Intervista nga Manjola Markola/Fotot: Orsola Mema/SelfieMuseumAlbania
Jeta mund të ndryshojë në një ditë, në një vit, ose vetëm në një moment. Dimensionet e saj shpërfaqen në dëshirën për të ngjitur shkallë që e nderojnë të shkuarën, e bekojnë të tashmen dhe ndezin dritën e së ardhmes. Ëndrrat nuk janë bërë për sirtare të vogla, por për hapësira të mëdha. Qëllimet gjithashtu krijojnë një derë të artë që hapet dhe nuk mbyllet më kurrë. Dhe me qëllime të qarta, mesazhi se gjërat kur i do arrihen, është i pakundërshtueshëm. Kështu ka ndodhur me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilalin. Me një karrierë të gjatë në sektorin privat, angazhimeve në akademi e shoqëri civile, politika për të ishte derë e hapur në rastësinë që sot është bërë botë e madhe. Në gjirin e djepit të kulturës, Shkodrës, ministrja Bilali ka mësuar se puna është rrugë përgjatë së cilës nuk reshtim kurrë së ecuri. Në kornizën e vajzës, bijës, gruas, sipërmarrëses, politikanes, tanimë ka një rol të shenjtë, atë të nënës. Ardhja në jetë e Edenit i ka ndryshuar optikën sesi e sheh botën, atë më uniken. Në një rrëfim ekskluziv për revistën “WHO”, ministrja Bilali i ka thënë të gjitha.
Sot ministre, korniza juaj është e mirëplotësuar dhe nëse nisim të numërojmë arritjet, lista është e gjatë, por duke nisur nga zanafilla, cila ka qenë shkëndija juaj e parë me politikën?
Mendoj që korniza është e plotësuar për personin, kurse në politikë është ende herët duke qenë se kam vetëm 2 vite pjesë e politikës. Takimi i parë me kryeministrin ka qenë në mars të vitit 2021 dhe disa ditë më vonë kryesova listën e deputeteve të qarkut të Shkodrës për zgjedhjet parlamentare.
Plotësimi dhe ridimensionimi që i bëjmë vetes kohë pas kohe, na bën dhe të shkojmë në atë çfarë duam vërtet, si ka qenë ky proces për ju? I keni pasur qëllimet e qarta?
Po, shumë të qarta që në fillim. Kam punuar në sektor privat gati 10 vite, gjithashtu po një dekadë kam qenë e angazhuar në akademi dhe shoqëri civile. Mendoja që mund të bëhej më mirë dhe më shpejt për Shqipërinë por për Shkodrën në veçanti. Kjo e fundit ishte edhe arsyeja pse vendosa t’i bashkohem politikës.
Kur e shihni veten tuaj në atë pasqyrën tuaj, në të cilën vetëm ju mund të krijoni elemente të imagjinatës dhe kujtesës, si e krijoni Edonën në etapa të ndryshme të jetës, nisur që prej fëmijërisë, adoleshencës, rinisë, shkollës, profesionit, e shumë detyra të tjera?
Do e përkufizoja “një punë në proces”, proces i cili vijon ende. Fëmijëria sigurisht është faza më e lumtur.
Meqë u përmend fëmijëria, si ka qenë ajo për ju, na rrëfeni disa copëza kujtimesh që për ju janë më të brishtat dhe më të veçantat?
Më e “brishta” është mosdëshira për të shkuar në kopsht, nuk e kam dashur. Ndërkohë që çdo kujtim të bukur e lidh me Velipojën, familjen, shoqërinë.
Shkodra është djep kulture e ju duke ardhur nga ky qytet me siguri keni të gdhendur në kujtesë shumë momente të bukuara, por a mund të na thoni 5 prej tyre, në etapa të ndryshme të jetës tanimë?
Muzika- Shkodra jeton me muzikën, jo vetëm që ka prodhuar këngëtarë ndër breza si Mukades Çanga, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Frederik Ndoci apo të rinjë si Arilena Ara, Elhaida Dani etj. Edhe unë si shumë fëmijë kam qenë e aktivizuar në muzikë në shkollë dhe atë që njihej si “shtëpia e pionerëve”.
Arti- Askund si në Shkodër qyteti nuk është impaktuar nga dinastia Marubi për një kohë aq të gjatë e me një shtrirje aq të gjerë. Po aq impakt ka patur arkitekti Kolë Idromeno, veprat e të cilit kemi ende shansin t’i vlerësojmë në disa zona të qytetit apo kur çdo i ri bën një xhiro në zonën e Gjuhadolit në pedonalen e qytetit.
Humori– jo vetëm qyteti por edhe mbarë vendi ka gjetur një rreze shpresë veçanërisht gjatë ditëve të vrenjtura të para viteve 90’ nga humori i mjeshtrave të mëdhenj si Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhai, Edmond Halili, Zef Deda etj por edhe brezi i ri i artistave të teatrit Migjeni kanë ndikuar në filozifinë e qytetit për ta jetuar jetën bukur dhe me buzëqeshje. Kujtimi më i këndshëm i vitit të ri është humori shkodran në sfond dhe jam shumë e lumtur që vjet arritëm ta rikthenim në Shkodër “sofrën shkodrane”.
Sporti– Nuk flas vetëm për Vllazninë historike, skuadrën më të vjetër të futbollit, por edhe për suksesin e fundit të skuadrës së futbollit të vajzave të Vllaznisë e cila fitoi për vitin e 10 rradhazi titullin kampion. Me sportin përshembull kam një histori të gjatë nga fëmijëria në universitet në basketboll e volejboll (qartësisht përpjekje të dështuara të familjes për ndonjë centimetër më tepër) dhe tenis.
Arsimi– Nuk mund të jesh djep kulture pa shtylla të forta arsimi. Shkodra vijon të dallohet në nivel kombëtar e ndërkombëtar për rezultatet e shkëlqyera që të rinjtë arrijnë në konkurse e olimpiada. Duke ardhur nga një familje që arsimin ka patur kryefjalë mendoj që rrugëtimi akademik menjëherë pas diplomimit ka qenë një vazhdimësi natyrale. 11 vjet mësimdhënie në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës më kanë dhënë një kënaqësi dhe përmbushje që ta jep vetëm salla apo klasa.
Çfarë përfaqëson Shkodra për Edonën dhe Edona për Shkodrën?
Shkodra për Edonën është konaku, pjesë e pandarë e identitetit. Edona për Shkodrën është përfaqësuesja në sallën më të lartë të vendimarrjes në vend dhe një lobuese e kërkuese për çdo gjë që kthen Shkodrën në majat që meriton.
Vit pas viti keni marrë tituj të rinj, detyra të reja, përgjegjësi të mëdha me të cilat keni krijuar personalitetin tuaj, si janë këto ndryshime dhe këto përgjegësi për ju?
Fatmirësisht kanë ardhur gradualisht, e vlerësuar mes të rinjve të Shqipërisë, 21 vjeçe e angazhuar në mësimdhënie, mentorja e vitit, kompania që drejtoja e vlerësuar mes më të sukseshmeve të industrisë por sigurisht përgjegjësia më e madhe është ajo aktuale. I shikoj detyrën si një mundësi për të impaktuar jetë njerëzish për më mirë, mundësi që duhet realizuar me përgjegjësinë më të madhe. Unë e them me shaka që kam edhe një bonus: e bëj punën me shumë qejf.
Si e gjetët veten në politikë?
Transformim total, një mjedis krejt i ndryshëm nga ai që isha mësuar në biznes, akademi apo shoqëri civile. Fillimi ka qenë jo i thjeshtë për baltën e pamerituar dhe që në mënyrë naïve mendova që sdo ma hidhnin duke njohur veten në raport me përgjegjësinë e funksionit publik ndaj qytetarëve. Fatkeqësisht ka shumë gjuhë urrejtjeje, të pavërteta dhe bullizëm në politikë dhe mendoj që nëse do t’i transformonim në përpjekje të përbashkëta për arsyen që faktikisht jemi këtu Shqipëria do ishte më e mirë.
Përmendëm rolet që kanë të bëjnë me karrierën tuaj, por ju prej disa muajsh keni marrë një rol special, unik, atë të nënës? Çfarë përfaqëson për ju ky rol?
Eden ka ndryshuar optikën me të cilën shikoj jetën, bëj punën e ndërveproj me këdo. Është një dhuratë që ka mbushur zemrat tona përgjithmonë.
Si e keni përgatitur veten që prej momentit kur keni marrë vesh që jeni në pritje të ëmbël, më pas gjatë pritjes së ëmbël dhe kur Eden erdhi në jetë?
Me bashkëshortin kemi shumë vite bashkë dhe duke dashur si shumë të rinjë që mendojnë të bëhen prindër presin që disa gjëra t’i kenë më për terezi që t’u ofrojnë më të mirën fëmijëve dhe meqë nuk ishte kurrë koha e duhur, vendosëm të zgjidhnim të zgjeronim familjen në momentin që ishim më të ngarkuar në kohë. Shtatzëninë duke qenë se kam qenë në punë deri një ditë para se të lindja nuk e kam ndjerë plotësisht ngarkesën emocionale. Ndërkohë, kur Eden lindi ishte fundi i pritjes dhe fillimi i rrugëtimit më të bukur në botë.
A ka formula mëmësia, apo është rol për të cilin çuditërisht (ose jo) thjesht ndihesh e përgatitur?
As nuk ka formula, por unë nuk mund të them që isha e përgatitur dhe kam pyetur e vazhdoj pyes shumë-shumë-shumë për shumë aspekte të lidhura edhe me mëmësinë edhe me mirëqënien e djalit.
Po mos ta larguar vëmendjen nga Edeni, tek i cili do të rikthehemi sërish, por le ta çojmë vëmendjen te një tjetër person i rëndësishëm në jetën tuaj, bashkëshorti, si ka qenë njohja me të?
Ne kemi shumë vite bashkë, është histori që do shërbente si skenar filmi por do ndaj vetëm që jemi edhe shokë përveçse bashkëshortë. Është mbështetësi më i madh dhe kritiku më i madh.
Ne shohim Edonën si ministre, por si është Edona si bashkëshorte?
Prej dy vitesh jam në “borxh”. Për shkak të intensitetit të punës, koha është e kufizuar, mundohem pa sukses të veçantë që kur jam prezente të jem aty edhe mendërisht veçse me trup.
A ka qenë bashkëshorti mbështetësi numër një në vendimet tuaja të karrierës politike?
Bashkëshorti nuk ka qenë dhe vijon të mos jetë dakord me karrierën time politike pavarësisht se është mbështetësi kryesor. Kjo sepse vij nga një karrierë e suksesshme në sektor privat pa patur koston e komenteve, apo të pavërtetave që shoqërojnë këdo në rrugëtimin politik dhe këto kosto i mban edhe familja jo vetëm unë.
Si e ndani mes jush kohën që i dedikoni djalit, apo kjo nuk ka ndarje, të dy jeni aty kurdoherë?
Edeni ka një bekim, ka të 4 gjyshërit prezentë dhe që ndihmojnë në rritjen e tij. Ndaj koha pjestohet me gjashtë.
A keni qenë një prej vajzave që e krijojnë një panorama të familjes dhe e keni ushqyer me vite, apo edukimi dhe atashimi ndaj karrierës e profesionit ia ka marrë pak hapësirën atyre mendimeve?
Kam menduar gjithmonë që një grua mund t’i bëjë të dyja, e për këtë duhet mbështetja e familjes, por edhe e punëdhënësit. Në kompaninë që kam drejtuar kam bërë më shumë sesa çfarë kërkon kodi i punës për të përkrahur gratë e skuadrës si gjatë shtatzanisë edhe kur janë bërë me fëmijë. Kjo qasje m’u shpërblye pasi kur erdhi radha ime, pata një përkrahje të jashtëzakonshme nga kryeministri, shefja e e tij e kabinetit, sekretari i përgjithshëm dhe gjithë skuadra. Është diçka që e kam vlerësuar dhe do jem mirënjohëse gjithë jetën.
Edeni është vetëm pak muajsh, por duke e njohur njëri-tjetrin mirë, cili prej jush do të jetë pak më autoritatar e e cili do të mundohet të ruajë balancat?
Unë kam frikë që do jem më autoritarja pasi disiplinën dhe vokacionin ndaj punës e kam shumë të shenjtë. Besoj që bashkëshorti do të jetë “polici i mirë” në familje.
Nëse kjo intervistë do të shkojë në duart e Edenit një ditë, çfarë këshille do të donit që të lexonte?
Gjëja që dëshiroj më shumë pas shëndetit për Edenin është që të jetë i lumtur në çfarëdo që do të vendosë të bëjë.
Si është dita e ministre Edonës?
Sa për dy ditë (qesh). Sigurisht që nuk është punë 8:00-16:30 dhe hënë- premte, por unë e dua shumë punën që bëj dhe çdo rezultat i madh e vogël i punës që bëjmë si skuadër është doza e mjaftueshme e motivimit për të mos e ulur ritmin.
Si i keni marrëdhëniet me gatimin?
E kam patur shumë të mirë kur kisha më shumë kohë. Por jam vlerësuese e produkteve vendase dhe ushqimit të gatuar në shtëpi dhe është diçka që roli i ri nuk e ka ndryshuar.
Mes shumë angazhimet, ndoshta të pyesësh për kohën e lirë është paksa si të vësh thikën në plagë, por në ato herë kur keni kohë të lirë, çfarë preferoni të bëni, cilat janë hobitë tuaja?
Unë nuk e njoh definicionin e pushimeve, por nuk e kam njohur kurrë në fakt, nuk është diçka që ndryshoi politika. Jam gjithmonë aktive por kjo balancë funksionon për mua. Velipoja është vendi im i çlodhjes pavarësisht se edhe atje pushimet nuk janë plazh tipik, por takime dhe laptop me vete, kohë për distancim nga vrulli i përditshëm dhe karikim për punë e ide të reja.
Po marrëdhënia me kolegët, ministrat, ministret si është?
Korrekte, jemi pjesë e një skuadre që kemi një qëllim.
Nëse jeni në një tavolinë të gjithë bashkë, cilat janë ato bisedat që bëni (përveç punës), shkëmbeni mendime për tema me interes të përbashkët?
Është shumë e vështirë që të bëjmë biseda jashtë punës, pasi edhe nëse ndonjëherë që mund të qëllojë të diskutohet diçka jashtë punës, e gjejmë veten sërish duke diskutuar për punë.
A krijohen shoqëri në mjediset e punës, apo jeni skeptike te kjo pjesë?
Në punë për mua është e rëndësishme të ketë harmoni dhe klimë pozitive pasi e mendoj të lidhur direkt me produktivitetin.
Sa miq të ngushtë ka Edona, numërohen me gishtat e njërës dorë, apo shkojnë më përtej?
Me gishtat e dorës. Jam shumë falënderuese për ta dhe krenare që miqësia me ta vijon prej gati dy dekadash.
Çfarë e bën një marrëdhënie të shëndetshme, jo vetëm marrëdhënien në çift, por në të gjitha dimensionet, në shoqëri, familje, në punë, kudo?
I pari është komunikimi. Mendoj që kur flasim me kujdes, jemi empatikë dhe të vërtetë. Këto janë themelet e çdo marrëdhënieje të shëndetshme afatgjatë.
A ka ministrja një politikan të preferuar, përmes të cilit ndoshta edhe ka marrë këshilla e mësime të drejtpërdrejta ose jo?
Personazhi i politikës që kam ndjekur dhe vlerësuar veçanërisht vitet e fundit është Jacinda Ardern, ish-kryeministrja e Zelandës së Re. E kam ndjekur aktivitetin e saj deri në dorëheqje dhe besoj që ajo është edhe fenomen më shumë se rast individual. Lidhur me këshillimin patjetër që me kryeministrin tonë, nga i cili po mësoj shumë jo vetëm për fushën që mbuloj, por shumë më gjerë.
Një mesazh për vajzat nga Edona shumëdimensionale.
Me punë arrihet çdo gjë dhe kur të jeni në majat ku keni synuar dikur të arrinit ndihmoni edhe vajza e gra të tjera të ngjiten.