Një shpirt i lirë që ka shkelur si topmodel çdo cep të planetit dhe ka provuar femrat e çdo race. Dhe nuk është aspak i penduar. Sot modeli tropojan, Alessio Alia, thotë se ka mbyllur ciklin e aventuarave, për të shijuar në maksiumim stabilitetin e familjes me australianen Katherine, si dhe statusin e babait me vajzën e tyre, Jolie Rose Alia.
Pas 20 vitesh karrierë ndërkombëtare dhe jetën aktuale si menaxheri i këngëtarëve të famshëm, Alessio rrëfehet për “Panoramën” si kurrë më parë për ndodhitë e së shkuarës dhe bekimin e familjes së lumtur mes Shqipërisë dhe Australisë, anën plot shkëlqim të jetës si VIP dhe atë të errët…
Për faktin se dukesh i pamoshë, askush s’të pyet për vitet. Por a mund mund të na e zbulosh meqë koha ikën dhe për ty?
21 sapo i bëra këtë verë, shtoni dhe 20. (qesh)
Thuhet që kjo është mosha e krizës për meshkujt. Për ty?
Jo, kjo teori mendoj se është për budallenjtë. Nëse je i shëndetshëm mendërisht, nuk të shqetëson aspak mosha. Çfarë kam bërë deri tani e kam bërë me qejf, dhe këto vite që do të vijnë do t’i bëj edhe më të bukura. Për mua ç’do dekadë e jetës ka shijen e vet speciale.
Në një nga statuset e fundit theksoje se nuk ka si familja. A mund të na e argumentosh se çfarë ke mësuar nga gjithë kjo eksperiencë jete tani që je bërë baba?
Çdo gjë që e krijon vetë ka shije të bukur. Por familja që krijon vetë, nuk paska shije më të ëmbël që mund të krahasohet. Familja është gjë e madhe për çdo person, është diçka që nuk ka fund. E shohim edhe në fjalët anglisht friend (mbyllet me end), ndërsa familja nuk ka e fare(fund) në fund, pra nuk mbaron asnjëherë. Është diçka që nuk e shpjegon dot me fjalë, e sheh çdo ditë e çdo moment që kalon koha e më shumë e shijon.
Je takuar me familjen e së fejuarës Katherine, si i keni relatat si dhëndri shqiptar i një familjeje australiane me origjinë finlandeze?
Po, jemi shumë të lidhur. Mami i partneres Katherine jeton pothuaj me ne, kemi një shtëpi me gjashtë dhoma në Australi, dhe ajo ka hyrjen e saj. Kjo pasi i duhet të kujdeset për vajzën tonë, ngaqë unë jam gjithë kohës me udhëtime, dhe shpesh Katherine mbetet vetëm. Janë familje e kulturuar, njerëz të qetë, që do të thotë se më përshtaten, pasi edhe unë jam tip i qetë.
Ka momente që hyjnë në punët tuaja si çift?
Nuk rastis, sepse që në fillim unë nuk jam përzier me punët e tyre, kështu që partnerja ime çdo gjë që ka me mamin apo motrat e saj u jep vetë rrugëzgjidhje. E njëjta gjë ndodh edhe me familjen time.
Të gjithë mendonin se ti pëlqen modelet e këngëtaret, por si përfundim zgjodhe një terapiste bukurie për partnere jete… Pse?
Asnjëherë nuk e kam thënë që pëlqej modelet apo këngëtaret, por ama nuk i kam as inat. Vajza që kam zgjedhur s’është as modele, as këngëtare, pra terapiste bukurie, siç thatë ju. Ka paraqitjen e modeles, por s’ka bërë asnjëherë modelen, vetëm kur ka pozuar për qejf. Dhe ndaj më pëlqen, sepse duket si e tillë, por s’është.
Nëse do të flisnim për lëndim, çfarë do të të lëndonte në dashurinë mes jush?
Më lëndojnë shumë gjëra, por kryesorja gënjeshtra. Gënjeshtra është gjëja që shkatërron çdo relacion. Por në një lidhje si e jona ka respekt dhe dashuri, kështu që nuk ekzistojnë gënjeshtrat.
Të ka ndryshuar familja, ndodh që të thonë se s’je më ai i pari?
Jo, pasi filozofia ime është që për të mbajtur një lidhje gjatë, duhet jesh gjithnjë i drejtpërdrejtë dhe i njëjti që ke qenë. Unë nuk kam pse të ndryshoj!
Nëse do të kishe takuar femrën e duhur para 10 vitesh, do të kishe guxuar të krijoje familje atëherë?
Më ka ardhur jo një femër, por shumë të mira atëherë. Zakonisht puna e vajzave është që, siç të vijnë nga duart, po nga duart të ikin. Kam kaluar histori që mund të kishin qenë shumë të mira për mua, por për shkak se kam qenë në qendër të vëmendjes, i kam neglizhuar. Por edhe për mospërputhje në tip, nuk kemi mundur të ecnim më tutje. Gjithsesi, ma merr mendja se po ta kisha krijuar familjen në moshën 30-vjeçare, kur isha në boom-in e karrierës dhe suksesit, nuk do të kishte zgjatur shumë. Nuk e vë dot bastin se çfarë vendimi do të kisha marrë atëherë, por një gjë është e sigurt, se fëmija në çdo kohë që vjen të tërheq pas vetes, pasi ka ëmbëlsi shumë të madhe….
Je i dashuruar kokë e këmbë me mamin e vajzës suaj?
Nuk besoj te dashuria me shikim të parë. Te Katherine gjeta diçka që e kërkoja prej kohësh, edhe pse nuk flasim të njëjtën gjuhë.
Alija: Kam pirë drogë dhe alkool, por nuk kam abuzuar
I beson fatit të shkruar, apo fatin e jetës e bëjmë vetë?
Jo, nuk i besoj. Për mua nuk është se janë gjërat të shkruara, pasi gjithçka e bëjmë vetë. Ne çdo kapitull jete e shkruajmë vetë, njësoj si gabimet, që disa prej tyre nuk mund të fshihen nga jeta, e të tjerat po.
I ke provuar të gjitha racat e femrave në jetë, i lumtur apo i penduar?
Femrat i kam provuar pothuaj të gjitha racat dhe nuk jam penduar aspak, sepse femrën e ka krijuar Zoti, seksin e ka krijuar Zoti dhe unë e shfrytëzova aq sa kisha mundësi.
I konsideron rrëshqitje të momentit, apo si pjesë e bukur e jetës?
Janë pjesë e jetës. Na ndodh që gjithmonë të bëjmë gjëra të mira në jetë, por edhe të këqija. (Në rastin tim gjithmonë pa vetëdije). (qesh)
Tradhtia ekziston në konceptin tënd për bashkëjetesën apo martesën?
Çdo mashkull në planet (vetëm kush gënjen), pra 98 për qind e tyre, tradhtojnë. Mund të jetë një 2-3 për qind që nuk tradhton. Ndërsa femrat më pak se meshkujt, por edhe ato e kapin 80 për qindshin. Unë jam kundër atyre që thonë se kur jam me një, s’shoh dikë tjetër. Ai që tradhton me mendje, tradhton me trup në momentin që partneri apo partnerja nuk e sheh. E them këtë nga eksperinca e jetës sime.
Ke mëkatuar ndonjeherë me vajza dhe çfarë është mëkat në dashuri?
Të bësh mëkat me një vajzë është kur nuk e mendon atë moment si partnere serioze, sepse kur je në qendër vëmendjes, të duket vetja sikur do të kesh pa fund të tjera. Por pas shumë viteve ti e ndjen se ajo vajzë ia vlente t’i kishe dhënë më shumë vëmendje, dhe e ke trajtuar aq keq sa nuk i ke dhënë respektin e duhur. Shkurt, kur ti nuk ke qejf të ta bëjnë dick, s’duhet t’ia bësh as dikujt. Ky është mëkat i pastër. Thonë që ka falje, por nuk e di, rëndësi ka që e kupton në vetvete dhe e di kur ke gabuar.
Sa i takon pasurisë që ke vendosur apo menaxhimit të parave, a ka ndonjë anë të errët jeta jote?
Sa të duash! Dua të theksoj që nuk është jeta e vërtetë ajo që shohim në ekran apo Instragram. Ekziston gjithmonë një anë e errët te njerëzit që duken të zhytur në luks apo lumturi. Ne që jetojmë jashtë vendit, përballemi me vështirësi e sforco për mbijetesë, pasi nuk e kemi aq të thjeshtë jetën atje sa duket. Biznesi ka ulje-ngritjet e veta dhe shpesh të duhet t’ia nisësh nga zeroja. Jeta nuk është vaj çdo ditë, sot është diell, nesër mund të jetë ditë shiu…
Ke abuzuar në jetë, për shembull me drogë, alkool etj?
Abuzuar jo, provuar po. Nuk kam karakter të tillë që të abuzoj me gjërat. Kam pirë alkool, drogë, sepse ky është stili i jetës që bëhet në botën e muzikës, pjesë e së cilës unë jam si menaxher i të famshëve ndërkombëtarë. Ata që abuzojnë, konsiderohen shtresë e ulët e jetës, nuk kanë të bëjnë me ata që e bëjnë për qejf.
Të ka ndodhur të jesh refuzuar?
Po patjetër, refuzimi është reciprok. Më kanë refuzuar dhe kam refuzuar.