Moderatorja e mirënjohur hap dyert për “WHO” dhe na rrëfen detaje nga përditshmëria e saj
Nga Eraldo Rexho / Fotot: Endrit Mërtiri
Në një pallat të vjetër, nga atë gritë e para ‘90-ës, Ornela Bregu ka ndërtuar oazën e saj të paqes. Aty, diku në shpinë të Presidencës, në një dupleks të arreduar në harmoni me natyrën e saj, ndjen gjurmët e një familjeje të vogël. Diku mbi tapet, të kap syri lodrat e më të voglit, një makinë garash shtrihet paqtas në anë të divanit, ndërsa “Spiderman”-i, është ulur mbi të, bashkë me një motorr. Kjo, është rrëmuja e ëmbël e një fytyre të qeshur, vogëlushit të familjes Gjeçi. Jetë që gjallon natyrshëm brenda atyre mureve, në perden pak të hapur, prej nga hyn drita, në vazon me lule që qëndron kryelartë përmbi tavolinë, në perimet e freskëta që sapo janë vënë në këndin e kuzhinës, në abazhurët që vallëzojnë nën hapësirën boshe të tavanit, në një libër faqekthyer ndanë televizorit, në një pikturë të vënë me kujdes në mur, në bllokun e lënë hapur…
Ornela na pret shumë ngrohtë, ashtu si vetëm ajo di të bëjë dhe na tregon të gjitha skutat e shtëpisë. Qoshja e saj e preferuar është kuzhina, aty e gjen në më të shumtën e kohës nëse është në shtëpi. Me telefonin në dorë, që për çudinë e saj atë mëngjes të enjteje ishte më i zhurmshëm se kurrë, ajo na tregon verandën e madhe. Aty, pihet kafeja, shërbehen dreka e darka kur koha është e ngrohtë, sidomos mbrëmjeve, kur Tirana metropol të ofron një shfaqje fantastike ngjyrash e dritash, e prej ku, nuk mund ta shquash kaosin e saj. Brenda, mes ngjyrave pana e bezhë të mobilieve, ndjen paqe, sidomos kur syri të zë lulet që ajo ka mbjellë, teksa nxjerrin kryet në kërkim të diellit. Rrëfimi i saj, kumbon nga dhoma në dhomë e të qeshurat prishin qetësinë që ka zaptuar shtëpinë në këtë paradite ku e gjithë familja është jashtë, përveç Ornelës…
Duket që ke një marrëdhënie të mirë me shtëpinë…
Të qe për mua, pjesën më të madhe të kohës padyshim që do ta kaloja në shtëpi, por jo në gjumë. Gjumi tashmë më është bërë me orar; fjetje dhe zgjim me zile. Unë bie për të fjetur njëherësh me të voglin, e për pasojë edhe zgjimi është më i hershëm. Mëngjesi është një vrull i pandalshëm për t’u bërë gati për në kopsht dhe shkollë (qesh).
Cili është këndi yt i preferuar në shtëpi?
Në çfarëdolloj ore që të vish, mua më gjen te këndi i kuzhinës, vdes të rri afër sobës dhe frigoriferit (qesh).
Çfarë marrëdhënieje ke me kuzhinën?
E adhuroj, e dua shumë, ndoshta më ka hyrë në zemër që në vogëli, pasi në shtëpinë e prindërve të mi, mamaja më linte të eksperimentoja me çdo gjë të mundshme. Isha fare e vogël kur “dështova me sukses” në tentativën time të parë për të bërë gurabije. Kisha përzier vetëm gjalpin dhe sheqerin dhe ai shkriu komplet (qesh), kështu që ajo vetëm ëmbëlsirë nuk mund të quhej, pasi kisha harruar miellin. Por më pas, marrëdhënia ime me ëmbëlsirat ka qenë e shkëlqyer.
Cili është specialiteti yt?
Kam filluar t’i bëj të gjitha tanimë. Supa dhe gjella për fëmijët nuk duhet të mungojnë, por edhe antipastat, ëmbëlsirat që i bëj patjetër një herë në dy ditë. Për pjatën e preferuar ndoshta duhet të pyes familjarët.
A mblidheni shpesh me familjarë ose miq për dreka e darka?
Po dhe kjo është arsyeja pse unë kam dashur gjithnjë që të kisha një kuzhinë më të madhe, sepse më pëlqen të ftoj miqtë tanë, madje e bëj këtë edhe në ato raste kur ndoshta nuk kam shumë gjëra për të gatuar. Njeriut duhet t’i punojë mendja të sajojë edhe gjëra të çastit.
Po punët e tjera të shtëpisë, të pëlqejnë?
Kam dikë që më ndihmon, më shumë për hekurosjen, ndërsa për pjesën tjetër “po s’e preku dora jote, nuk quhet e pastër…”
Shikoj që keni shumë lule, kujdesesh vetë për to?
Po, kujdesem, thonë që lulet kanë nevojë për dashuri… Tani në tetor u ndërrohet plehu. Nuk është një punë që kërkon angazhim të madh. Përpara dy vitesh kam pasur edhe qen; ai po që donte përkujdesje. Tani kemi marrë peshq, por ata të gjorët nuk duan ndonjë kujdes të madh. Gjithsesi, po të duash t’i vish vërdallë shtëpisë, ka gjithnjë punë për të bërë.
Për arredimin e shtëpisë je kujdesur vetë?
Jo, shumë pak mund të them që është dora ime, më tepër kanë qenë idetë e arkitektit që kishim zgjedhur.
Si ka qenë e diela e Ornelës përpara se të niste angazhimi në “E Diell”?
E shtuna dhe e diela kanë qenë për fëmijët, në qendra tregtare, lodra, në ditëlindje fëmijësh, pra, një fundjavë kushtuar tërësisht familjes.
Marrëdhënia që ke me televizionin?
Pjesa më e madhe më kalon me filmat e fëmijëve sepse djali përveçse do t’i shohë vetë, më kërkon që të ulem edhe unë pranë tij. Rrallë ndodh të shoh filma dramë ose komedi.
Për ta përmbyllur; sa herë del ti në ekran, të gjithë pyesin: “Si nuk ndryshoi njëherë kjo?” Ke një sekret për bukurinë?
(qesh) Faleminderit shumë për fjalët e mira. Unë ha ushqim të shëndetshëm, gatuaj vetë dhe ha vetë (qesh). Mendoj që mënyra e të ushqyerit dhe gjenet kanë bërë që të kem këto rezultate (qesh).