‘Dirty Dancing’ është filmi kult i viteve ’80 dhe impakti që ka akoma sot është i paimagjinueshëm. Ju që e keni parë e dini përgjigjen pse. Ndërsa për ju që nuk e keni parë (nuk e dimë ç’prisni akoma), në film trajtohen temat: Seks, abort, fe, politikë dhe diferenca absurde mes klasave sociale. Edhe pse kanë kaluar plot 30 vite nga publikimi i atij filmi, realizuar më 1987-ën, shpirti rebel dhe kontrovers që përçon ‘Dirty Dancing’ vazhdon të ndihet njësoj edhe sot, duke e kthyer në një film kult që di si të emocionojë gjenerata të reja e të vjetra falë një historie dashurie që përshkruhet me gjuhën e trupit dhe udhëhiqet nga hapat e kërcimit.
Me protagonistë Jennifer Gray dhe Patrick Swayze, ky film çuditërisht u publikua në vitet ’80 megjithëse shoqëria e asaj kohe nuk do e aprovonte kurrë një histori dashurie si kjo e një burri dhe një 17-vjeçareje të pasur. Johnny dhe ‘Baby’ nisin një histori dashurie nën ritmet e muzikës latine dhe shumë të nxehtë. E nëse kur ishit në adoleshencë këtë film e shikonit si një histori të pastër dashurie mes një vajze dhe një djali, duke u rritur fillon të kuptosh se disa gjëra nuk përkojnë.
Duke nisur nga fakti që protagonistja ishte minorene ndërsa djaloshi një i rritur. Kaq mjafton për ta bërë raportin e tyre të duket më i pisët. Në një kohë kur kemi lëvizje të tilla si #MeToo dhe ‘Weinstein Cases’, as Hollywood nuk është më si dikur, e disa fabula si kjo, nëse do viheshin në ekranin e madh tani, do shkaktonin debat e do kritikoheshin së tepërmi.
Për të mos harruar faktin që Johnny, është ai që e drejton marrëdhënien dhe Baby është ajo që dëgjon vetëm partnerin dhe bën çfarë i kërkohet. Duke marrë parasysh dhe moshën e vogël të saj, ky raport bëhet edhe më i rëndë. Megjithë qëllimin e mirë të regjisorit të këtij filmi, për të pasqyruar një dashuri të sinqertë e të bukur, me shumë keqardhje na duhet të pranojmë se ‘Dirty Dancing’ nuk do mund të luhej sot në ekran pa u përballur me protesta, debate dhe kritika të forta./revistawho.com