Ish-sulmuesi i Chelsea-t dhe kapiteni i Spanjës, Álvaro Morata, raportohet se është larguar nga shtëpia ku jetonte me bashkëshorten Alice Campello dhe katër fëmijët e tyre, vetëm pak ditë pasi ajo mohoi publikisht zërat për një tradhti të tijën me një mike të saj.
Sipas revistës spanjolle “Hola”, përpjekjet e çiftit për të shpëtuar martesën duket se kanë dështuar, pavarësisht ribashkimit të tyre në fillim të vitit të kaluar. Morata dhe Campello, të cilët u ndanë pas triumfit të Spanjës në Euro 2024, kishin njoftuar në janar anulimin e divorcit, duke dhënë shpresa për një fillim të ri.
Megjithatë, burime pranë çiftit bëjnë me dije se ata kanë jetuar të ndarë prej disa javësh, ndërsa Morata është zhvendosur në një banesë tjetër në një nga zonat më ekskluzive të Milanos. Pavarësisht ndarjes fizike, thuhet se marrëdhënia mes tyre mbetet korrekte dhe e qetë, kryesisht për hir të fëmijëve: Alessandro, Leonardo dhe Edoardo (binjakë), si dhe vajzës Bella. As Morata dhe as Campello nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj raportimeve.
Vetëm pak ditë më parë, Campello doli publikisht në mbrojtje të Elena Sirigu, eksperte e menaxhimit sportiv, pasi media spanjolle aludoi për një lidhje mes saj dhe Moratës. Influencerja italiane i hodhi poshtë kategorikisht akuzat, duke e quajtur Sirigu një mike të vjetër familjare dhe duke dënuar etiketimin e saj si “shkatërruese familjeje”.
“Nuk meriton këtë ekspozim dhe këto akuza që lënë plagë të thella personale dhe profesionale,” shkroi Campello, duke shtuar se Sirigu është një person serioz me vlera.
Më herët, Campello kishte deklaruar se huazimi i Moratës te Galatasaray sezonin e kaluar kishte ndihmuar në shpëtimin e martesës së tyre dhe se ndarja e parë kishte qenë “gabimi më i madh i jetës sonë”.







