Të gjithë e kemi provuar të paktën njëherë ndjesinë që të jep shfaqja e akneve. Por si t’i trajtojmë ato? Si të mësojmë t’i lexojmë etiketat dhe përbërësit e produkteve që përdorim, si t’i trajtojmë aknet në shtëpi, po gratë shtatzëna çfarë duhet të kenë parasysh në qoftë se ju acarohet lëkura. Këto dhe shumë problematika të tjera kanë marrë shpjegim nga dermatologia, Dr. Migena Gega, në një intervistë për “revistawho.com”.
Çfarë i shkakton aknet?
Aknet (puçrrat) janë një sëmundje e gjëndrave pilosebace (të yndyrës dhe qimeve), e cila është më e shpeshtë dhe intense në zonat ku gjëndrat e yndyrës janë më të mëdha dhe më të shumta në numër. Aknet fillojnë në individë të predispozuar për prodhim të shtuar yndyre. Bakteri shkatar shumohet në yndyrë, duke krijuar komedonet(puçrrat e mbyllura),dhe ato të inflamuara(puçrrat që infektohen).
Vetë prodhimi i yndyrës është faktori patogjenetik në akne, prandaj dhe pjesa më e madhe e pacientëve me akne kanë nivel më të larta të sebumit se individët pa probleme me lëkurën. Hormonet janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm që nxisin sekretimin e yndyrës.
A ka një domethënie të caktuar pozicioni ku dalin aknet? A është ky një tregues për shkaktarin e tyre?
Aknet në ball – Përgjithësisht shkaktar për to mund të jenë produktet e rënda, kryesisht me bazë vajore që përdoren për flokët(balsami, xheli etj) të cilat mund të bllokojnë poret në këtë zonë. Në disa persona të cilët mbajnë gjithë kohën kapele, aknet mund të vijnë dhe si pasojë e materialeve të tyre. Stresi dhe ushqyerja mund të jenë faktorë të tjerë që ndikojnë në aknet e kësaj zone. Balli lidhet ngushtë me sistemin e tretjes, kështu që reduktimi i yndyrnave dhe karbohidrateve në dietën tuaj mund të përmirësojnë aknet e kësaj zone.
Aknet në hundë – Kjo zonë ka tendencën të ketë pore të zmadhuara, për këtë arsye kërkoni që make up-i që ju përdorni të mos përmbajë sustanca vajore dhe të jetë jocomedogjenik (non-comedogenik, të mos bllokojë poret). Gjithashtu nga studimet është parë që kjo zonë acarohet në rastin e teprimit me ushqimet pikante dhe mishin.
Aknet midis vetullave – Në këtë zonë aknet mund të jenë shpesh shkak i intolerancave ushqimore, ku intoleranca ndaj laktozës mund të jetë një shkaktar i mundshëm. Shpeshherë kjo zonë mund të acarohet dhe nga depilimi me dyll, prandaj është i rëndësishëm përdorimi para dhe pas këtij procesi i locioneve me përmbajtje acidi salicilik ose përmbajtje antibiotiku.
Aknet në faqe – Aknet mund të vijnë nga papastertitë dhe përdorimi i make up-it jo të përshtatshëm për lekurën, përdorimi i blush-it për faqet, apo papastërtitë që ndodhen në telefonat celularë. Në këtë zonë një rëndësi ka edhe ndikimi i sistemit respirator, kryesisht tek duhanpirësit.
Aknet në mjekër – Këto akne janë shpeshherë pasojë e çrregullimeve hormonale, të cilat reagojnë mirë ndaj kontraceptivëve apo spironolaktonit.
Akne është një patologji kronike, që realisht kërkon vëmendjen e duhur, kohën e duhur për t’u mjekuar siç duhet, si dhe etapat e mirëmbajtjes në proçesin e shërimit.
Është shumë i rëndësishëm konsultimi me mjekun dermatolog, dhe ndjekja e udhëzimeve për terapitë anti-akne sidomos kohëzgjatjen e mjekimit dhe mënyrën e përdorimit të tij. Mjeku përcakton shkakun e aknes, në disa raste (por jo gjithnjë) është e nevojshme kryerja e disa analizave nga të cilat mund të gjykohet nga se vijnë aknet. Pas një anamneze të mirë, që nga produktet që përdor pacienti, rutina e tij, aktiviteti fizik me të cilin merret, faktorët stresantë, ushqyerja, produktet e përdorura më parë ose aktualisht, shikohet natyra e lezioneve të aknes (komedone të hapura, të mbyllura, keloide, akne të infektuara, shenja post akne etj).
Pasi është bërë ekzaminimi i hollësishëm kalohet në vendosjen e protokollit të mjekimit, i cili është individual për çdo person, ku mund të përdoren larësit me acid salicilik, glikolik, acid azelaik, mjekimi lokal (kremëra apo formë xheli) i darkës apo i mëngjesit, mjekim nga goja nëse mjeku e shikon të arsyeshme. Mjekimi nga goja mund të jetë me kontraceptivë oralë, antibiotikë apo retinoide. Pacienti duhet të jetë shumë i kujdesshëm të mirëinformohet për mënyrën e përdorimit, efektet anësore, kohëzgjatjen e mjekimit, dhe kur fillojnë të shihen rezultatet e para.
Një mjekim i mirë për aknet pritet të japi ndryshimet e para 2-3 muaj pas fillimit të tij, e më pas kalohet në mjekimin mbajtës e vendosur kjo nga mjeku juaj.
Trajtimi i aknes në shtatzëni…
Shkaku më i shpeshtë i akneve gjatë shtatëzënisë është rritja e nivelit të hormoneve në tremujorin e parë të shtatzënisë. Gjatë shtatzënisë mund të përdoren produktet lokale që përmbajnë erythromicin apo acid azelaik. Gjithashtu i sigurt në shtatzëni është edhe përdorimi i benzoyl peroxide 5% apo acidi glikolik. Duhet ditur se shumse shumë produkte nuk janë studiuar në shtatzëni, kështu që duhet të këshillohen me mjekun përkatës për çdo produkt të përdorur gjatë kësaj kohe.
A këshillohet ekspozimi në diell për personat që kanë akne?
Ekspozimi i zgjatur në diell është mirë të evitohet në personat me akne. Është parë që kjo rrit prodhimin e yndyrës dhe acaron aknet. Mjekimi që marrin personat me akne e bën lëkurën shumë të ndjeshme në diell, prandaj është e rëndësishme vendosja e kremit me faktor mbrojtës, por duhet bërë kujdes në zgjedhjen e tij (oil free, non comedogenic).
A është e vërtetë që soda e bukës ndihmon me aknet?
Soda e bukës mund të veprojë dhe si bazë dhe si acid, si e tillë ndihmon të neutralizojë çdo çrregullim ph në lëkurë. Soda e bukës ka tendencën të thajë lëkurën, ka gjithashtu veti anti inflamatore dhe antiseptike kështu që ndihmon në përtharjen e puçrrave.
Duhet bërë kujdes me përdorimin e saj tek personat me lëkurë të ndjeshme, pasi soda e bukës mund të shkaktojë skuqje dhe irritim në këta persona.
Niveli i sheqernave dhe yndyrnave ndikon në shfaqjen e akneve?
Ushqimet me indeks glicemik të lartë si buka, paninet, bagetat, crackers-at, ëmbëlsirat, patatinat etj rrisin nivelet e glukozës në gjak, shkaktojnë ndryshime hormonale që çojnë në akne. Rritja e nivelit të glukozës në gjak çon në prodhimin e insulinës, e cila ndikon në hormonet që shkaktojnë rritje të yndyrës. Kështu që është mirë për personat me akne të përdorin dieta me indeks glicemik të ulët që përfshijnë frutat dhe perimet, ushqimet e kontrolluara me përbajtje më të lartë zarzavatesh.
Kontakti me veglat në palestër shkakton akne?
Aknet në palestër vijnë nga djersitja e tepërt e cila bllokon poret, përdorimi i makeup-it acaron gjithashtu aknet, ndaj është e këshillueshme të lahet fytyra përpara dhe pasi ushtrohemi në palestër.
Cilët janë përbërësit që nuk duhet të jenë të pranishëm në produktet që përdorim kur kemi akne?
Ka disa produkte të cilat përkeqësojnë aknen, që shpesh neglizhohen nga pacientet duke dashur të përdorin ”produkte dhe vajra natyrale”, të tilla si vaji apo gjalpi i kokosit, flax seed oil, vaji i palmës, sodium luryl sulfate, gjalpi i kakaos, ekstraktet e algave etj. Këto produkte kanë tendencën të bllokojnë poret duke agravuar situatën, ndaj duhet shumë kujdes në përzgjedhjen e kremit hidratues, kremit të diellit, make up-it apo çdo produkti tjetër që përdorni në rutinën tuaj të përditshme.
A ndihmon pasta e dhëmbëve tek personat me akne?
Pasta e dhëmbeve ka tendencën të acarojë aknet, situatë e njohur kjo si ”akne cosmetica”, ose akne që shkaktohet nga produktet vetjake të higjienës së përditshme apo make up-it. Pasta e dhëmbëve në disa raste përmban SLS (sodium lauryl sulfate), një produkt kimik që i përzier me ujin bën shkumë për të hequr grason nga makineritë e rënda, por gjithashtu ky përbërës i shtohet pastës së dhëmbëve për të hequr pjesët e ushqimit nga to. Ky produkt është nxitës i akneve.
Kurimi i akneve në shtëpi, çfarë këshilloni?
E mira është që kurimi i akneve të bëhet me produkte e medikamente enkas për këtë problem, pasi shpeshherë duke dashur të përdoren gjëra sa më ”natyrale” mund të përkeqësojnë aknen. Ka disa produkte të cilat mund të përdoren në kushtet e shtëpisë, por gjithnjë në masën e duhur si Psh: uthulla e mollës, maskat me mjaltë dhe kanellë, vaji i pemës së çajit (tea tree oil, çaji jeshil, aloe vera si dhe suplementet me zink dhe omega 3 – vaji i peshkut).
Personat me lekurë të yndyrshme ankohen shpesh se qëndrimi në ambiente ku temperatura rritet shumë, nga kondicioneri apo sisteme të tjera të ngrohjes nxit aknet, është e vërtetë?
Është e vërtetë pasi temperaturat e larta nxisin sekretimin e yndyrës çka çon në bllokimin e poreve dhe për rrjedhojë edhe formimin e akneve, prandaj është mirë të shmangen nga personat që vuajnë me këto probleme.