Supermodelja e parë shqiptare prezanton për herë të parë të vegjlit në kopertinën e revistës “WHO”. Lindja e binjakëve, reagimet e të birit Aiden dhe bashkëshortit Todd. Bukuroshja rrëfen nga Amerika ndryshimet e muajve të fundit
[metaslider id=587]
Nga Eraldo Rexho
Dhe historia përsëritet… Fiks një vit pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë, Valbona Çoba rijeton emocionet e të bërit nënë, këtë herë me binjakë. Elira dhe Brendon, janë emrat e dy engjëjve të rinj që i kanë shtuar lumturinë familjes, e cila, po të kishte qenë për mami Bonën, do të ishte edhe më e madhe në numër. Po çfarë ka ndryshuar tani në jetën e saj? Si e ndan kohën mes tre fëmijëve? Sa e ndihmon Todd me të vegjlit? Po Aiden, si ndihet? Përgjigjet për këto dhe të tjera pyetje, supermodelja e famshme shqiptare, i jep në vijim të kësaj interviste të parë pas ardhjes së binjakëve, që fati e deshi të ma besonte sërish mua, njësoj si pas lindjes së Aiden. Kjo që do të pasojë është historia e Valbonës, zeshkanes me sytë e shkruar, që festat e këtij viti (në pritje të 2015) e gjejnë më të realizuar se kurrë; plotësisht të dashuruar dhe të ‘çmendur’ pas familjes së saj të madhe.
Një familje e madhe tashmë. Si po ndihesh?
Sigurisht, është një ndryshim i madh. E ndjen ndryshimin edhe kur vjen në shtëpi një fëmijë, aq më tepër kur vijnë dy, është një kaos më i madh akoma. Çdo gjë ndihet dyfish: lodhja, por dhe dashuria, kujdesi, stresi e pagjumësia. Dhe të mos harrojmë që edhe Aiden, vërtet është më i madh se binjakët, por është akoma i vogël dhe do kujdesje e vëmendje më vete… Por, ju them një gjë: jam plotësisht e dashuruar dhe e ‘çmendur’ për familjen time të madhe!
Si e ndan kohën me të tre?
Është e vështirë ta ndash kohën me të tre, në kuptimin që, secili të ketë kohën e vet, pa e ndarë me një tjetër. Në më të shumtën iu kushtoj të paktën dy prej tyre vëmendje në të njëjtën kohë, dhe njëri është gjithmonë Aiden (vëllai i madh). Kujdesem që ai të mos ndihet i veçuar apo të mendojë që prej motrës ose vëllait ai s’ka kujdesje ose ka më pak dashuri.
A është bërë xheloz Aiden për binjakët?
Aiden është i vogël akoma dhe, sigurisht, bëhet xheloz. Sidomos kur të dy, edhe unë, edhe bashkëshorti, jemi duke ushqyer Elirën dhe Brendon në të njëjtën kohë. Por kur i dëgjon që qajnë nëse unë jam duke bërë diçka tjetër, vjen me vrap dhe më tërheq nga krahu ose bluza që të shkoj shpejt e t’i pushoj. Madje, kur jam duke i ushqyer, vjen dhe u puth dorën. Po jam munduar që ta bëj dhe Aiden pjesëmarrës të rutinës së binjakëve. P.sh., kur u ndërroj bebelinat ose veshjen, e bëjmë së bashku dhe ai kënaqet që ndihmon. Pastaj Aiden shkon në klasë muzike një herë në javë dhe atje e çoj unë. Gjithmonë pas klasës shkojmë në një dyqan lojërash, ku ai luan, dhe kjo është koha jonë. Ose, kur shkoj jashtë për ndonjë punë, mundohem ta marr me vete, që ai të mos ndihet keq ose të kujtojë se mami e do më pak tani. Por, sigurisht, nuk është e lehtë.
Si janë ata? Kujt i ngjajnë më shumë?
Binjakët s’janë identikë, por megjithatë, sigurisht që e kanë lidhjen të veçantë.
Ndodh që të qajnë të dy njëherësh?
Kur qan Brendon, Elira, megjithëse s’ka arsye për të qarë, bën au au, derisa më sheh mua pranë dhe pastaj pushon. Është vërtet e jashtëzakonshme lidhja e binjakëve! Ndërsa kur qajnë në të njëjtën kohë (se duan të ndërrohen apo të ushqehen), të dy pushojnë sa afrohem unë, edhe pse unë vetëm njërin mund të ndihmoj.
A do jenë ata gjysmë shqiptarë, apo do rriten si amerikanë?
Patjetër që do rriten edhe si shqiptarë, edhe si amerikanë. Emri i vajzës e tregon këtë: Elira! Në fakt, ishte Todd që e gjeti emrin e saj. Po dhe Aiden flet shqip po aq sa flet dhe anglisht.
Thonë që, për të rritur binjakë duhet një shkollë më vete; si po ia del?
Vërtet është shkollë më vete, vetëm se e përditshmja të mëson më shumë sesa mundet dikush tjetër që ka kaluar të njëjtën situatë. Askush dhe asgjë s’të përgatit dot për atë çka po vjen.
Të ndihmon ndokush?
Kam ndihmë, patjetër! Aq më tepër kur shpenzoj kohë vetëm me Aiden, dikush duhet të kujdeset për vajzën dhe djalin. Në fakt, u mundova ta provoja pa ndihmë dhe nuk them që s’bëhet, vetëm se, përveç vështirësive të dukshme, është e pamundur të mos japësh ose tregosh më pak dashuri. Kaos i vërtetë…
Ndodhi që ti nuk prite shumë për të provuar sërish ndjesinë e të bërit nënë; ishte kjo një zgjedhje e jotja?
Ishte zgjidhja ime që të lindja sërish shumë shpejt. Vitet kalojnë dhe dua që të shpenzoj sa më shumë kohë me fëmijët. Meqenëse u bëra nënë më vonë se shumë vajza të moshës sime, mendoj që kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme që unë të kënaqem dhe të arrij të shoh sa më shumë prej jetës së tyre. Madje, po të isha në moshë më të re, se s’bën do kisha familje edhe më të madhe. Jam, mund të thuash, obsesive me të qenët nënë. S’paska gjë më të bukur dhe madhështore!
A ka ndryshuar marrëdhënia bashkëshortore tani?
Patjetër që marrëdhënia bashkëshortore ka ndryshuar. Jo në ndjenja, në sjellje apo diçka tjetër, thjesht në kohën që i kushtojmë njëri-tjetrit. Që kur lindi Aiden, prioriteti i jetës për të dy ne u zhvendos. Në fakt, javës që kaloi, që kur Brendon dhe Elira kanë lindur, ne dolëm për herë të parë. Aq më tepër tani që binjakët janë akoma shumë të vegjël, them se kjo gjë nuk do ndodhë shumë shpesh. Tani për tani i planifikojmë daljet dhe punët në mënyrë që njëri nga ne të jetë gjithmonë në shtëpi.
Tani që je nënë e tre fëmijëve, sa kohë të mbetet për veten?
Nëse e llogaris ditën që, po të ngelet kohë, do bëj diçka për veten, atëherë s’do bëja asgjë asnjëherë. Kohë s’mbetet absolutisht për asgjë, përkundrazi! Shpesh uroj që dita të kishte 36 orë, jo 24, po dhe atëherë them se prapë s’do mbetej kohë. Por është e rëndësishme që t’ia krijoj vetes pak kohë, që do jetë vetëm e imja. Ndryshe nuk do mund të funksionoja në mënyrë të shëndetshme, në radhë të parë për fëmijët dhe pastaj për veten. Në fakt, është për të qeshur se, sado që kur çohem në mëngjes bëj plan për ditën: ‘do bëj këtë, do bëj atë’, në fund të saj asgjë s’ka shkuar sipas planit. Përpara dy javësh vendosa të bëja një ndryshim të dukshëm të vetes. Dhe, s’kisha shumë zgjedhje përveçse të ndryshoja ngjyrën e flokëve. Kështu, vendosa dhe u bëra bionde. Siç të thashë, javën që kaloi për herë të parë dolëm të dy bashkë. Ishim të ftuar në një darkë miqsh. Dhe, që në mëngjes bëra plan të shkoja në sallon të krihja flokët, aq më tepër që asnjë nga miqtë nuk dinte për këtë ndryshim timin. Por… kur erdhi puna që do dilnim, unë përsëri i mbajta flokët të mbledhur topuz, sepse s’gjeta kohë të përshtatshme për t’i krehur bukur. Besoj jam nga të paktat femra që kthehet nga brune në bionde dhe s’ka kohë t’ua tregojë miqve këtë ndryshim. Kështu që, është më praktike dhe realiste që kohën për veten ta planifikoj sa më të shkurtër, ndryshe nuk do realizohet asnjëherë.
Raporti me peshën; a trembet një supermodele si Valbona nga peshorja?
Peshore moj peshore… Akoma kam pak peshë nga shtatzënia. Jo shumë, por kam ama. Nuk është realiste për mua të mendoj të shkoj në palestër apo të kujdesem për ushqimin siç kujdesesha më parë. Tani ha kur të kem kohë. Ndonjëherë ha për herë të parë në 3 të drekës ose në 5 pasdite. Kafja, mikesha ime më e ngushtë! Së bashku kalojmë shumë kohë. Por edhe atë ndonjëherë duhet ta ringroh në mikrovalë dy-tri herë derisa ta mbaroj…
Sa të mungon jeta prej modeleje?
S’kam kohë të më mungojë jeta e modelingut (qesh).
I ke thënë ‘stop’ përgjithmonë karrierës tënde?
Është kaotike jeta ime tani. “Smiling face with smiling eyes”, por kjo s’do të thotë që është përgjithmonë. Thjesht tani për tani s’bëhet fjalë t’i rikthehem. Siç e përmenda edhe më lart, fakti që jam në një moshë më të madhe, më bën paksa me panik kur mendoj që, shumë gjëra, ndodhi të jetës së fëmijëve të mi s’do t’i arrij dot, prandaj s’dua të humb asnjë moment të jetës së tyre tani që jam e pranishme.
Si po priten festat në shtëpinë e Valbonës?
Ka një ndjesi të veçantë që s’e sjell dot asnjë festë apo ngjarje si kjo që sjellin Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Një lumturi e brendshme apo një ndjenjë që çdo gjë është ‘OK’ edhe kur s’është. Gjithmonë këto festa më kanë bërë kështu. Aq më tepër tani, me një familje të madhe, këto festa bëhen edhe më speciale akoma. Ne gjithmonë bëjmë dy pemë. Sot unë dhe Aiden mbaruam pemën e dytë. Megjithëse Aiden, më shumë ndihmoi të thyente ca zbukurime të pemës, por, deri vitin tjetër, besoj ka kohë që të thyejë më pak. Sa herë ndizen dritat e pemës, Aiden mrekullohet njëlloj si ditën e parë që i ka parë dhe thotë: woooww. S’ka gjë më të bukur dhe më të mrekullueshme se kjo!
DHJETOR 2014
Discussion about this post