Pranvera vjen me një lule, me dy, me një pafundësi lulesh për të krijuar kurorën e viteve që kalojnë, e jetës që plotësohet në të gjitha dimensionet e saj. Kështu, plot lule është edhe pranvera e Marselës që numëron kujtime, projekte dhe një përvjetor të veçantë këtë vit. Në mars me Marselën, për të kujtuar fëmijërinë, për të zbuluar detajet e albumit që vjen së shpejti, copëza të historisë së dashurisë me Vitmarin, u përhap edhe pak aromë dasme. Pak nga pak, për dashurinë dhe për Marselën që këtu në “WHO” i ka thënë të gjitha.
Intervista nga Manjola Markola/ Fotot: Endrit Mërtiri/ Hair & Make Up: Suela Çangu Veshjet: Joni Peci/Fashion Editor: Miranda Dupi/ Aksesorë: Swarovski
Mars me Marselën e çdo stine, kështu më pëlqen të të quaj, jemi në muajin e tretë të vitit, por më thuaj, si ka nisur ky vit për ty, ke vënë në vijë realizimin e atyre qëllimeve që i vëmë çdo fundvit për vitin pasardhës?
Ka nisur me pozivitet, sepse ka nisur me një përkushtim total mbi ato që janë projektet profesionale mbi të cilat kam shpenzuar shumë energji dhe kreativitet që në 2023-in. Kur jam e fokusuar dhe e angazhuar mbi diçka që më pëlqen, ndihem e kompletuar.
Mes qëllimeve, ne kemi zbuluar atë më të veçantin e këtij viti, do të kemi “EP” tënd të parë, ose minialbumin që të jemi të sinqertë mezi e kemi pritur. Si ndihesh që tani je në fazën e fundit dhe për pak ditë do të dëgjojmë këngët e “Petale”, sepse kështu titullohet apo jo?
Po, albumi titullohet “Petale” është një projekt me 4 këngë të reja, të punuara me shumë dashuri dhe shumë dëshirë për të sjellë diçka ndryshe në muzikë. Diçka që më përfaqëson si artiste dhe si njeri në tinguj, fjalë dhe stil në çdo këngë. Jam e lumtur që për këtë EP kam patur mundësinë të bashkëpunoj me artistë të mrekullueshëm dhe plot stil si Sardi Struga, për sa i përket muzikës dhe teksteve, Killua për tekstin e këngës “Ata puthen” , Arnon dhe Eugen Herri për sa i përket orkestrimeve. Jam ndier e përqafuar në studio gjatë gjithë kohës së krijimtarisë dhe të punës mbi produksionet. Ishte fiks ajo energjia që më duhej për të sjellë në dritë diçka që e kam shumë përzemër.
Si e ke quajtur rrugëtimin tënd në muzikë përgjatë këtyre viteve, mendon se arrin që çdo etape të jetës ti vendosësh një emër të veçantë, deri sot kur me siguri publikimi i këtij albumi tëndin, mbyll një cikël me rëndësi?
Rrugëtimi im në muzikë, që në hapat e para, ka qenë një surprizë e bukur gjithmonë, sepse përpos faktit se që e vogël ëndërroja skenën, ëndërroja të këndoja përpara publikut, ëndërroja drita që ndizeshin dhe duartrokitjet e publikut, kurrë s’do kisha imagjinuar që do arrija këtu ku jam sot. Arti nuk është rrugë e lehtë dhe e parashikueshme, akoma më shumë kur lind në një familje të thjeshtë dhe pa shumë mundësi për të mbështetur karrierën e fëmijëve. Ndaj falë shumë sakrificave dhe këmbënguljes për të realizuar ato ëndrrat e fëmijërisë, falë fatit, dhe falë Zotit jam mirënjohëse për çdo hap, për çdo etapë që kam arritur deri më sot.
Si janë këngët, na zbulo disa detaje?
Janë 4 këngë dashurie ku gërshetohen ironia, ndjenjat e vërteta dhe nostalgjia. 4 kompozime me ritme që kujtojnë në njërën, tingujt dhe ngjyrat e Mesdheut, në tjetrën ato të pop-rockut, në tjetrën një Paris të viteve ‘20 apo Romën e “La dolce vita”.
Kur mendojmë muzikën “live”, mendojmë Marselën, kur mendojmë baladat që na ngrohin shpirtin mendojmë Marselën, një muzikë që ndër vite është bërë njësh me shijen e mirë, ka qenë ky qëllimi yt kur ke menduar të rikthehesh në Shqipëri dhe të ndjekësh ëndrrën tënde më të madhe?
Qëllimi im ka qenë, dhe vazhon të mbetet, të sjell vetveten, të sjell sinqeritet te publiku, pa shumë struktura të paramenduara që shpesh në muzikë krijohen për të dale më shumë në pah apo për të qenë më shumë masiv. Unë dua të jem Marsela, ajo artiste e cila është ushqyer me muzikë të mirë dhe me shije pak më të përzgjedhur artistike. S’kam dashur shumë të trasformohem për hir të trendeve apo shijes së publikut. Jam me fat që atë cfarë unë ndiej në shpirt dhe shpreh në skenë, është përqafuar nga publiku i cili edhe pas kaq vitesh më ndjek, më përkrah dhe jep frymëzim për vazhduar edhe më tej.
Çfarë e bën një artist të evidentohet, në një botë ku ka gjithçka dhe njëkohësisht asgjë?
Për mua nga elementet më të rëndësishme janë identiteti, autenticiteti, karakteri, vërtetësia. Të mbetesh vetvetja si një vulë apo markë e cila është unike. Kjo nuk njeh kohë apo skandencë.
Kur e kthen kokën pas dhe kujton gjërat që ke bërë dhe ato që nuk ke mundur ti bësh, nga cila anë shkon peshorja?
Kam bërë shumë, jam munduar të kap çdo moment me aq strumenta në dispozicion që kam patur dhe ta ktheja atë në një gjë të mirë. Sigurisht që nëse do kthehesha pas me kohën, me mundësi pak më të favorshme ndoshta do isha fokusuar më shumë në realizimin e më shumë këngëve origjinale.
Ti këtë vit feston një përvjetor me rëndësi, 40-vjetorin, gojëdhënat thonë që ky përvjetor nuk festohet për atë që përfaqëson numri 40, por duke i lënë pas këto, çfarë përfaqëson në fakt për ty ky vit?
Kush ju ka dhënë juve këtë informacion jo të vërtetë ? Festoj 20-vjetorin por dy herë në një vit. Shaka! Është një ndryshim i rëndësishëm, si një moment “kufi” midis një periudhe pak më lozonjare dhe ku kam lënë që të shkonte gjithcka siç vinte vetë nga jeta me atë të një periudhe ku përcaktoj vetë disa ëndrra dhe objektiva të tjera, më të pjekura, më konkrete, me më shumë ndërgjegjësim për cfarë jam dhe cfarë kërkoj. Është një moment ku kupton edhe më shumë vlerën e çdo momenti si dicka që ndodh vetëm njëherë në jetë.
Të shkojmë pas në kohë, deri te fëmijëria, si ka qenë ajo periudhë për ty, duke kujtuar edhe faktin që ka qenë pikërisht ajo kohë kur je larguar nga Shqipëria?
Fëmijëria ime ka arritur të kap një periudhë të vështirë për të gjithë shqiptarët, atë të tranzicionit, të emigrimit, të dëshirës për të ndjekur më në fund ëndrrat dhe lirinë. Kohëra të vështira dhe të vërteta në çdo ndjenjë të cilat sot pak e komplikuar që të kuptohen si reale, t’i tregosh duken si film. Ishin kohëra ku pasiguria për një të ardhme më të mirë dhe peripecitë e një rifillimi larg rrënjëve të bënin që të rriteshe para kohe pa shumë komoditete apo përkëdhelje.
Ke kaluar shumë vite në Itali, më konkretisht në Romë, ç’vend zë ky qytet në formimin dhe gjithë atë çfarë ti përfaqëson si njeri dhe si artiste?
Roma është shtëpia ime, ajo që më hapi dyert në një moment të vështirë. Ajo që më dha mundësinë të formohesha si njeri edhe si artiste, ajo që më dha çelësin për të parë çdo stinë të jetës, me të tjera ngjyra dhe tjetër shije, me tjetër finesë. Kam shumë nga Roma ose nga Italia në përgjithësi, në shpirt, në mënyrën se si shikoj jetën rreth e rrotull, se si shikoj muzikën dhe artin.
Ka shumë vite që je në Shqipëri dhe sigurisht që përshtatja këtu tanimë është e plotë, por a ka ndonjë moment që thua “Ah, të kisha qëndruar në Romë, se kjo, po kjo tjetra”, me pak fjalë gjëra që të mungojnë dhe këtu për një apo 1 milion arsye nuk i ke gjetur?
Ka patur momente ku kam dashur më shumë të isha në Romë, kjo vetëm për faktin që kam ndier shumë mungesën e familjes e cila vazhdon të jetoj në Itali dhe të miqve me të cilët jam rritur.
Për të tjerat jo shumë, Shqipëria, Tirana më kanë dhënë kaq shumë dashuri, kaq shumë sadisfaksione që s’kam patur nevojë të kërkoj dicka ndryshe. Pastaj falë edhe rrethit të miqësive që kam krijuar këtu, tashmë kam një “Little Italy” edhe këtu në kryeqytet. Diell dhe gatime të mira nuk na mungojnëkëtu, ndaj pak Romë e rikrijova në Shqipërinë e zemrës.
Mendon se e bëjmë ne fatin, apo fati na çon në rrugët që ka vendosur për ne?
Luajnë të dyja një komponent të rëndësishëm në ndërtimin e gjërave. Janë forca të cilat shpesh nuk kontrollojnë dot njëra-tjetrën. Fati është dicka që disa herë e orientojmë ne ( si përshembull këmbëngulja ime për t’u rikthyer në Shqipëri pas shumë vitesh) dhe fati është njëkohësisht dicka që nuk mund të orientojmë shumë , sepse varet nga rrethanat, nga momenti apo thjesht nga projekti që Zoti ka bërë për ne (fakti që përshembull si artiste pata menjëherë sukses te publiku i gjerë, kjo nuk ishte në dorën time).
Muzikë, Itali, projekte, por ka një person në jetën tënde që plotëson gjysmën e shpirtit, Vitmari, partneri yt i jetës, na thuaj disa detaje nga marrdhënia juaj disavjeçare? Duhet të kujtojmë se në WHO ka qenë dhe dalja e parë si çift. Në ç’moment e ke ndier që Vitmari është gjysma jote më e mirë?
Po është e vërtetë, në “Who” ka qenë dalja jonë e parë si çift publikisht, madje kemi qenë kopertinë. dhe ne kemi një kujtim shumë të bukur të realizimit të atij seti fotografik. Eraldo ka pasur eskluzivitetin pari, ndaj dhe do jetë i ftuar në dasmën tonë. Vitmari jo vetëm për mua, por për këdo që e takon është një bekim për djalin plot vlera dhe shpirtin e bardhë që ka. Ne tashmë kemi vite bashkë dhe krah njëri-tjetrit jemi jo vetëm partnerë, por edhe shokë të ngushtë. Jemi një themel i rëndësishëm për jetën e njëri-tjetrit. E jona ka qenë një alkimi e pashmangshme, kemi shumë gjëra që na bashkojnë, muzika, formimi artistik, Italia ku jemi rritur, dashuria për vendin tonë, për natyrën, për të vërtetën. Me pak fjalë në këtë rast “Fati” luajti vetë rolin më të rëndësishëm dhe të pakontrollueshëm. Ne thjeshtë ndoqëm ndjenjat.
A ka receta për marrëdhënie të shëndetshme, apo janë njerëz të ndryshëm, kohë të ndryshme që krijojnë raporte të ndryshme?
Jeta e gjitha është një short, jo më kot në shumë gjuhë të ndryshme, partnerin e jetës e quajnë “bashkëshort/e” sepse është shorti që e sjell afër teje për ecur bashkë në këtë aventurë të bukur dhe plot të papritura që quhet “jetë”. Luan një përqindje të madhe fakti i përputhjes karakteriale dhe i vlerave që në fillim, por më tej duhen edhe disa ingredientë siç janë mirëkuptimi, durimi, bujaria, vëmendja, altruizmi etj, për të kapërcyer më mirë edhe momente me stuhi që mund të sjellë jeta. Ne kemi punuar dhe çdo ditë punojmë që t’i mbajmë të hekurta disa kolona të rëndësishme për një marrëdhënie të shëndetshme.
Ka ndonjë gjë që prej kaq vitesh ti dhe Vitmari nuk keni mundur të bini dakord?
Sigurisht , e fillojmë nga motorët, ai ka pasion motorët unë jo, madje i kam frikë. Muzika në kompozim, Vitmari mundohet pak, ose ka më shumë vështirësi të dalë nga ajo korniza e shijeve të tija apo bindjeve të tija.
Palestra, disiplina dhe përpikshmëria me të cilat ai bën gjërat që nis. Unë ndonjëherë lodhem rrugës dhe i zvarris më shumë.
Ajo martesa që nuk u bë, iu ka mbetur peng, do kemi më vonë, apo jeni në ujëra të tjera tani?
Jemi në ujëra të tjera tani, angazhimet e punës më kanë marrë shumë kohën dhe energjinë nga gjëra të tjera. Por ende vazhdojmë të kemi dëshirë për të bërë një festë me miqtë dhe njerëzit e zemrës. Kushedi mbase ky do jetë viti. Nuk e dimë ende. Ne nuk jemi shumë të planeve “1 vit përpara” mund të ndodhë që brenda muajit organizojmë dhe bëjmë dasmën.
Para pak vitesh kalove dhe një sfidë të guximshme me veten, atë të humbjes së peshës, duke u bërë shembull jo vetëm i vetes, por edhe i shumë vajzave për të cilat ke qenë dhe je frymëzim. Ajo që vëmë re nga një kontroll në Instagramin tënd është se edhe pse tani je në peshën që ti do, fotot e vjetra nuk i ke fshirë. A është ky një mesazh i qartë për të treguar se ne në fakt jemi një formësim i të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë?
Humbja në peshë erdhi si një kërkesë ndaj vetes për të qenë së pari më në shëndet dhe së dyti edhe më e lehtë në trup apo në estetikë. Por së pari vinte shëndeti. Kurrë nuk kam patur turp apo kurrë nuk kam fshehur të jem ajo që jam edhe me format e mia jo perfekte, sepse dhe për këtë vazhdoj të jem e bindur, që secili prej nesh është perfekt në unicitetin e tij. Ndaj në ato foto të vjetra e Marselës pak më formoze e disa viteve më përpara i ruaj dhe i pëlqej sepse është po e njëjta Marsela e sotme dhe jam krenare për të dyja sepse kam qenë dhe jam po unë. E vetmja gjë që ndryshon, është që sot e dua më shumë veten dhe mundohem të respektoj shëndetin, trupin tim si e vetmja gjë që kam në pronësi për sot dhe për të ardhmen. Mundohem ta trajtoj më mirë. Nëse eksperienca ime mund t’i shërbejë dikujt tjetër, unë jam mëse e lumtur.
Album, përvjetor me rëndësi, na zbulo çfarë do të shohim tjetër nga Marsela këtë vit?
Në prill do jem e ftuar speciale në koncertin e artistit dhe mikut tim Olen Cesari në Pallatin e Kongreseve.
Jam duke punuar mbi këngë të reja të cila do dalin gjatë verës dhe pastaj në tetor vjen diçka akoma dhe më e bukur. Por nuk po zbuloj më shumë “per skarmancia” thonë italianët. Do iu vë në dijeni shumë shpejt për çdo gjë. Më uroni fat.
Mars me Marselën, që pranvera të jetë diell-diell, na jep mesazhin tënd për muaj që presim dhe qëllimet që duam të realizojmë?
Të marrim dhe të dhurojmë sa më shumë diell. Dimri kaloi dhe ditë më të bukura na presin të gjithëve. Ta shijojmë çdo ditë që jeta na jep, sikur të ishte dita e parë e pranverës gjithmonë dhe jam e bindur që ai diell do ngrohë mendimet, ndjenjat, ëndrrat tona.