[metaslider id=236]
Detajet e dasmës më të përfolur të momentit dhe një set fantastik fotografish
I fundit beqar i kabinetit “Rama”, 2 dasma dhe një bast i fituar me Zotin
Nga Jonida Hitoveizi
Dasma e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj me Ajola Xoxën ishte një ndër ceremonitë më të komentuara të këtij viti. Edhe pse vetë çifti dëshironte më pak bujë, kjo ishte thuajse e pamundur. Vëmendja për personazhe të politikës është gjithmonë në doza të larta, për më tepër kur bëhet fjalë për dy figura publike. Jemi të bindur që keni lexuar dhe keni parë shumë për dasmën këto ditë, por në “Who” do të mund të shihni një set të jashtëzakonshëm fotosh, e pse jo, edhe disa detaje të pazbuluara nga ceremonitë.
- Dhurata më e madhe që çifti ka marrë në këtë dasmë ishte ajo e Zotit, edhe pse u përfol shumë për luks e dhurata të shumta nga “robi”. Nën një qiell të hapur në Kalanë e Gjirokastrës (6 shtator), atje ku çifti u kurorëzua, rrebeshi nuk ndali gjithë ditën. Pastaj me mbërritjen e të ftuarve shiu ndali si me magji. Zoti e dha bekimin e tij dhe ceremonia në kala ishte e thjeshtë, plot klas dhe nën një qiell pa re.
- Fustanet e nuses, të cilat ishin tri në ceremoninë e Gjirokastrës, nga pëshpëritjet e organizatorëve dhe të njerëzve të afërt me Ajolën, morëm vesh se ishin goxha të lirë (po, po, ekspertë që merren me këtë gjë thanë ekzaktësisht këto fjalë: goxha të lirë), por shija e nuses dhe eleganca e saj bënë që ata të dukeshin me të vërtetë “Woo”. Deri këtu jemi marrë me detajet, jo duke bërë avokatin për shtrenjtësinë e dasmës. Për arredimin e kalasë u kujdes “Geraldina Sposa”, e cila mori përsipër edhe shkëlqimin e së bardhës mbi trupin e nuses.
- Erioni ishte një dhëndër shumë i qeshur dhe lumturia vijëzohej në çdo lëvizje të tij. Të dy, si Erioni, edhe Ajola, veshën kostume popullore (ai një kostum 100-vjeçar nga zona e Beratit, ndërsa nusja një fustan 150-vjeçar nga zona e Tiranës, i trashëguar në katër breza). Nusja kërceu pa fund, më shumë se dhëndri. Endri Fuga ishte ai që dogji shaminë e beqarit, ndërsa shoqërueset e nuses ishin të veshura me fustane të zeza, po ashtu edhe të dhëndrit me kostume të zinj. Nusja ruajti deri në fund klasin e saj, ndërsa Erioni u pa më sportiv. Ilir Beqja e mori në krahë Erionin, ndërsa Ajola, sigurisht preferoi vetëm krahët e bashkëshortit të saj (por jo për ta ngritur hopa, siç kemi parë nëpër dasmat e tjera shqiptare).
- Të gjithë shqiptarët dihet që, kur shkojnë në dasmë vdesin të dinë si ishte ushqimi dhe sa kishte. Menuja që çifti kishte servirur ishte tradicionale, ku mbizotëronin sallaturinat dhe disa gatime të jugut, si qoftet me oriz, byreku etj. Torta bënte përjashtim; ajo ishte me të vërtetë një mrekulli, si për t’u parë, ashtu edhe për t’u shijuar. Përgjatë gjithë kohës u servir verë 100% shqiptare.
- Në fund vijnë të ftuarit e përzgjedhur të çiftit për ceremoninë e Gjirokastrës. Shumica ishin miq të tyre, por më shumë ranë në sy personazhet e njohura të medias e politikës. Ndër ta: Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, Saimir Tahiri, Klajda Gjosha, Ardit Gjebrea, Vjollca Hoxha, Filip Çakuli, Sokol Balla, Mero Baze, Rudina Xhunga, ambasadori amerikan dhe ai italian etj… Është e kotë të vazhdojmë me emra, se për ta besojmë keni lexuar mjaftueshëm, por po merremi me ca thashetheme për femrat e veshura më bukur në këtë dasmë. Gratë e ftuara i kishin dhënë shumë rëndësi eventit, por kishin harruar të merrnin ndonjë shall për ta hedhur krahëve. Dy gratë që ranë më shumë në sy, ishin ajo e Arben Ahmetajt dhe e Taulant Ballës. Nora Klosi, bashkëshortja e Blendi Klosit, ishte frymëzuar nga sharmi i Rita Orës dhe dukej shumë e veçantë po ashtu.
- Dhe kreu i Kuvendit që nuk ia thotë shumë për kërcim… Hamendësim i yni ky, pasi i vetmi që bëri përjashtim nga zakoni i të “thyerit të këmbëve” nëpër dasma ishte kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Meta zgjodhi të shijonte muhabetin dhe ngjarjen rreth tij, por nuk u çua të kërcente asnjë valle popullore të paktën. Gjithë të ftuarit e tjerë kërcyen gjithë natën, aq sa u tund kalaja.
- Një darkë intime me fisin. 120 të ftuar, familjarë të të dy krahëve, festuan me çiftin mbrëmjen më të rëndësishme të jetës së tyre, që kanë kohë që e presin. Në këtë ceremoni Ajola veshi një fustan nga salloni i Alketës, e cila u kujdes gjithashtu për arredimin.
- Një koktej për miqtë dhe të tjerë. Kjo ishte ceremonia e dytë e Veliajt dhe Xoxës, e cila u mbajt në Parkun e Pezës. Gjithçka ishte organizuar nga Alketa Vejsiu, e cila prej më shumë se një viti drejton tashmë një agjenci eventesh, ndërsa fustanin nusja e kishte marrë tek “LiliSposa”, salloni i artistes së make up-it, Lili Ismaili, e cila pikturoi Ajolën në të tria ceremonitë. Qindra miq, të njohur, kolegë e dashamirës të çiftit ishin prezentë në këtë koktej, i cili nisi në orën 19:00 të së hënës së 8 shtatorit. Ajola rrëzëllente e tëra, teksa dukej si një princeshë me flokët lëshuar, ndërsa Erioni sharmant në kostumin e tij të dhëndrit. Ceremonia në Pezë ishte e thjeshtë; ajo që binte në sy ishte veshja shik e gjithë të ftuarve, të cilët kishin zgjedhur në një masë të madhe ngjyrën e zezë, njëlloj si në filmat e Hollivudit. Një ceremoni e qetë, me tinguj pianosh në sfond, ku qindra duar përgëzuan çiftin e ri.
Detajet e një dasme janë pa fund, aq më tepër kur bëhet fjalë për një dasmë VIP. Gjithsesi, mund të shtojmë që numri i të ftuarve në Pezë ishte më i lartë se në Gjirokastër, ndryshe nga ç’u fol. Ndërsa klasi i dasmës, i pandryshuar.
Në fund, një urim nga “Who” për çiftin: Jetë të lumtur, Ajola dhe Erion! Në kopertinën e radhës ju presim me një lajm shtatzënie…
Discussion about this post