Një mur i kapërcyer dhe një reality që për pak minuta u kthye në dramë të vërtetë. Kristi u bë protagonisti i një prej momenteve më të forta të këtij edicioni, kur pas një situate të tensionuar brenda shtëpisë vendosi të largohej në mënyrën më ekstreme të mundshme. Ai u ngjit mbi murin rrethues duke dalë nga ambientet e formatit, një akt që u lexua menjëherë si “arratisje”.
Ngjarja erdhi pas një serie tensionesh, përfshirë edhe konfliktin me Rogertin, të cilin e lagu me ujë gjatë një debati që degjeneroi shpejt. Edhe me Mirin kishte patur diskutime me tone të ndezura gjithashtu! Atmosfera u rëndua, zërat u ngritën, dhe më vonë Kristi zgjodhi veprimin që tronditi jo vetëm banorët, por edhe publikun. Pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur, ai vijoi drejt murit, duke e kthyer episodin në një nga momentet më të diskutueshme të sezonit.
Rrjetet sociale shpërthyen me komente dhe krahasime të menjëhershme. Shumë ndjekës e quajtën situatën një “déjà vu”, duke rikthyer në kujtesë episodin e vitit të kaluar, kur Gjesti ndërmori një veprim të ngjashëm.
Në një spektakël ku çdo hap është i survejuar dhe çdo dalje kalon përmes rregullave të qarta, kapërcimi i murit mbetet një akt simbolik rebelimi. Tani mbetet për t’u parë si do ta trajtojë produksioni këtë episod dhe nëse “arratisja” e Kristit do të jetë fundi i rrugëtimit të tij, apo pika e kthesës që do të riformatojë lojën e këngëtarit tani e tutje në shtëpi.








