Intervista nga Manjola Markola/ Fotot: Pirro Beati/ Hair: Sezer Hair Style / Make Up: Henri Gjata (MUA)/ Fashion Editor: Niko Komani/ Veshjet e Evit: “Coco Boutique”, Aksesorë: Swaroski-H&M, Çorapet: “Socks Vulpes”/Veshjet e Kledit: “Adidas”, “H&M”, “ASOS Man”, “Labinot Gashi”, Aksesorë: Swarovski- H&M,Syzet: Laura Imami Çorapet: “Socks Vulpes”/ SelfieMuseumAlbania
Historitë e bukura të dashurisë nisin kudo, në ato vendet të cilat i imagjinojmë dhe ato që as nuk na shkojnë ndërmend. Nën dritën e hënës, në rrezet e arta të diellit, në natyrë, në zyrë, në radhët e gjata, në aeroport, apo-apo në festat e mëdha të fundvitit. Ashtu siç nisi ajo, historia e dashurisë së Evit dhe Kledit. Një festë, një shtrëngim duarsh, disa mesazhe dhe një pafundësi kujtimesh për të rrëfyer. Po-po, e lexuat mirë, Evi dhe Kledi rrëfejnë për herë të parë, ekskluzivisht për revistën “Who”, historinë e tyre, atë që shkruhet me shkronja të mëdha në limitin e qiellit. Ajo, vajza bota e së cilës shkon përtej skajeve të së prekshmes, mes tri kulturash, asaj shqiptare, greke dhe italiane, pasqyrohet kudo. Ai, djali simpatik që e “pushtoi” ekranin menjëherë, mes Austrisë e dashurisë për Shqipërinë, gjeti këtu, në vendin e zemrës, vetë zemrën. Ata tanimë janë dy, gjurmët e tyre shtrohen në të gjitha hapësirat ku bëjnë bashkë shpirtrat dhe për ju sjellin historinë e tyre të dashurisë, pa zhurmë.
Ata janë përgjithmonë Evi dhe Kledi!
Evi dhe Kledi, një histori dashurie, si nisën shkëndijat e para mes ju të dyve?
Evi: Rrëfimi ynë ndoshta nuk është ai i një historie klasiko-romantike, por një histori që shkëndijat i pati gjatë rrugës, një histori e sinqertë. Por nëse i përgjigjemi pyetjes së shkëndijave, ato nisën gjatë rrugës së njohjes. Ai më njihte si këngëtare dhe unë e kisha parë pak te “BBV”, (nuk e ndiqnim njëri-tjetrin në rrjetet sociale), dhe vetëm kaq.
Kledi: Por, ishte një event në dhjetor të vitit 2021 që ndryshoi gjithçka. Aty u takuam dhe le të themi se foli nënvetëdija jonë.
I besoni fatit, rastësisë, apo ndonjë personi që tani kërkon ato “këpucët e kuqe” sa herë iu sheh bashkë?
Evi: Të trija këto bashkëveprojnë, kur universi dëshiron që të ndodhë diçka e bukur. Në fakt këpucët e kuqe i takojnë dy personave shumë të dashur për ne, që në vetvete nuk patën qëllimi të na njihnin me njëri-tjetrin. I pari është Eraldo Rexho, i cili organzoi festën në dhjetor “A December to Remember” dhe siç ndodh në eventet e Eraldos ku mbledh miqtë, ishim të dy të pranishëm. Kledi erdhi me Adisin dhe unë me Arjola Shehun. Kësaj të fundit i takojnë gjithashtu këpucë të kuqe, pasi disa javë më parë Kledi ishte i ftuar në emisionin e saj dhe teksa të dy u përshëndetën, më prezantoi mua me Kledin. Mbrëmja na mblodhi të katërtve në një tavolinë ku na bashkuan bisedat për “BBV”, televizionin, muzikën dhe jetën. Kemi qeshur shumë e kemi kërcyer të gjithë bashkë. Atë natë Kledi më bëri “Follow” në “Instagram”, por nuk folëm menjëherë. Ndaj mos mungoni asnjëherë në festat e Eraldos.
Duke qenë të dy personazhe publikë, shumë të njohur në fushat tuaja respektive, a ka qenë një “benefit” të themi për lidhjen apo një pengesë ose një “çmim” që e keni ditur që prej fillimit se duhet paguar?
Evi: Kur njohja të merrte një formë, kjo ishte pjesa që na shqetësonte më shumë. Ende nuk e dinim ku ishim. Jeta e Kledit kishte ndryshuar në mënyrë radikale pas “BBV”. Kishte ende vëmendjen e publikut, njerëzit e donin shumë, më pas u shtuan vajtje-ardhjet nga Austria, shumë gjëra për të zgjidhur dhe për më tepër duhej t’i përgjigjeshim dhe syrit kurioz të publikut. Nga ana tjetër, unë prej kohësh jam pjesë e medias, jam natyrë e përmbajtur në çdo sferë, sidomos në atë personale, kjo natyrisht ngjallte më tepër kuriozitet.
Kledi: Ne nuk na pëlqente të jepnim shumë shpjegime, sepse ende ishim duke ndërtuar diçka që nuk e dinim ku do të na çonte dhe çmimi që “paguanim” asokohe ishte të dilnim sa më pak, liria jonë ishte e kufizuar dhe ndërkohë lajmet e portaleve “gëlonin”.
Evi: Pooor, çdo vendim e kemi marrë bashkë. Siç është edhe kjo intervistë ekskluzive për “WHO”. Nga ana tjetër benefitet ishin që i përkisnim të dy botës së medias, çka e bënte më të mirëkuptueshme situatën me njëri-tjetrin.
Të kthehemi sërish në fillim (se do t’i themi të gjitha për WHO). Mesazhet e para që i keni dërguar njëri-tjetrit, cilat janë?
Evi: Bisedat fillestare kanë qenë ndonjë “replay” nga Kledit te story-t që postoja nga Festivali i Këngës dhe kaq. Disa javë më vonë nisëm të flisnim pak më shumë. Ende në “Instagram”. Kemi folur për meditimin sepse e praktikojmë të dy, kemi bërë shaka, humor, derisa kaluam me biseda mbi përditshmërinë tonë, gjë që na shërbeu për njohjen (qoftë edhe në distancë) me njëri-tjetrin. Te këto biseda kishim kaluar në “WhatsApp”. Flisnim çdo ditë, por pa dashur të kontrollonim njëri-tjetrin, çdo gjë rrodhi krejt natyrshëm, duke marrë kohën që na nevojitej.
Jeni përfolur prej kohësh për lidhje, pastaj kamuflohej, më vonë heshtje dhe sërish lajm se jeni bashkë, si i keni përjetuar gjatë kësaj kohe këto “janë-s’sjanë” bashkë?
Kledi: Në fillim ishte e sikletshme. Kur asnjëri nuk prononcohej, edhe portalet heshtnin. Pastaj kur ndonjë sy kurioz gazetaresk shkrepte ndonjë foto, lajmet rifillonin. E kështu ndodhte derisa vendosëm të pranonim realitetin, u bindëm që sado që të kishim kërkuar të respektohej heshtja jonë për çështje personale (disa e kanë respektuar, disa jo), kjo situatë do të vazhdonte kështu. Pastaj u qetësuam dhe thamë “Ok, tani buzëqeshim” dhe vazhduam në qetësi të jetonim jetën tonë.
Dy personazhe publikë a duhen të bëjnë një “pakt” të pashkruar, nga ato paktet e heshtura që lidhja e tyre të funksionojë, apo këto janë më tepër skenare që i shkruan publiku dhe çifti janë në rregull me njëri-tjetrin?
Evi: Nuk e dimë çfarë paktesh qarkullojnë te çiftet e tjera të shoubizit, por dimë që ne të dy nuk do të bënim kurrë një pakt për të funksionuar në sytë e publikut. Pastaj, çfarë pakti na duhej? Kur të dy edhe pa njëri-tjetrin i kishim karrierat respektive, njëri me modën dhe marketingun e sipërmarrjet dhe tjetri me muzikën, radion dhe televizionin. Sot, forcat tona janë bashkuar dhe fuqizuar sigurisht, por jeta është shumë më tepër se një pakt për hir të famës. Ne kemi zgjedhur bashkëudhëtimin, ku në vend të parë jemi ne të dy, më pas punët tona.
Evi, cili ka qenë ai momenti që ke thënë “Po, ky djalë më pëlqen, dua të jem me këtë djalë, apo edhe atë qershinë mbi tortë “e dua këtë djalë”? A është paksa më e vështirë t’ia pranosh vetes ca të vërteta apo tjetrit?
Të them të drejtën, nuk ka pasur një moment të tillë, por gjithçka ka ardhur dalëngadalë. Shikoja vëmendje që kishte tek unë, përkujdesjen, respektin, mentalitetin e hapur që më përshatej, Por nëse do të thoja diçka, po, sa herë bënim plane, unë isha prioriteti i tij dhe kjo më bëri të kuptoja që kam të bëj me një person që përtej angazhimeve të shumta që kishte, dedikonte kohën e tij tek unë, pa u sforcuar e pa ia kërkuar. Madje nisa të kisha të nevojshme energjinë e tij çdo ditë, gjë që më bëri të reflektoja.
Po për ty Kledi si ka qenë kjo pjesë, ka qenë një moment që ke thënë “po, këtë vajzën e dua”, apo gjërat kanë rrjedhur natyrshëm dhe nuk mbetet vend për pyetje?
Nuk ka qenë si në filma, pra dashuri me shikim të parë. Por ishte një ndjenjë që rritej çdo ditë. Sa herë e shikoja dhe në momentet që ajo nuk ishte aty, më mungonte shumë, ishte një ndjenjë që ushqehej dita-ditës. Edhe nëse kishte momente që doja të qëndroja vetëm, kisha ndjesinë se më mungonte diçka dhe ishte pikërisht energjia e Evit. Për mua ka qenë një energji që më tërhiqte në drejtim të saj, sidomos kur kuptova sa më mungonte prezenca e saj. Në ato çaste kam kuptuar që “po, e dua atë vajzë”.
Evi, vajzë e rritur në Greqi, e shkolluar në Itali, duke krijuar një karrierë në Shqipëri, si je gjendur mes këtij trinomi?
U bënë 5 vjet që jam zhvendosur në Tiranë për shkak të punës dhe për momentin ndihem shumë mirë. Kam filluar ta kuptoj shumë mirë dinamikën e fortë që ka Shqipëria, shumë ndryshe nga ajo e Italisë dhe pak më e afërt me atë të Greqisë. Më duhej të balancoja 3 kultura brenda vetes, gjë që nuk ishte shumë e lehtë, por me kohën kuptova si duhet të sillesha në situata të ndryshme. Por sot jam e lumtur që kam pasur fatin të jetoja në 3 shtete dhe të formohesha në mënyrë të atillë që të më krijojë fleksibilitet, siç edhe e kam tanimë, dhe që përshtatem në çdo lloj realiteti.
Po dashuria ka gjuhë dhe vendlindje, apo ka zemra është gjuha, vendi dhe gjithçka që e përplotëson dashurinë?
Të dashurosh është e rrallë dhe e shenjtë, por jo e vështirë. Dikush e gjen dashurinë në moshë të re, dikush tjetër më vonë. Ne besojmë se njerëzit vijnë dhe ikin nga jeta jonë për të na dhënë disa mësime. Ndërsa disa të tjerë vinë për të qëndruar, pasi tanimë ke kuptuar çfarë kërkon nga jeta dhe fillimisht ke bërë orët e punës me veten që të zgjedhësh personin që të jep qetësi, nuk të shton shqetësimet, të përkrah, të do dhe të bën krenar. Kur bashkohen energjitë, nuk ka rëndësi as gjuha, as vendi. Flasin frekuencat.
Kledi, djalë i rritur në Austri, i rikthyer në Shqipëri për të marrë pjesë në një format si “Big Brother”,vëmendja, fama, ajo jeta para-pas dhe sigurisht nisja e historisë me Evin, si i ke përjetuar të gjitha këto dhe duhet ta themi që në një periudhë të shkurtër kohore?
Para se të bëhesha pjesë e “BBV”, nuk njihesha në Shqipëri, por fama dhe pëlqimi që mora nga njerëzit më dhanë energji pozitive dhe normale që kudo që shkoja, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, më njihnin. E kam shijuar pafund këtë energji, pasi i tillë jam dhe vetë. Njohja me Evin ishte perfekte, pasi ajo në atë moment ishte personi perfekt që të më udhëzonte me jetesën në Shqipëri. Edhe ajo si unë është rritur jashtë, kishte vetëm 4 vjet që jetonte në Shqipëri. Për mua ishte mbështetje e madhe, duke më treguar si e kishte përjetuar ajo kthimin në Shqipëri dhe natyrisht jetesën këtu.
Evi, na rrëfe 5 cilësi të Kledit që të kanë bërë të dashurohesh me të?
Ka një pafundësi, por unë po them 5.
- Është gjithë kohës pozitiv. (Nuk të lë të biesh, sepse të inkurajon gjithë kohës për të ecur para).
- Ka disiplinë për jetën e shëndetshme. (Ushtrohet çdo ditë dhe ha shëndetshëm).
- Ka shumë humor dhe sarkazëm.
- Është shumë i lidhur me familjen dhe bën shumë për ta.
- Është i gjatë, i pashëm dhe me stil.
Kledi, na rrëfe ti 5 cilësi të Evit që të bënë të dashuroheshe me të?
Oho, do më duhej shumë kohë t’i numëroja të gjitha, por ok, po them 5.
1.Çiltërsia dhe pozitiviteti i saj.
- Dituria e saj, pasi ka një kulturë internacionale.
- Bukuria natyrale që ka (no silicon). Buzëqeshja e zbukuron edhe më shumë.
- Fleksibiliteti i saj në situata të ndryshme, pasi nuk mërzitet dhe është e gatshme për gjëra të reja.
- Timbri dhe ngjyra e zërit të saj(si në këngë dhe radio, sjell ngrohtësi dhe emocion).
Sigurisht që nuk ka receta të gatshme, por sipas jush, cila është receta e një marrëdhënieje të shëndetshme?
Evi: Ndoshta nuk jemi ende në stadin e dhënies së këshillave, por deri tani kemi kuptuar se sa e rëndësishme është ta dëgjojmë njëri-tjetrin, të komunikojmë çdo gjë me njëri-tjetrin. Diçka që nis me vrull, apo zjarr, ashtu edhe fiket.
Kledi: Mendoj se kur diçka ndërtohet hap pas hapi, ke dhe kohën e duhur të kuptosh më shumë. E të vlerësosh nëse ke qëllime të përbashkëta me partneren e jetës.
Meqë jemi këtu, ku po jeton çifti, jemi ende me dy tiganë, dy dollape, dy dhoma ndenje, apo një tigan, një dollap, një divan ku shihni bashkë filmin e preferuar?
Evi: Dy njerëz si ne sigurisht që nuk do të jetoni në një vend. Jeta jonë është e ndarë mes Tiranës dhe Austrisë. Gjithashtu edhe në vende të ndryshme ku takohemi. Kemi të dy punët tona që duhet të jemi përditë prezentë fizikisht, por Kledi është më fleksibël, pasi arrin të punojë edhe në distancë, plus që sipërmarrjet e lejojnë të lëvizë më shumë se unë.
Evi a ka një para se ta bësh lidhjen publike dhe pasi ta bësh lidhjen publike, apo gjithçka mbetet njësoj në të dyja etapat?
Mes nesh nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë, përveçse dalim më lirshëm, plus kemi gjithmonë përkrahjen e familjeve, në çdo fazë të lidhjes. Edhe ata janë pyetur nga shumë persona dhe e kanë mbajtur sekretin goxha mirë. Sot jemi më të lidhur me njëri-tjetrin.
Kledi, cili ka qenë personi i parë të cilit ia ke rrëfyer pëlqimin, dashurinë për Evin?
Në fakt kanë qenë dy persona të parë, daja im me të birin. Kam folur dhe i kam treguar për marrëdhënien time me Evin, ata më kanë mbështetur menjëherë dhe kanë shfaqur pëlqim ndaj figurës së Evit. Më pas i tregova babait tim, i cili po ashtu dha një mendim shumë pozitiv dhe vendimtar.
Po ti Evi, kujt i ke thënë të parit apo të parës?
Sigurisht asaj së cilës i kam borxh këpucët e kuqe, mikes sime të ngushtë, Arjola Shehut. Edhe ajo e ka përjetuar hap pas hapi lidhjen ton[ dhe e ka mbajtur sekret, sa herë që dikush e pyeste. E kam si motër dhe e fallënderoj për çdo moment që kemi kaluar dhe kalojmë bashkë. Menjëherë i kam treguar edhe mamit, e cila është këshilltarja ime më e vyer.
E bëmë mjaltë, por edhe pa zënka sikur nuk shkon, kush e nis “luftën” i pari dhe kush e ngre flamurin e bardhë i pari? Ka pasur ndonjë zënkë që ka zgjatur më shumë sesa e kishit menduar?
Evi: Të dy jemi natyra paqësore dhe mundohemi t’i shmangemi konflikteve. Tema me të cilën zihemi shumë shpesh është pak tipike, zihemi kur unë i jap makinës. Edhe pse prej kohësh shofere, kur Kledi është pasagjer, nuk rri dot pa dhënë udhëzime “dil këtej, futu këtej, ndalo, ndërro korsinë, parakalo këtu, parakalo aty”, gjë që mua më bezdis shumë.
Kledi: Unë e kam shumë bezdi kur Evi nuk vjen në palestër.
Evi: Sa kemi mbajtur inat? Maksimumi 24 orë.
Cilat janë projektet që presim nga Evi këto kohë, ku do të të shohim?
Evi: Pas shumë e shumë aludimesh e lajme portalesh, më në fund mund ta them që duke nisur nga kjo pranverë, do më shihni në “TRING” në kanalin “LIVING”. Se çfarë emisioni do të jetë, po e lë surprizë, pasi bashkë me autoren Zhaklin Lekatari, po përgatisim diçka shumë elegante që do ta shihni përmes promos që e publikojmë shumë shpejt. Ndërkohë që vazhdoj të jem çdo mëngjes te “Klubi i mëngjesit” në “CLUB FM” ku atmosfera e grupit dhe audienca që kemi krijuar është e jashtëzakonshme. Radio për mua është magji dhe jam e lumtur që e bëj. Sa i përket muzikës priten 2 projekte të reja. Dhe mos të harrojmë angazhimin tim te firma e çorapeve “VULPES” si pjesë e projektit që nisi nga Kledi dhe më pas iu bashkuam unë me Anaidin.
Kledi, cilat janë planet e tua momentale?
Prioriteti im momental është firma “VULPES Bio socs” që përpos Shqipërisë po e dërgojmë edhe në Gjermani, Austri, Zvicër dhe në gjithë Evropën, si dhe të zhvillojmë shitjet “online” me e-commerce. Paralelisht puna në fushën e modës vazhdon me sflilatat, fushatat publicitare, fotografi, etj. Sigurisht edhe angazhimi im në marketing. Përpos kësaj, në planet e mia ka hyrë dhe vendndodhja, pasi duhet të shohim edhe me Evin organizimin e jetës mes Austrisë dhe Shqipërisë.
Po planet tuaja të përbashkëta, tiu pyes ku do i kaloni pushimet, apo është herët, mjaftoheni me këto “break” në fundjava tani?
Përveç punëve respektive të të dyve, kemi dhe planin për zgjerimin dhe fuqizimin e firmës “VULPES Bio socks”. Është diçka e re, vjen për herë të parë në treg dhe pritet të shtohen produktet dhe dizajnet e reja. Sa i përket pushimeve është shumë herët, por fundjavat janë ato që shijojmë për momentin dhe natyrisht na pëlqen të kalojmë sa shumë kohë në natyrë.
Të ka frymëzuar Kledi për ndonjë këngë të re Evi, do na surprizosh?
Surprizat do të jenë të këndshme. Ndërsa përsa i përket frymëzimit që më jep Kledi, lidhet me jetën dhe inkurajimin e palodhur për të realizuar ëndrrat mbi karrierën time Madje ai është pjesë e procesit të krijimit të shumë projekteve të mia muzikore, është krahu im i djathtë në realizimin e tyre.