk të pëlqen tek ajo si tip?
Nuk ka diçka që nuk më pëlqen. Kur ta njoh më mirë, do të shprehem. Nuk ngutem për të folur për dikë.
Ke menduar ndonjë mënyrë të re si mund t’i ngacmosh VIP-at këtë herë?
Nuk nisem nga ideja për t’i ngacmuar, thjesht natyrshëm do them atë që mendoj, bazuar në atë që thonë e janë. Pra, siç më ka hije. (qesh)
SARA: ISHTE OFERTË E PAPRITUR PËR MUA, NUK DO T’I KURSEJ KOMENTET E HIDHURA PËR VIPAT
Sara, si do të përballesh me personazhet e njohura në studion e “Top Show”?
Nuk e di fare. Është gjithçka kaq e re për mua dhe e papritur. Por që, sido që të shkojë, do të jetë një eksperiencë e bukur.
Si padashur hyre në botën e televizionit, apo ishte në ambiciet e tua?
Kam synuar për këngën dhe aktrimin së fundmi, por televizionin jo. Ndaj ishte kaq e papritur.
Do të jesh e hidhur me komentet apo opinionet e tua që do t’u bësh sy më sy personazheve të njohur të momentit?
Po më erdhën të hidhura, ashtu do t’i them.
Po për Valer Kolnikajn çfarë opinioni ke? Mendon se do të shkoni bashkë si dyshe televizive?
Deri tani mirë kemi shkuar. Është djalë shumë i sjellshëm dhe pozitiv. Mendoj se do të më ndihmojë shumë në panel. /.PANORAMA