Këngëtari Devis Xherahu duket i pakënaqur nga “Kënga Magjike”. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Devis kritikon drejtorin Ardit Gjebrea, jurinë dhe madje konkurrentët. Këngëtari ka treguar edhe arsyen pse kishte vite që nuk merrte pjesë në “Kënga Magjike”. Ja çfarë shkruan ai:
“Të dashur miq, fansa dhe kolegë…
Më lejoni që në këtë postim t’i drejtohem produksionit dhe producentit të festivalit K.Magjike z.Ardit Gjebrea…
Unë kam disa vjet që nuk marr pjesë tek festivali K. Magjike, duke pritur të bëhej një ndryshim që do ja u them pak më poshtë, ose prisja reagimin e disa artistëve profesionistë që ta ngrinin zërin, por duke parë që ndryshim nuk kishte, aq më tepër reagim nga artistët atëherë, vendosa këtë vit të marr pjesë me një super baladë profesionale, që nuk e diskutoja absolutisht finalen, me qëllim që, kur të thirreshim sot te emisioni e djela shqiptare, ta thoja live shqetësimin tim, por meqënëse lobingjet e thanë sërish fjalën e tyre, atëherë vendosa ta them këtu mendimin tim profesional.
Prej 18 vjetësh ju keni krijuar një festival model do thoja që unë personalisht e kam quajtur “sanremo shqiptare” përsa i përket kurimit në detaj të gjithë parametrave profesionale që përmban një festival, me përjashtim të njërit, pjesës më të nxehtë të këtij festivali, votimit të artistëve mënyrës se si bëhet ky votim, që për mendimin tim, ja prish komplet imazhin këtij “sanremo” që do ta quaja kanceri i këtij festivali.
Pse e quaj të tillë këtë mënyrë votimi…
E para Ardit, në këtë festival artistët nuk mundet të jenë edhe votues edhe konkurrentë, pse?
Sepse në këtë festival marrin pjesë nivele të ndryshëm artistësh, si ata të nivelit të fillores, të tetëvjeçares, të së mesmes dhe pak nga ata të doktoraturës, përsa i përket përvojës dhe eksperiencës së tyre dhe nuk mund të gjykojë një artist i fillores ose i tetëvjeçares një artist të doktoraturës apo të universitetit, sepse ai akoma nuk di si përdoret mikrofoni si këndohet me të dhe jo më të gjykojë një këngë dhe një artist profesionist, pra në këtë pikë e quaj të dështuar mënyrën e votimit.
E dyta.
Kjo mënyrë votimi padiskutim të çon në krijim lobingjesh dhe antivlerash të cilat janë pengesë e kalimit në finale të vlerës së vërtetë të artistëve. Ne jetojmë në Shqipëri dhe duam s’duam ky lloj votimi favorizon miqtë dhe shokët, por e theksoj sidomos favorizon të paaftët që kur bëhen bashkë bëhen të “frikshëm” dhe marrin gabimisht frenat e këtij festivali siç i morën mbrëmë dhe hedhin bombën e mbrëmshme ku çmimin e parë ja dorëzojnë një njeriu që nuk ka lidhje me këngën dhe të kënduarin, por vetëm me tekstin dhe pak aktrimin siç ishte Rozana Radi.
E treta.
Propozoj që ky festival të ketë një juri profesionale ashtu siç e ka e gjithë bota që për fat të mirë ne nuk vuajmë për vlera të tilla, siç është: Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Thoma Gaqi, Endri Sina, Jorgo Papingji dhe mjaft të tjerë të cilët me plot gojë janë filtri më profesional për evenimente të këtij dimensioni dhe jam i bindur që pikërisht këto emra që përmenda, mbrëmë kanë qeshur duke parë në finale disa artistë që kishin probleme të mëdha intonacioni dhe sidomos me fituesen e këtij festivali që ishte pjellë e këtij lobingu të paaftësh.
Unë e di që në shoqërinë ku jetojmë të bësh armiq nuk është nevoja të shash dikë, por boll të thuash të vërtetën, por jam i sigurt Ardit që ti do më mirëkuptosh, sepse po të flet një koleg, një artist që keni të njëjtën shkollë profesionale, një artist që ka 24 vjet i suksesshëm brenda dhe jashtë Shqipërie, një artist me një origjinë artistike familjare dhe qytetare siç është Korça.
Jam i sigurt në mirëkuptimin tënd dhe shpresoj që sot te emisioni yt Ardit, këtë shqetësim timin ta ngrenë të gjithë ata që e ndjejnë veten vlerë dhe artistë në kuptimin më të gjerë dhe të plotë të fjalës.
Edhe njëherë faleminderit për mirëkuptimin.
Devis Sherahu!”