Për Ardi Asllanin stilimi ka qenë pjesë e tij që në moshën 7 vjeçare, një fëmijë që stilonte pa e ditur se ajo që bënte quhej stilim. Nuk dinte as çfarë ishtë moda, proporcionet, dizenjot.
I lindur në Tiranë, mbaron gjimnazin për ekonomik. Por edhe nëse ti nuk shkon te fati, fati do të vijë tek ti. Dëshira për të qenë pjesë e modës e çon në Itali ku studion për stilist. E deshi dhe u bë. Sot, Ardi Asllani është njëri prej emrave shqiptarë më të njohur të modës. Është pikë referimi.
Nuk mund të flasësh për stilin, modën, veshjen, të bukurën dhe të mos e përmendesh. Edhe pse ai rri larg borive të showbizit, është biznesi i modës që nuk i rri larg atij. Sepse vendet janë përcaktuar dhe ai është në rresht të parë.
Në një punë prej dy dekadash, Ardi ka dizenjuar veshjet e shumë artistëve në emisione, videoklipe, filma dhe teatër.
Në këtë intervistë për dritare.net, Ardi na jep këndvështrimin e tij profesionist për modën, duke na treguar punën që duhet për të arritur ëndrrat, sado që ato për disa mbesin ëndrra, për të tjera realizohen.
Çfarë është në modë në këto momente, ka risi nga çka kemi parë deri tani në pasarela?
Është shumë interesante pasi shitjet në tregun botëror kanë rënë për shkak të krizës së kaluar. Në këtë mënyrë stilistët ndërkombëtarë të modës nuk janë detyrimisht të kanalizuar në një trend të vetëm, që do të thotë se ka disa shumëllojshmëri. Kjo do të thotë se kur klienti shkon në një dyqan, ai ka mundësi të dalë patjetër me një veshje. Për shembull, ti nuk mund të thuash sot që minifundi nuk është në modë, siç nuk mund të thuash për maksifundin apo që fundi deri tek gjuri është jashtë mode. Ne flasim për tre gjatësi që janë ekstreme të njëra-tjetrës, por të gjitha i gjejmë nëpër dyqane. Stilistët janë treguar shumë mendjemprehtë në drejtim të kësaj, për të vetmen arsye; që të kenë mundësi t’i shesin. Pa diskutim që moda është biznes.
Çfarë të frymëzon dhe cilat janë elementët që bazohesh kur një klient kërkon një veshje?
Më frymëzon një laps dhe një letër e bardhë. Këto janë elementët që më duhen për të krijuar. Ndërkohë, tek klientët fillimisht shoh trupin, por edhe destinacionit ku do ta veshë. Mundohem ta respektoj deri diku shijen e saj. Është shumë interesante kur gjej gjuhën e bashkëpunimit, edhe pse nuk ndodh shumë shpesh, por kur ndodh ka rezultat shumë të mirë.
Po kur nuk gjendet gjuha e bashkëpunimit si reagon?
Unë jam shumë i sertë, shumë personazheve edhe VIP-ave i kam treguar derën e ateliesë sepse kur shkon tek dentisti për të kuruar dhëmbët ti nuk e di çka po bën dentisti, por e beson. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me stilistët.
Ardi punon për të gjithë apo është përzgjedhës me klientët?
Pa diskutim që nuk punoj për të gjithë sepse koha nuk më mjafton për këtë gjë. Do doja shumë që Shqipëria të funksiononte siç veprohet në tregun ndërkombëtar, që dhe stilistët shqiptar të kishin mundësi të krijonin koleksionet e tyre, por kjo është e pamundur dhe kjo nuk të çon dot tek të gjithë. Nëse do kishim punuar si treg rajonal, duke mos u shtrirë në Itali, pasi ata kanë modën e tyre, por në qoftë se do kishim punuar me Maqedoninë, Kosovën, Serbinë apo Bosnje-Hercegovinën, tregu do ishte më i gjerë e kështu koleksionet e stilistëve do kishin gjetur vend. Në Shqipëri mbetemi gjithmonë në formën e veshjes me porosi.
E ke më të lehtë të punosh me persona të famshëm apo njerëz të thjeshtë?
E kam më të lehtë të punoj me njerëz të njohur sepse në koncept ato tashmë më njohin dhe e kanë krijuar atë lloj konfidencialiteti e pranueshmërie ndaj ideve të mia, prandaj janë më komodë.
Po raportin e shqiptarëve me modën, si e sheh?
Shqiptarët kanë një dëshirë të jashtëzakonshme për tu veshur, por herë pas here i sheh të gabojnë. Ne kemi pasur një bllokim prej 50 vitesh gjatë kohës së diktaturës, ku femrat ishin kthyer në manekinë të shëmtuar të diktaturës. Ato ishin standardizuar në veshje, kishin një lloj veshjeje dhe atë veshje e përdornin gjithmonë, pa linja e pa forma. Kjo bëri që edhe në ditët e sotme ne të kemi një shpërthim e dëshirë të jashtëzakonshme për tu veshur, por brenda kësaj dëshire ne gabojmë sepse kërkojmë të veshim çdo gjë, pa bërë dallime të periudhës së ditës apo mënyrës sesi rri veshja.
Si do e përshkruaje stilin tënd?
Unë vij nga shkolla italiane prandaj jam shumë klasik. Sado që të dua të bëhem ekstavagant, qoftë edhe në përditshmërinë time, në mënyrën e të veshurit, unë kam një frymë klasike. Gjithmonë e thyej me diçka klasike. Dhe kur ulem të dizenjoj nuk shkoj kurrë drejt gjërave shumë ekstravagante, i kam pak problem këto gjëra.
Cilat kanë qenë vështirësitë që ke kaluar dhe si është të jesh stilist në Shqipëri?
Pikë së pari, në Shqipëri ky nuk është cilësuar kurrë si një zanat për burra, edhe pse tani është plot me burra. Në vitet që unë kam nisur, modelistët e famshëm kryesisht ishin të ndarë, kush qepte për gra ishte grua e kush për burra ishte burrë. Fatmirësisht kohët ndryshuan, më pëlqen që kam qenë një ndër të parët që e kam thyer këtë tabu. Sfida të tjera më pas janë përditshmëria, përballja me njerëz të ndryshëm. Ka një problem me njerëzit që kur shkojnë te stilisti apo parukieri kanë tendencën të bëjnë ekspertin e fushës.
Nëse do të zgjidhje një person për t’i bërë një makeover, cili do të ishte?
Të gjitha këngëtareve që dalin të zhveshura pa kuptim në videoklipe. Do i bëja një total makeover sepse kanë shumë probleme. Vërtet seksi shet, por të mos përcillet vulgaritet.
Përse kur shohim videoklipe të këngëtareve të huaja nuk na bën shumë përshtypje zhveshja e tyre, por tek këngëtaret tona shpesh konsiderohet banalitet?
Ndërkombëtaret punojnë me stilistë e ia besojnë imazhin e tyre profesionistëve, ata e dinë se si ta menaxhojnë. Çelësi ndërmjet vulgaritetit dhe të qenit joshëse, e këndshme për syrin, është shumë i vogël. Kur një veshje është shumë e dekoruar apo ashumë e zhveshur unë e kuptoj në skicë. Kur ti e krijon veshjen në trupin e një personazhi detyrimisht që mund të gabosh sepse aty të merr rrjedha.
Duhet të jesh In apo komod?
Më mirë ‘komod in’. Do të thotë që brenda vetes të mundohesh ta përshtatësh veshjen me format e veta e mos ta marrësh shabllon dhe këtu hyn nevoja e profesionistit. Pasi nëse e merr shabllon ajo normalisht nuk bën.
Nëse do të jepej mundësia të udhëtoje në kohë, në cilën periudhë të modës do të shkoje?
Në shpërthim. Në Gatsby-n e famshëm. Mendoj që aty do kisha fjetur shumë i qetë në darkë dhe i kënaqur shumë me punën time pasi vitet e Gatsby-t janë vitet e çlirimit të femrës, u krijuan veshje të cilat kishin një sensualitet, por që ishin pak të rrëmujshme për gratë. Ishin vitet kur femrat hipën për herë të parë nëpër makina, kërkonin lirshmëri, kërkonin një formë të të prezantuarit shumë më ndryshe. Dhe sigurisht në vitet e arta të modës 1970.
Cila ka qenë këshilla më e vlefshme që të kanë dhënë dhe çfarë këshille do jepje ti tani?
Këshilla që më ka shoqëruar gjithmonë ka qenë respektimi i siluetës femërore. Nëse e bën këtë gjë, pa diskutim që do të jesh fitues. Nëse ti i shkon linjave duke i respektuar ato, krijon një veshje në formën e për trupin e duhur, atëherë ajo veshje në asnjë mënyrë nuk do të jetë një zhgënjim.
Unë dua tu them vajzave që gjërat e mira që kanë në gardërobë, por që vërtetë i cilësojnë të vlefshme, t’i ruajnë sepse në harkun kohor të disa viteve, në mos për to, për fëmijët e tyre do të rikthehen e do të jenë pa diskutim veshje In./dritare.net/