Ditën e djeshme një vajzë e re u shndërrua në personazhin e ditës në media, për shkak të një episodi të rëndë që i ndodhi në “Elbasan Arena”. Pas një përleshjeje të tifozëve me policinë gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu, u lëshua gaz lotësjellës për pasojë të së cilit e reja humbi ndjenjat. Trevisa Tufa, tifozja që humbi ndjenjat dje në stadiumin e Elbasanit, është tronditur dy herë nga forcat e policisë. Nuk ka mjaftuar vetëm tensioni që shkaktuan forcat e policisë në stadium, por më pas e kanë “terrorizuar” sërish në ambientet e spitalit, ndërkohë që ajo ende nuk e kishte marrë veten mirë. Ajo ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, ku rrëfen incidentin dhe më pas orët e sikletshme që iu desh të kalonte në spital. “Më vjen keq ta them, por policët më sëmurën më tepër në spital, sesa vetë incidenti që përjetova në stadium”, tregon tifozja e Partizanit.
Trevisa, çfarë ndodhi në stadium?
Pashë tifozë që ishin duke u ngjeshur drejt radhëve tona. Nuk e kuptova se përse një moment policët hynë brenda në stadium dhe nisën të ushtronin dhunë. Në fillim as që arrita ta kuptoj se çfarë po ndodhte, sepse shikoja vetëm tifozë që vinin drejt nesh. Unë isha me babanë në krah dhe për një moment u merakosa edhe për të.
Po më pas çfarë ndodhi që humbët ndjenjat?
Nuk e mbaj mend. Nuk e di nëse kjo më ndodhi prej shqetësimit apo sikletit që përjetova, apo se dikush më goditi. Nuk mbaj mend asgjë të them të drejtën.
As momentin kur ju zbritën në fushë?
Asgjë.
Po në pjesën e parë, a ndodhi ndonjë gjë, a pati ndonjë përplasje mes policisë dhe tifozëve ku ndodheshit ju?
Jo, fare, absolutisht asgjë. Gjithçka po shkonte normalisht. Tifozët ishin duke u sjellë në mënyrë korrekte dhe ishte aty për të mbështetur skuadrën në një ndeshje shumë të rëndësishme.
Por kur shkuat në spital, çfarë ndodhi?
Sapo nisa të marr veten dhe të kuptoja pak nga pak se çfarë kishte ndodhur. Por nuk zgjati shumë dhe erdhën policët duke ngritur zërin e duke bërtitur në kupë të qiellit. Aty u sëmura më keq pastaj.
Pse bërtisnin policët, çfarë kërkonin nga ju?
Nisën të debatojnë me babanë tim. Ai po u thoshte se si ka mundësi që policia sillet kaq keq në stadium, por ata nisën t’i hakërrehen dhe të ngrenë zërin.
Sa policë ishin?
Në fillim erdhi vetëm një me uniformë. Pasi iku ai dhe mori deponimin, erdhën dy të tjerë, njëra ishte vajzë. Pastaj më pas erdhën dy civilë.
Gjatë gjithë kohës pati debat?
Në një pjesë të mirë të kohës po. Ishte skandaloze sjellja e tyre…
Mbani mend që afër jush të ketë hedhur dikush gaz lotsjellës dhe të ketë ndikuar ai për keq?
Jo, nuk pata asnjë kontakt me gazin. Thjesht ndoshta për shkak të ngjeshjes së turmës aty, apo nuk e si se çfarë mund të ketë ndodhur tjetër, por nuk kam pasur probleme me gazin.
Familjarët tuaj a janë më të qetë tani që ju po dilni nga spitali?
Po, por u alarmuan pa masë për një gjë që nuk duhej të ndodhte kurrsesi. Erdhi gjithë familja në Elbasan sepse u shqetësuan pa masë, ndërkohë që isha thjesht një vajzë me babanë e saj që kisha ardhur të shihja ndeshjen e skuadrës sime. Vetëm kaq. Nuk e kuptoj se përse policia duhej të sillej ashtu.
Partizanin e sheh në çdo ndeshje?
Po, të gjitha ndeshjet sigurisht.
Të ka ndodhur ndonjëherë si ky rast?
Jo, jo.
Po pas kësaj që ndodhi do shkosh më në stadium?
Sigurisht, do shkoj sërish në stadium.
Tani si ndjehesh dhe a je gati për ndeshjen e radhës?
Tani jam më mirë. Po, po gati për ndeshjen e radhës.
Me kë e ka Partizani?
Me Lufëtarin. Të shohim ku do e luajnë se nuk kanë stadium ata (Luftëtari).