“Mad Max: Fury Road” është një nga filmat më të suksesshëm në histori pasi është nomiuar 10 herë për çmimin “Oscar” dhe ka fituar 375 milionë dollarë në mbarë botën.
Por ka një anë të errët në historinë e tij të prapaskenave që së fundmi ka bërë xhiron e botës.
Charlize Theron dhe Tom Hardy, të dy protagonistë dhe shumë të përfolur për rolet përkatëse, kanë deklaruar se marrëdhënia mes tyre ka qenë ca e komplikuar. Në librin “Blood, Sweat and Chrome: The Wild and True Story of Mad Max: Fury Road” nga Kyle Buchanan, shkruhet se Theron ndihej e kërcënuar nga Hardy, aq shumë saqë kërkoi mbrojtje në sheshxhirim. Më pas, ajo ka akuzuar një nga producentët e filmit, duke thënë se ai fali sjelljen e keqe të aktorit, vetëm sepse ishte burrë. Në libër shkruhet se Tom i është drejtuar koleges së tij në mënyrë agresive dhe kjo e bëri atë të ndihej e kërcënuar, madje kërkoi dikë që ta shoqëronte për ta mbrojtur gjithë kohës.
Tom Hardy, nga ana tjetër ka pranuar se mund ta kishte menaxhuar më mirë situatën asokohe. “Unë isha në një gjendje shumë të vështirë për t’u kuptuar nga të tjerët. Kishim shumë presion të dy dhe ndoshta asaj i duhej një partner më i mirë”, ka deklaruar ai.
Hardy është akuzuar edhe më herët për sjellje problematike. Theron dhe anëtarë të tjerë të ekipit pretendojnë se ai ka pasur vonesa të vazhdueshme dhe i bënte kolegët të prisnin me orë të tëra në sheshxhirim.
Sepse ndonjëherë (ose shpesh) pas pamjes seksi dhe të adhurueshme të yjeve të ekranit, fshihen sjellje problematike, karaktere të vështirë dhe marrëdhënie delikate./revistawho.com







