Fotot: Altin Çelmeta / revistawho.com
Mbrëmja e së enjtes ishte një datë e shënuar në kalendarin e eventeve VIP të Tiranës. Sinan Hoxha, një prej emrave më të lakuar të skenës shqiptare, me një karrierë të gjatë e shumë të suksesshme mbi supe, celebroi në martesë dashurinë e tij 2-vjeçare me bukuroshen nga Kumanova, Andrra Destani. Në një festë me 350 të ftuar, ku shumica ishin personazhe publike, Sinani dhe Andrra i thanë “PO”-në e përjetësisë njëri-tjetrit. Ata iu përgjigjën njëzëri pyetjes së punonjëses së Bashkisë, Eda Turku, fjalët e së cilës shoqëroheshin nga tingujt e bukur të pianos mbi të cilën luante i madhi Robert Radoja. Ceremonia që nisi në orën 20:00 të së enjtes u organizua nga “Geraldina Sposa”, ndërsa për ndriçimin u kujdes Eptan Lohja, ndaj jo më kot çdo element ishte i kuruar në detaje… Nusja hyri në sallë me një fustan të stilistit Valdrin Sahiti, ndërsa gjatë mbrëmjes veshi një prej brand-eve të njohura të “Geraldinës”… Hyrja e çiftit u shoqërua me ovacione të shumta, ndërkohë që luhej “Love me like you do” nga violinçelisti Iljard Shaba. Këngëtarja që hapi dasmën ishte Artiola Toska, e cila përmbushi kështu një pretim që i kish bërë kolegut të saj në muzikë vite më parë. Përpara se të fillonte muzika, Sinani kërkoi fjalën për të falenderuar të gjithë miqtë e tij nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi e deri në Australi. Ai tha se në këto 16 vite karrierë, është mësuar të jetë një mik i mirë për të gjithë, ndaj dhe ju lut që vetëm për atë natë të harronin inatet e vjetra dhe të gëzonin të gjithë me njëri-tjetrin. Ishin Rozana Radi dhe Soni Malaj, dy mikeshat e ngushta të këngëtarit ato që hapën dasmën me kërcimet popullore. Por siç mund ta merrni me mend, nata ishte shumë e gjatë dhe mikrofoni kaloi dorë më dorë nga Artiola Toska tek Bujar Qamili, Shyhrete Beluli, Sinan Vllasaliu, Ramadan Krasniqi, Muharrem Ahmeti, Ermal Fejzullahu, etj. E duke i shkuar përmbas traditës, të gjithë të ftuarit dorovisnin me para çiftin e ri sa herë çohej për të kërcyer. Nga një përllogaritje e burimeve të “Bluetooth” në dasmë, mendohet të jenë hedhur më shumë se 15 mijë euro.
[metaslider id=500]
Të ftuarit
Sikundër thamë edhe më sipër, të ftuar në dasmë ishin emra të njohur të skenës duke nisur nga: Irma Libohova, Manjola Nallbani, Gili, Shyhrete Beluli, Gjyste Vulaj, Greta Koçi, Genta Ismajli, Gold Ag, Nora Istrefi dhe Robert Berisha, Ermal Fejzullahu, Maja Aliçkaj, Lori Kaçka, Marjola Kaçani, Ylli Baka, Xhavit Dedej, Muharrem Hoxha, Bujar Mera, Rita Lati, Roza Lati, Sejfulla Myftari, Samanta Karavella, Joni Peçi, Inis dhe Ingrit Gjoni, Çiljeta Xhilaga, Amarda Toska dhe Ermal Mamaqi, Olti Curri, Zaimina Vasjari, Elgit Doda, Noizy, Kastro Zizo, Valbona Mema, Valbona Halili, Sinan Vllasaliu, Vjollca Haxhiu, Ryva Kajtazi, Rozana Radi, Soni Malaj, Seldi Qalliu, Klodiana Shala, Armand Peza, Dhurata Dora, etj.
Torta
Një nga elementët e veçantë të mbrëmjes, ishte ai kur nusja dhe dhëndri do të prinin tortën e realizuar mjeshtërisht nga pastiçeria “Mon Amour”… Ky moment emocionues për të gjithë të pranishmit, veçanërisht për protagonistët kryesorë dhe familjarët e tyre u shoqërua me një spektakël fishekzjarresh që zgjati për disa minuta.
Nusja dhe dhëndri
Andrra Destani, vendosi të lërë përfundimisht Gjermaninë ku jetonte prej shumë vitesh me familjen për t’u zhvendosur në Tiranë krah njeriut të saj të zemrës. Bukuroshja me tipare tipike mesdhetare, ka përfunduar studimet bachelor për mjekësi dhe pasioni i saj i dytë është modelingu, për këtë shkak i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe dukjes së saj në këtë ditë, duke përzgjedhur plot katër fustane nga stilistë të njohur në biznesin e nusërisë. Në ndryshim nga dhëndri, i cili i ka qëndruar besnik veshjes së Armanit… Për imazhin e nuses u kujdes make up artist-ja e njohur, Frida.
Dhuratat
Ajo që ra në sy gjatë mbrëmjes së të enjtes ishte zëvendësimi i dhuratave me zarfe elegantë… Siç duket, të ftuarit kanë qenë të gjithë në një mendje dhe kanë lënë që çifti t’i zgjedhë vetë dhuratat.
Ceremonitë
Duke qenë se prej 45 ditësh, ai ka qenë çdo mbrëmje i angazhuar në koncerte live, dhëndri më i ri i skenës shqiptare, Sinan Hoxha, zgjodhi që ta marrë me helikopter nusen e tij, jo për të treguar luksin në të cilin jeton, sesa për të shmangur udhëtimin 6 orë me makinë (drejt Kumanovës, 12 orë vajtje-ardhje), i cili do të sillte jo pak lodhje për çiftin e ri. Nusja kremtoi për një javë me familjarët e saj fundin e beqarisë, një traditë që njihet si Kanagjegj. Ndërkohë që dhëndri bën dy ceremoni në Tiranë. Një krah miqve të tij artistë dhe jo vetëm dhe një tjetër me familjarët ditën e diel. Në total numri i të ftuarve në këto ceremoni kap shifrën e 1000 personave. 1000 vetë që përkthehen në 1000 urime për çiftin e ri të showbiz-it shqiptar, të cilit i bashkohet edhe urimi ynë me dëshirën për një jetë të gjatë e të lumtur krah njëri-tjetrit dhe fëmijëve që do të sjellin në jetë.
Discussion about this post