Jemi të bindur që emrin e saj e keni hasur shpesh këto kohët e fundit. Jo vetëm për shkak të popullaritetit në ‘Instagram’, por edhe për mediatizimin që i është bërë historisë së saj të veçantë. Egreis Gjergjani mund të quhet pa frikë ‘mbretëresha’ e këpucëve, duke qenë se në dollapin e saj janë të rreshtuara mbi 500 palë të tilla, aq sa është krijuar ideja se ajo nuk bën gjë tjetër veçse blen këpucë. Por jo, intervista me “Who” hedh poshtë poshtë çdo paragjykim për vajzën që jeton prej vitesh në SHBA… Përpara këpucëve, në listën e prioriteteve të Egit qëndrojnë njerëz të gjallë. Cilët janë ata? E zbulojmë bashkë, në vijim të bisedës së gjatë që bëmë me të. Një bisedë që neve na përçoi shumë energji të mirë. Urojmë që të lërë të njëjtin impakt edhe tek ju.
Si ka qenë fëmijëria jote, a ka ëndërruar Egi që atëherë që princi t’i vinte me këpucë, si Hirushja?
Të shikosh fotot e mia në atë kohë, s’do të të besohet kurrë që jam kjo që jam sot. Kam qenë komplet si çun. Apo s’i kisha dhe flokët të prerë shkurt fare! Djalë komplet! Ia vë fajin nënës, se ajo i linte komshinjtë të mësonin dorën te flokët e mi (qesh). Megjithatë, edhe pse kam qenë e shkathët shumë dhe luaja futboll gjithë ditën me djemtë e lagjes, gjithmonë e kam pasur pasion të vishesha bukur dhe këpucët në veçanti. Sa për princ, ëndërroja për një simpatik e romantik dhe që të ma donin këta të shtëpisë. Dhe sa për këpucët, gjithmonë e kam pasur ëndërr të kisha një dhomë të madhe plot me rafte këpucësh.
Sa e realizuar ndihesh sot?
Sot ndihem shumë e kënaqur dhe them se më ka parë perëndia lart. Në fillim të çdo viti, e kam si zakon të bëj një listë të çdo gjëje që dua të arrij atë vit. Dhe, sa herë që shikoj listën e mëparshme, e shoh që dëshirat e mia kanë ndryshuar shumë nga viti në vit. Normal, se i ka mosha këto! Çdo vit dhe piqemi më shumë. Por e rëndësishme është që të arrish çdo gjë që i ke vënë synim vetes. Nuk ka shumë rëndësi sa të mëdha apo të vogla janë këto qëllime, mjafton që në fund të vitit të ndihesh krenare për çdo gjë që ke arritur. Për mua personalisht kjo është shumë e rëndësishme dhe ndihem komplet e realizuar në këtë pikë. Kam ende shumë gjëra që dua t’i arrij, por kam një jetë të tërë përpara dhe pak nga pak do luftoj për çdo ëndërr që kam.
A mjaftojnë 500 palë këpucë për të mbushur zemrën e një vajze?
500 puthje nga djali im i vogël po, por këpucët janë vetëm këpucë, edhe pse i adhuroj dhe i bëj koleksion. Shpesh më pyesin pse kaq shumë palë. Numri nuk ka shumë rëndësi. Për mua këpuca është art. Një art që unë jo vetëm e vlerësoj jashtë mase, por edhe e koleksionoj. Jo vetëm tani që falë Zotit kam mundësi, por që 10 vjet përpara, kur isha akoma studente në gjimnaz dhe blija vetëm këpucë të lira. Megjithatë, sado art që të jenë, asgjë nuk ma mbush dot zemrën përveç familjes sime.
Sa rëndësi ka familja për ty?
Është gjithçka që mund të kesh në jetë. Familja është gjëja më kryesore për mua. Pa atë, s’jam askush. Pa bashkëshortin tim nuk e imagjinoj dot të nesërmen dhe pa djalin tim as që nuk dua ta mendoj fare. Jam e dhënë komplet pas tyre. Çdo gjë që bëj e bëj për ta. Nuk ka asgjë në këtë botë që vjen më sipër familjes sime. As jeta ime vetë. Do jepja çdo gjë që kam, edhe veten time, vetëm t’i shoh ashtu të lumtur siç janë.
Si nisi dëshira jote për të koleksionuar këpucë dhe pse pikërisht ‘Louboutin’ shumica prej tyre?
Nuk e di në qoftë se kjo është e vërtetuar akoma apo jo, por mendoj që pasionin e këpucëve e kam të trashëguar nga gjyshi dhe babai im. Të dy bashkë vdisnin për këpucë. Këpucët e para që kam adhuruar kanë qenë një palë lëkurë rozë, që m’i solli babai nga jashtë. Zihesha me familjarët gjithë ditën, se nuk më linin t’i vishja në kulm të dimrit. Christian Louboutin ka qenë dizenjuesi im i preferuar që në shkollë të mesme; kjo edhe për faktin se kemi lindur në të njëjtën ditë (qesh). Stilin e tij e kam shumë qejf dhe nuk ka këpucë që mban vulën e tij që nuk më pëlqejnë. Kam 8 vjet që i blej këpucët e tij çdo sezon. Kam dëshirë ta takoj një nga këto ditë dhe të më bëjë një palë këpucë të veçanta me emrin tim. Kjo është një nga ëndrrat e mia.
Po Louboutin, është në dijeni që ka një fanse të madhe si ti?
Kohët e fundit, një nga mikeshat e mia ishte për darkë me Louboutin dhe burrin e saj (person i famshëm në Amerikë). Ajo i tregoi fotot e dhomës së këpucëve të mia dhe më tregoi që Louboutin ishte mahnitur vërtet. Dje mora mesazh nga dyqani i Louboutin në New York dhe më thanë që, kur të shkoj për vizitë në New York, do më bëjnë mesazh që të lidhemi bashkë. Kështu që, them se ia kanë bërë të ditur. Megjithatë do e gjej një mënyrë ta takoj dhe t’ia tregoj vetë koleksionin tim. Ka 8 vjet që më nxori me këpucë “të kuqe” (qesh), është gjëja më e vogël që mund të më bëjë!
Shohim që je shumë e dashuruar dhe e lumtur në lidhjen tënde. Cili është sekreti, që ta dinë dhe vajzat e tjera?
Komunikimi është gjëja më kryesore, si dhe respekti për njëri-tjetrin. Sado që bëjmë fjalë, asnjëherë nuk e ofendojmë njëri-tjetrin. Edhe kur nxehemi më shumë seç duhet, e lëmë njëri-tjetrin vetëm derisa të qetësohemi. Gjëja më e keqe që mund të bësh është të flasësh keq nga inati dhe të thuash fjalën e fundit në fillim. Fjala është më e rëndë se plumbi. Ne jemi shumë të përkushtuar në lidhjen jonë. Mundohemi të udhëtojmë sa herë që kemi mundësi, i planifikojmë gjërat që t’i bëjmë të dy së bashku. Por nga ana tjetër, është e rëndësishme që secili të ketë kohë për veten ose për miqtë e tij. Romanticiteti është i pranishëm në lidhjen tonë. Bashkëshorti im asnjëherë nuk harron të më dërgojë lule pa rast, apo këpucë të reja fshehur diku në shtëpi. Më trajton njësoj si në fillim të lidhjes sonë dhe unë bëj të njëjtën gjë për të sa herë.
Çfarë mendon se e josh më shumë një mashkull?
Ngrohtësia e një femre është gjëja më tërheqëse; çiltërsi, buzëqeshje e pafajshme dhe një shpirt i mirë. Edhe pamja fizike të tërheq, por vetëm në fillim.
Si e ke njohur bashkëshortin tënd?
Jemi njohur në biznes. Bashkëshorti im merret me investime dhe financë, ndërsa unë jam marrë me marketim në internet. Për ca kohë kompanitë tona kanë qenë në kontratë së bashku. Unë i bëja të gjithë marketimin në internet kompanisë së tij. Për herë të parë u takuam në një konferencë në New York dhe në fillim nuk i dhashë rëndësi, por më pas, kur e njoha tamam më hyri në shpirt, madje ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë deri më sot. Është njeri i përkryer!
Në disa prej komenteve në daljet e tua, krahas atyre pozitive ka edhe disa paragjykime. Nga se mendon se vjen kjo?
Kur ke shumë ndjekës në internet dhe kudo në jetë, edhe sikur e përkryer të jesh, do gjesh njerëz që të kritikojnë, dhe kjo është normale. Për mendimin tim, kjo vjen vetëm nga dëshira e brendshme që të arrijnë ato që s’i kanë arritur ende, por që i shohin te dikush tjetër. Ka njerëz që inspirohen nga të tjerët dhe gjejnë motiv të luftojnë edhe më shumë për ëndrrat e tyre, por ka dhe njerëz që thjesht nuk mendojnë se mund të arrijnë aty ku duan dhe ndihen më mirë përbrenda kur ulin të tjerët poshtë. Sido që të jetë, unë u kushtohem komenteve pozitive dhe besoj në energjinë e pastër dhe të lumtur kudo që të jem.
Çfarë do t’u thoje ti atyre që paragjykojnë apo shpikin?
Dua t’u them që, sado të flasësh keq për të tjerët, situata jote nuk ndryshon aspak. Jeta nuk do të të bëhet më e mirë nga kjo gjë. Nuk do bësh më shumë lekë duke gjykuar njerëzit që nuk i njeh, nuk do gjesh dashuri nëse ndjen xhelozi dhe, më e rëndësishmja, çdo gjë që kam unë mund ta kesh edhe ti, madje akoma dhe më mirë. Shfrytëzoje këtë kohë që ke dhe shpenzoje te vetja jote. Askujt s’duhet t’i japësh rëndësi më shumë sesa vetvetes.
Së fundmi shohim që po i dedikohesh një blogu. Si po ecën?
Blogu im është stilettomeup.com. E hapa disa vite përpara, por kur isha shtatzënë, isha shumë sëmurë dhe nuk kisha kohë t’i përkushtohesha, ndaj e mbylla për ca kohë. Tani që djali është rritur pak, e mora përsipër ta hap sërish dhe, këtë herë jo vetëm për stil dhe modë, por edhe për eksperiencën time si nënë e re dhe çdo gjë që po përjetoj këto ditë.
Qëndrojmë këtu. Poston shumë këshilla për bebin; do na thuash ndonjë në veçanti për mamatë e reja që po të lexojnë këtu?
Anglezët kanë një shprehje: “Nuk ka asnjë mënyrë të jesh mama perfekte, por ka me miliona mënyra të jesh mama e mrekullueshme”, ndaj, mos u merakos kot. Mjafton t’i japësh fëmijës dashuri dhe ngrohtësi dhe çdo gjë tjetër vjen vetë. Ah, se për pak harrova! Evitoni “shopping”-un e shpeshtë. Do rriten më shpejt nga ç’mund ta merrni me mend dhe shumica e veshjeve do të zvogëlohen pa u veshur akoma. Po patët mundësi, lexoni blogun tim, për çdo gjë në lidhje me shtatzëninë apo bebushët e sapolindur. Kam shkruajtur për çdo eksperiencë deri më sot.
Na jep ndonjë recetë të veçantë për të ushqyer bebin, nga ato që ti vetë ndjek…
Është një blog që e ndjek për receta për djalin tim; quhet “ittybittybabybites.wordpress.