Egli, e cila po vijon turneun e saj të koncerteve në Kosovë, ka reaguar publikisht pas valës së kritikave që ka marrë për performancat e saj të fundit, veçanërisht për përdorimin e playback-ut dhe përzgjedhjen e veshjeve gjatë interpretimit të këngëve patriotike.
Përmes një videoje të publikuar në Instastory, ku shihet duke kënduar live këngën “A vritet pafajësia” të Leonora Jakupit, Egli u është drejtuar ndjekësve me një sqarim të sinqertë:
“Unë prej 3 muajsh tashmë jam me mjekime të vazhdueshme për kordat vokale, për shkak të një dëmtimi serioz në to, i cili kërkon kohë në rikuperim të plotë dhe shumë pushim vokal (këngëtarët e dinë mirë).”
Ajo theksoi se kjo është arsyeja pse zëri i saj ka pësuar ndryshime dhe jo çdo notë është e përsosur.
“Mbase jo çdo notë është e përsosur, ama këtë këngë e të gjitha këngët e vendit tim, gjithmonë i kam kënduar nga shpirti e sot më shumë se kurrë,” – shtoi artistja, duke shprehur mirënjohje për publikun e Drenicës dhe përkrahjen që ka marrë.
Kritikat ndaj Eglit erdhën jo vetëm nga ndjekësit në rrjete sociale, por edhe nga figura të njohura të muzikës shqiptare si Albina Kelmendi dhe Nita Latifi. Të dyja artistet komentuan hapur në lidhje me mungesën e interpretimit live dhe veshjet që, sipas tyre, nuk përputheshin me mesazhin e këngëve patriotike.
Megjithatë, pavarësisht polemikave, Egli ka zgjedhur t’i përgjigjet me qetësi dhe transparencë, duke konfirmuar se shëndeti i saj vokal mbetet prioritet, por dashuria për këngën shqiptare nuk mungon kurrë në performancat e saj.








