Rezidenca në zonën e njohur të Georgetown, Washington, në të cilën jetoi Jackie Kennedy dhe familja e saj pas vrasjes së bashëshortit, Presidentit John F. Kennedy, ka dalë në shitje për 10 milion $.
Shtëpia historike e vendosur në 3017 N Street NW, në kryeqytetin e SHBA-së, është vënë në shitje pas vdekjes në shkurt të këtij viti të pronares Yolande Betbeze Fox, e cila kishte qenë Miss SHBA në vitin 1951.
Sipas blogeres së njohur Carol Joynt, rezidenca është një nga pronat më të shquara në Washington, jo vetëm për historikun që mbart, por, gjithashtu edhe për arkitekturën tradicionale, që përfshin 7 dhoma gjumi dhe 6 banjo.
Një raport i publikuar nga e përditshmja The Washington Post, tregon se tani për tani nuk ekzistojnë foto të rezidencës, pasi firma e pasurive të patundshme ëashington Fine Properties, është duke u marrë me pronën, dhe po përpiqet ta bëjë shitjen në mënyrë private.
Gruaja e Presidentit Kennedy ka jetuar në këtë rezidencë më pak se një vit, por sytë kurioz të njerëzve që e vizitonin shpesh këtë zonë, nuk e linin të qetë, dhe kështu ajo vendosi të shpërngulej në New York, duke e braktisur shtëpinë në procesin e rimodelimit të saj.
Revista Forbes pak kohë më parë e përfshiu rezidencen në listën e 13 pronave më të rëndësishme në tregun e kësaj vere.