Në një intervistë ekskluzive për revistën “Who”, drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci. Rrugëtimi 365-ditor i Tiranës në “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, ishte sfidë, angazhim, punë, pasion, ishte trashëgimi që do të vijojë ndër vite.
Kongresi Rinor Kombëtar ka plotësuar dekadën e parë dhe këtë vit nis një tjetër, çfarë ka
ndodhur në këto 10 vjet, si ka evoluar?
10 vite më parë, përballë sfidave të atyre kohëve, nuk do e kisha imagjinuar rritjen e Kongresit Rinor
Kombëtar kaq të shëndetshme dhe me themele të forta. Kemi lënë pas 10 vite tashmë, falë punës së
madhe dhe të vazhdueshme të bërë nga të gjitha organizatat anëtare, sekretariati dhe partnerët.
Kemi kaluar shumë sfida për të arritur këtu ku jemi sot. Përmes rrjetit dhe punës të dedikuar shoqëruar
me ambicie dhe shpresë, ne kemi synuar të krijojmë një platformë rinore që përfaqëson zërin e të rinjve
shqiptarë, përmes ndërrmarjes së veprimeve të përbashkëta dhe konkrete të cilat ndikojnë më pas edhe
në proçeset politikëbërëse dhe vendimmarrëse në vend. Në fund të kësaj dekade, them me plot bindjen
se ja kemi dalë. Teksa bëhemi gati për një tjetër kapitull, kemi shumë mësime dhe reflektime të nxjerra
nga ky rrugëtim 10-vjeçar dedikuar tërësisht të rinjve.
Kur bëhet një restrospektivë shohim qartë atë që u bë, atë që po bëhet dhe atë që pritet të
bëhet, a është ky një trinom i qartë për KRK-në?
Përgjatë rrugëtimit tonë të gjatë, jemi përpjekur gjithmonë së bashku me partnerët tanë por edhe
organizatat anëtare të rrjetit tonë, ku numërojmë mbi 100 entitete rinore, të ndikojmë te rinia
shqiptare dhe të nxjerrim nga ata potencialin më të mirë që kanë jo vetëm si një aset i tyre personal por
edhe si dicka që shënjon edhe komunitetin që ata përfaqësojnë. Nëse kthej kokën pas, krenohem me
rritjen dhe ecurinë e KRK-së. Si disa prej arritjeve më të mëdha të Kongresit Rinor Kombëtar, mes shumë
përpjekesh dhe iniciativash të ndërmarra me sukses në veprimtari të ndryshme rinore, do të listoja vitin
që lamë pas ku implementuam titullin e fituar me shumë merita që ishte “Tirana Kryeqyteti Evropian i
Rinisë, 2022” por edhe anëtarësimin në Forumin Rinor Evropian, duke e bërë kështu që për herë të parë
një rrjet rinor shqiptar përfaqësohet në këtë ombrellë evropiane të organizatve rinore, në nivel
ndërkombëtar. Edhe ky vit i cili sapo ka nisur, e vendos Kongresin Rinor Kombëtar para sfidave e përgjegjësive të reja, të cilat do të zbulohen në vijim.
Të rinjtë janë pasqyrë e qartë e shoqërisë, si e keni parë ju këtë ndër vite, si kanë ndryshuar
objektivat, puna, dëshira për të bërë gjëra të reja dhe të dobishme për veten, natyrisht dhe
për komunitetin?
Investimi në kapitalin rinor është faktor i rëndësishëm për të garantuar suksesin dhe zhvillimin e të
rinjve të vendit tonë. Sigurisht që për të arritur këtu ku jemi sot, është dashur një punë shumë e madhe
dhe gjithashtu një bashkëpunim edhe me aktorët kryesorë në fushën e rinisë në vendin tonë si në nivel
lokal dhe në atë qendror, por edhe në komunitetin e medias dhe biznesit. Jemi përpjekur e munduar të
udhëheqim ndryshime pozitive e me qëllime afatgjata, duke kërkuar vazhdimisht mundësi për
gjithëpërfshirje e vendimmarrje në strukturat më të larta të politikëbërjes, si një mënyrë për të
përmirësuar edhe më tej jetën e të rinjve tanë jo vetëm në nivel kombëtar por dhe Evropian.
A ka rregulla të shkruara të pandryshuara që qëndrojnë aty të varura në mur, apo është një
lloj metamorfoze përgjatë viteve, dhe gjërat ndryshojnë me kohën, me brezat me dinamikat
që ndodhin dhe shpesh janë të papritura?
Them se nuk ka një recetë apo formulë fikse. Brezat rriten me dinamika të ndryshme, shpeshherë dhe të
paparashikuara apo të shkaktuara nga faktorë të jashtëm që definojnë rrethanat sociale, politike, dhe
ekonomike në të cilat ndodhemi. Por ndërsa gjërat ndryshojnë me kohën dhe të gjithë mundohemi të
jemi pjesë e ndryshimeve dhe ritmit, të jesh i qartë dhe i bindur në parimet e tua shërben si një rregull i
artë dhe një tregues se progresi arrihet me konsistencë.
Vit pas viti angazhimet ndryshojnë, ndoshta edhe përparësitë, a është ky një ndryshim një anë
pozitive për aktivitetet e të rinjve, ata mësojnë dhe zhvillojnë veten kësisoj?
Sigurisht që mundësitë e ofruara vit pas viti kanë ardhur duke u shtuar në fushën e rinisë e nëse më
herët ato kanë qenë të pakta, tashmë jemi në një fazë ku, falë edhe avancimit të proçesit të integrimit të
Shqipërisë në BE, të rinjtë shqiptarë kanë në dorë të pozicionojnë veten dhe komunitetin e tyre si
agjentë të transformimit social e politik në vend. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë në këtë aspekt,
lidhur me fuqizimin dhe krijimin e hapësirave që angazhojnë dhe përfaqësojnë të rinjtë. Teksa rritjet
teknologjike dhe krizat ekonomike shoqërojnë vitet e fundit, të gjithë duhet të ecim me një hap më
ritmik që i përshtatet nevojave dhe interesave të të rinjve.
Ajo çfarë mund të them me plot bindje është se falë angazhimit të KRK me të rinjtë në nivel lokal e
kombëtar jemi dëshmitarë të potencialit dhe fuqisë që të rinjtë kanë si aktorë të rëndësishëm të
zhvillimit dhe përmirësimit të komuniteteve ku jetojnë e punojnë.
Viti 2022 ishte “Viti me Yll” ta quajmë kështu për Tiranën që u shpall “Kryeqyteti Evropian i
Rinisë”, si erdhi ky çmim dhe ky angazhim që dukshëm që prej fillimit dihej se do të ishte
shumë i madh?
Rrugëtimi ka qenë vërtet sfidues dhe i vështirë por njëkohësisht motivues, ambicioz dhe i paharrueshëm
për të gjithë aktorët e përfshirë. Është hera e parë që Shqipëria u bë pjesë e këtij rrugëtimi dhe me
gjithë vështirësitë e njohjes së proçesit dhe dinamikave, sfida qëndronte te puna cilësore në aplikim, si
dhe garantimi i mbështetjes nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, institucionet vendore dhe
qendrore, si dhe prezenca ndërkombëtare aktive në Shqipëri. Një seri konsultimesh dhe pune e
përbashkët vijuan derisa arritëm që me sukses të manifestonim marrjen e çmimit në nëntor të vitit 2019, pas
2 vitesh punë dhe dedikim.
Dy vitet që pasuan ishin të mbushura me sfida, nisur nga tërmeti i fundit të 2019 dhe pandemia që
shoqëroi intensivisht gjithë 2020-n e më tej. Ajo që vlen të përmendet në këtë rast është që ekipi i
Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, kanë arritur të bashkërendojnë
energjitë dhe resurset për të fituar këtë titull prestigjoz, i cili u pa si një makro-program dhe një mundësi
fantastike përmes realizimit të qindra projekteve e aktiviteteve që patën për qëllim të fuqizojnë rininë
duke u ofruar atyre mundësi të reja të dimensioneve evropiane.
Çfarë i dha Tirana këtij statusi dhe ky status Tiranës?
Përgjatë një viti, Tirana u bë qendra e gjithë aktiviteteve rinore. Shumë aktivitete e projekte u realizuan
jo vetëm në kryeqytet por dhe qytete të ndryshme shtrirë në gjithë territorin e Shqipërisë përgjatë 365 ditëve të vitit që lamë pas, por gjithashtu u arrit dhe një promovim i jashtëzakonshem i Tiranës dhe
Shqipërisë, dhe shumë mundësi për të rinjtë tanë për t’u organizuar dhe lidhur me gjithë rrjetet rinore
evropiane. Rinia është ajo që mban peshën më të madhe të shoqërisë shqiptare dhe ky status ka sjellë investime
konkrete drejt kapitalit dhe potencialit human që kemi mes të rinjve.
I keni parë ndryshe të rinjtë në angazhimet e projekteve që lidheshin me “Tirana EYC 2022”,
më të zellshëm, më të frymëzuar?
Gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumtë të rinjtë që kanë pasur mundësi të shkëmbejnë eksperienca
dhe të dëshmojnë potencialin e tyre. Jam e mendimit se të gjithë të rinjtë që punuan drejtpërdrejt me
projektet dhe aktivitete e mundësuara përgjatë titullit “Tirana EYC 2022”, patën gjithashtu një impuls të
fortë për rivitalizimin e potencialit të tyre në vend, një forcim të dialogut rinor, ndër institucional dhe
ndër sektorial, si dhe dhanë një aset dhe kontribut të madh drejt rrugëtimit të gjatë të Shqipërisë drejt
BE-së. Këtu i drejtohem dhe ekipit të “Tirana EYC 2022” pranë Kongresit Rinor Kombëtar, dhe ekipit të aktivistëve
të cilët ishin ata që i dhanë formë dhe vrull gjithë implementimit të një programi tejet dinamik.
Aktivitetet kanë qenë të shumta, projektet po ashtu, a janë arritur të gjitha qëllimet që janë
vendosur që prej fillimit?
Përgjatë implementimit të makro-programit “Tirana EYC 2022”, arritëm të financojmë mbi 360 projekte
dhe prej tyre u zhvilluan më tepër se një mijë aktivitete në 8 fusha të ndryshme programatike, si
inovacioni, pjesëmarrja, kultura, eko-shëndeti, diversiteti, hapësirat publike rinore, identiteti europian,
kapacitetet rinore. Thelbi i këtij viti ka qenë energjia dhe impulsi i të rinjve, e këtë mendoj që ja kemi
dalë të nxjerrim në pah pavarësisht sfidave përgjatë rrugëtimit. Prej fillimit, disa nga qëllimet tona kanë qënë të fuqizojmë të rinjtë duke krijuar mundësi të reja, duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive, duke promovuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen dhe duke investuar në rrjetëzime, sinergji dhe bashkëpunime ndërkombëtare me fokus tek rinia.
Ndërveprimi i të rinjve shqiptarë me të rinjtë evropianë, kësaj here në kuadër të “TEYC 2022”
ka pasur benefite të qarta që do të ndërtojnë ura lidhëse edhe për vitet në vazhdim?
Hapësirat që ndërlidhin të rinjtë transformohen në hapësira që nxisin ndërveprim, gjenerojnë ide dhe
ndërtojnë ura lidhëse mes tyre. Pa dyshim që projektet dhe aktivitetet ndërkombëtare të cilat kemi
realizuar në kuadër të “Tirana EYC 2022”, por edhe vet programi “Rinia është Evropiane”, kanë rritur
ndërgjegjësimin për rëndësinë e punës së përbashkët dhe benfitetet që bashkëpunimi ndërkombëtar ka,
si edhe kanë krijuar hapësira për më shumë iniciativa dhe nisma që ne do të realizojmë dhe mbështesim
përgjatë 2023 në fusha si: bashkëpunimi ndërkulturor/rajonal, paqja dhe siguria.
A ka një situatë apo sekuencë që ju e mbani mend gjatë vitit që lamë pas, që mund t’iu ketë
impresionuar, të cilën mund ta keni menduar gjatë, apo pse jo të ketë ndryshuar edhe ndonjë
synim apo plan tuajin?
Përgjatë vitit që lamë pas ka patur momente shumë të bukura por gjithashtu edhe shumë momente të sikletshme. Momenti që mbaj mend dhe veçoj si më të bukurin për mua, ka qenë momenti kur ne kemi shpallur 360 fituesit që janë organizatat, grupet dhe individët të cilët kanë mbajtur kurorën e këtij viti.
Gjithashtu ai më i sikletshmi ka qenë kur me shpalljen e fituesve të këtij programi kanë qenë dhe mbi
600 të tjerë të cilët nuk kanë arritur të implementojnë aktivitetet e projektet e tyre pergjatë vitit Tirana
EYC 2022, por i jemi përkushtuar krijimit të bashkëpunimeve dhe urave lidhëse me të gjithë organizatat,
partnerët e të rinjtë me të cilët ndajmë vizionin për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe ku të rinjtë
janë ata që udhëheqin ndryshimin.
A jemi në kohën kur të rinjtë zhvillojnë dhe lënë gjurmë, apo zhvillohen për të lënë gjurmë më
vonë, si vjen kjo te ju që punoni me të rinjtë dhe e keni parë evolimin ndër vite?
Nocioni i krijimit të shoqërive të qëndrueshme dhe të shëndetshme nënkupton se evolimi nuk mund të
ndodhë pa fuqizimin dhe pjesëmarrjen e njerëzve, individëve dhe komuniteteve. Të rinjtë nuk mund të
zhvillohen për të lënë gjurmë në komunitetet nëse nuk kanë të drejtë për autonomi në vendimmarrje
dhe mundësi për të adresuar problematikat me të cilat përballen.
Të rinjtë duhet të njihen plotësisht si partnerë në krijimin e ndryshimeve pozitive, qofshin ato lokale,
kombëtare, rajonale apo globale. Është e rëndësishme t’u ofrojmë të rinjve mjete dhe hapësira të
sigurta në mënyrë që ata të mund të navigojnë sfidat e ndryshme për t’u zhvilluar dhe lënë gjurmë.
A mund të na rendisnit 5 gjërat që la në Tiranë statusi i “TEYC”?
Janë shumë momente që Tirana si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022 i dha jo vetëm kryeqytetit
tonë por gjithë Shqipërisë. Megjithatë, disa elementë specifikë që pikasën për të gjithë ne janë:
Pjesëmarrja aktive rinore – Bashkëpunimi ndërsektorial dhe ndërinstitucional – Skema e granteve dhe
mundësive të financimit për projekte rinore – Hapësira publike dhe inovacioni për të qenë gjithmonë e
më pranë interesave dhe nevojave të të rinjve.
Puna me të rinjtë, me aktivitetet dhe angazhimin tuaj iu merr kohë, por si organizohet një ditë
e Dafinës?
Qytetit të Tiranës i dhashë dhe i mora shumë energji përgjatë këtij viti që lamë pas, dhe shpërblimi më i
mirë personal ka qënë përmbyllja e këtij viti me sukses dhe një energji e cila vijon e nuk ndalet.
24 orë mbase nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ishte një përgjegjësi e madhe dhe një detyrë që do të
kishte qenë e pamundur të realizohej nëse nuk do të kishe në krah, ekipin më të mirë të mundshëm, të
cilin jemi siguruar ta përzgjedhim me shumë kujdes për zbatimin e titullit. Ndaj, dita ime ka qenë pranë
të rinjve, pranë ekipit, në cdo hapësirë të mundshme të cilën kemi krijuar për të rivitializuar aktivitetet
rinore.
Nisur nga përvoja juaj, a gjejmë kohë për çdo gjë, nëse qëllimet janë të mirëpërcaktuara?
Nisur nga kjo përvojë ku përditshmëria ime ka pësuar një ndryshim 360 gradë, pasi duhet thënë që i
gjithë ky program ka patur një intensitet të pa zakontë duke llogaritur të gjithë volumin e punës, takimet
dhe marëdhëniet me palët e treta në vend, rajon dhe Evropë, gjithmonë ka pasur kohë për veprim dhe
reflektim. Mes gjithë këtij angazhimi, besoj se qëllimet e mirëpërcaktuara dhe vizioni i qartë afatagjatë
janë ato themelet bazë që mund të kontribuojnë në realizimin dhe konkretizimin e cdo objektivi të
dëshiruar.
Tirana e dorëzoi çelësin e “TEYC”, por mori një tjetër, atë të “Kryeqytetit Evropian të Sportit
2023”, çfarë do të vijë këtë vit?
Jemi shumë të lumtur që viti që lamë pas ka frymëzuar edhe fusha të tjera për t’u zhvilluar dhe parë si
mundësi siç është fusha e sportit. Këtë vit që Tirana do të mbajë stafetën e “Qytetit Evropian të Sportit
2023”, uroj të jetë gjithashtu një impuls me shumë risi dhe me shumë investime në fushën e sportit dhe
të rinjve.
Pra viti 2023 vjen me të tjera aktivitete, me të tjera angazhime dhe me një pasqyrë të re për
Tiranën?
“Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022’’ ishte angazhimi kryesor për vitin që lamë pas por jo vetëm
pasi u përpoqëm të lëmë një trashëgimi edhe për vitet që pasojnë. Nga perspektiva programatike dhe
operacionale ky titull premton një impenjim profesional shumë të lartë nga i gjithë stafi që Kongresi
Rinor Kombëtar ka mobilizuar, por edhe nga binomi Kongres Rinor Kombëtar – Bashkia Tiranë për t’i
dhënë jehonë dhe kuptim në afatgjatë këtij investimi unik dhe madhor për rininë.
Shumë partneritete, sinergji, nisma, projekte dhe bashkëpunime që kanë lindur përgjatë 2022 do të
vazhdojnë të marrin jetë dhe të formësohen përgjatë vitit në vazhdim drejt përmbushjes së misionit të
KRK për të garantuar më shumë mundësi dhe transformim konkret e të prekshëm në fusha që prekin
jetën e të rinjve.