E ka ndjekur në çdo hap. Fillimisht si djalin e tij, e më pas si njeriun që e mori nën menaxhim. E sot, pas më shumë se 20-të vjet karrierë, flet për të birin, njëherësh për futbollistin e dikurshëm të Paris Saint Germain-it, Marseille, Sunderlan, Galatasaray e Lacio-s, kapitenin e kombëtares shqiptare dhe lojtarin aktual të Nantes, Lorik Cana. E derisa ky i fundit ka nisur përgatitjet për përfundimin e karrierës, Agim Cana vjen në një intervistë për “kolona.al”, ndërsa flet për Lorikun si futbollist e familjar…
Si prind, por edhe menaxher i Lorikut, ju jeni në të shumtën e kohës prane tij. Na flisni fillimisht rreth ardhjes në jetë të Boikenit. Sa ka dhënë jetë ardhja e tij në jetën e Lorikut dhe familjes në përgjithësi?
Në fakt, ne gjithmonë kemi pas një lidhje shumë të fortë mes vete. Unë jam një prind, babai i Lorikut. E kuptoj në këtë aspekt shumë mirë. Dhe sikur çdo prind tjetër, që mundohet me të gjitha forcat dhe në çdo aspekt të mbroj, të edukoj, të rris fëmijët e tij, edhe unë gjithashtu jam munduar që ta kem një familje të shëndosh. Dhe në këtë mënyrë edhe më përpara, por edhe pas ardhjes në jetë të djalit të Lorikut, Boikenit, kemi qenë shumë të lidhur. Ndoshta edhe rrethanat prej egzilit që kemi pas unë dhe familja ime, e kanë bërë të vetën. Por, prej gëzimit familjar që e kemi përjetuar 30 vjet më parë, edhe për mua e edhe për Shahinderën, nënën e Lorikut, ky i fundit është një gëzim i pamasë…një gëzim i jashtëzakonshëm, i madh. Është e vërtetë që gjithnjë kemi qenë të lidhur. Por, Boiken na ka lidhur edhe më shumë mes vete, na e ka freskuar ritmin e jetës, na ka bërë më të hareshëm. Unë si gjysh, jam shumë krenar dhe tash dua të them (me pak shaka), që ishte kënaqësi me pas edhe nipin e parë djalë (qesht). Por të presim tash, të shohim pasi që Loriku e ka idenë të bëjë shumë fëmijë. Ishalla do jetë vazhdimisht kështu, me fëmijë, me shëndet, fëmijë me fat dhe fëmijë i cili i ngrit nivelin dhe rrit marrëdhëniet familjare edhe me tepër. Boikeni me të vërtetë është një dhuratë e Zotit, një engjëll përmes të cilit e pashe më mirë se çfarë ishte Loriku me ndjenjat e tij, me emocionet e tij. Loriku gjithmonë i ka dashtë fëmijët e të tjerëve. Mos të flasim tash për fëmijën e vet. Mezi pret të përfundoje stërvitjet, apo ndeshjet e të kthehet në shtëpi ta përqafoje të birin.
Si ua dha djali juaj lajmin, për lindjen e djalit të tij?
Kjo pyetje më rikthej në kujtesë këtë moment, por edhe më preku emocionalisht. Ishte mëngjes, e në fakt unë isha në gjumë. Ishte bashkëshortja ime ajo qe më dha lajmin. Kur erdhi dhe më zgjoi nga gjumi, ishte shumë e gëzuar. “Agim, ka lind Monika”, këto ishin fjalët, të cilat më shtojnë gëzimin sa herë i kujtoj. Me të vërtetë ishe gëzim i madh. E di që e kemi shprehur me lot. Menjëherë kemi provuar që ta kontaktojmë Lorikun, por Loriku ishte në stërvitje dhe ishte e pamundur të flasim menjëherë. Sigurisht urimet ndodhën pak më vonë, atë ditë. E edhe më të begate këtë moment na e kanë bërë telefonatat e miqve dhe mesazhet e njerëzve që kanë mbërritur në adresën tonë.
Në cilën pjesë të personaliteti të tij ka ndryshuar Loriku, pas lindjes së djalit?
Loriku faktikisht nuk ka ndryshuar edhe shumë, por në njëfarë mënyrë, është ‘izoluar’. Ata persona të cilët e kanë përcjelle Lorikun gjatë gjithë karrierës së tij, e dinë se Loriku qysh si 19 vjeçar ka debutuar në Paris Saint Germain, dhe ka qenë vazhdimisht në lëvizje. Tashmë janë bërë rreth 14 vjet që luan si profesionist dhe në fakt ka qenë mjaft i lodhur, por edhe vazhdimisht prezent në media, në rrugë, me ndeshje, me streset e tij sportive të karrierës. Janë gjëra që me vullnet dhe me dëshirë i tejkalon njeriu. E tash, pas lindjes së Bojkenit, Loriku në njëfarë mënyre është ‘izoluar’ në shtëpi, me një fjalë është afruar më tepër me gruan e tij, me djalin e tij. Është një kënaqësi dhe një shembull se çfarë marrëdhënie kanë dhe çfarë dashurie kanë njëri për tjetrin.
Sa shpesh ju vijnë për vizitë tashmë me të voglin e familjes?
Shyqyr Zotit që janë të pavarur. Secili e ka jetën e vet, kushtet e veta dhe pavarësinë e vet. Për Lorikun e di që çdo gjë që them është e tepërt, por ka pas shumë nevojë si psiqikisht, sikur fizikisht që të ketë një ‘zmbrapsje’ nga ritmi, stresi dhe euforia që ka pas deri tani. Gjërat zakonisht planifikohen për një periudhë të afërt se ku do të jesh apo ndodhesh. Lorikut gjithmonë i janë realizuar dëshirat dhe tash po e shijon jetën ndryshe. Ai së shpejti bëhet 33 vjeç, dhe po plaket, sikur jemi plakur të gjithë ne. Po i kalon edhe ‘afati” (qesh). E tash në vend se pas stërvitjeve të shkoje në ndonjë restorant apo ndonjë bar e dalje me shoqëri, ai e ka gjirin familjar që me padurim shkon aty dhe rrin. E sigurisht që vijnë shpesh tek ne e edhe ne i vizitojmë, sidomos tash edhe më shumë pas ardhjes së Boikenit.
Ju thatë se Loriku po plaket. Ja thoni ndonjëherë që ‘hej po plakesh’?
(qesh) Jo absolutisht! Është një mënyrë që ne bisedojmë me Lorikun pasi ne gjërat i marrim me shumë humor, sepse të njëjtën gjë e kam bërë edhe unë, të njëjtën rrugë e kam kaluar si futbollist profesionist. Shpesh më thotë ‘babi gati e përfundova edhe unë’. Pra edhe atij i ka ardhur koha që të përgatitet për përfundimin e karrierës. Zoti e ka shpërblyer me dhuratën më të madhe në karrierën e tij, që të jetë pjesë e kombëtares dhe pjesëmarrës në Kampionatin Evropian 2016 në Francë. Është një kënaqësi kjo dhe i jep një lloj morali, si ta them, dhe një forcë që të mobilizohet edhe për një vit, apo ku ta di unë. Është shumë i lumtur, shumë!
Kush vendosi për emrin Boiken?
Emrin Boiken e ka vendosur Loriku. Ai, ka një fat që e ka një bashkëshorte shumë të mirë. Është italiane por ajo është shqiptare, si të them. Është kënaqësi të dëgjosh një italiane kur i flet fëmijës shqip. Është ideja e Lorikut për emrin, por që na ka pëlqyer të gjithëve.
E donte fëmijën e parë djalë?
Loriku kishte një siguri në vete, se Monika do t’i linde djalë. Të mos keqkuptohemi, por ne shqiptarët e duam të na linde djalë (qesh). Ndjenjat i kemi pasur për djalë, e Zoti na dëgjoi ndoshta. Unë kam Lorikun dhe dy goca. Kam Laurën 30 vjeçare, e cila është e martuar dhe ka dy goca të vogla, dhe kam gocën e dytë e cila është 13 vjeçare e që e dua më së shumti në botë. Vajza është më shumë për prindin sesa djali. Por, besoj që edhe Loriku një dite ndoshta do t’i linde edhe një vajzë dhe do e shoh çfarë do të thotë vajza (qesh).
Tashme po vërehet se Monika ua paska marrë zemrën, me sjelljen dhe mirësinë e saj. Si e pritet në fillim, atëherë kur Loriku e prezantoi atë para jush?
Kjo për ne nuk ka qenë një risi. Mos ta teproj, po mundohem të jem modest, por Loriku gjatë karrierës së tij ka pasur mundësi të takohet me lloj-lloj vajzash nga lloj-lloj nacionalitetesh e kulturash. Monika ka qenë e vetmja, e para dhe e fundit që ka jetuar 2 vjet me të. Loriku nuk ka sjelle kurrë një vajzë në shtëpi, sepse nuk mundesh ta sjellësh në shtëpi secilën vajzë dhe t’iu thuash prindërve ‘këtë do ta martoj’. Monika ka qenë e njëjta sikur këto të gjitha të tjerat. Por, me kohë lindi edhe dashuria, lindi besimi. Kështu që ajo tek ne ka qenë e mirëseardhur prej ditës së parë. Dua të ndaj diçka me ju, që besoj është interesant. Ishte Loriku duke luajtur në Lacio, dhe erdhi në pushim tek ne në Marseje. Bashkëshortja e morri valixhen për t’ia renditur rrobat në dollap, në dhomën e tij dhe për një moment po më thërret mua. “Shiko se si janë paluar në valixhe rrobat e Lorikut”, më thotë. I thash që këto Loriku nuk i ka palu. Këto ia paska palu dikush. Dhe shkova te Loriku dhe po e pyes ‘Lorik, më trego babit kush ta ka palu valixhen?’. Dhe aty filloj biseda për vajzën italiane, të cilën na e prezantoj pas pak ditësh dhe që sot e ka bashkëshorte. Ishin fat i njëri-tjetrit!.
Kthehemi te pjesa e futbollit. Na sill një përshkrim prej babai (jo menaxheri) se si është Loriku në futboll?
Loriku, ka qenë i mbuluar mirë në çdo aspekt. Por, Loriku s’ka pas edhe aq nevojë për ta mbrojtur, ruajtur apo këshilluar sepse vet ka qenë i mençur, një djalë serioz, i urtë, human. Ka vuajtur kur i ka parë njerëzit me probleme. E tash Loriku e di fare mirë se çdo futbollist kur vjen në moshën dhe në periudhën ku është tani Loriku, psiqikisht përgatitet vetë. Është shumë me rëndësi se çfarë do behet pas karrierës se tij futbollistike sepse shumica e futbollisteve duke nisur edhe prej neve, duhet ta mendoj mirë se çka? Pas futbollit fillon një karrierë tjetër, një jetë e re. Por sikur ajo qershia mbi tortë, është pjesëmarrja e Lorikut në kampionatin Evropian. Dhe Loriku do ta përfundoj karrierën në mënyrën më dinjitoze, e të shkoj me kujtime të mira. E pas futbollit do të jenë Monika dhe Boikeni personat dhe regjisorët e jetës së tij. Loriku ka përgatitur shumë gjëra pas futbollit, i ka menduar shumë mirë. E di fare mirë se ku do të jetoj, çfarë do të bëjë e me çka do të merret…
Cilat janë ato plane?
Ka shumë plane. Akoma nuk janë vendosur në detaj, pasi që janë disa vendime që duhet të merren pak më vonë, pas kampionatit Evropian, pasi që Loriku deri në vitin 2017 ka kontratë me klubin në të cilin luan aktualisht. Do të vazhdoj me futbollin apo jo, nuk është i sigurt 100 për qind. Por në momentin që do të merren vendimet, do të flasim dhe deklarohemi zyrtarisht. Por, ajo çfarë unë mendoj është se Loriku do të jetë gjithmonë me futbollin, pasi ka shumë kualitet, njeh të gjitha politikat e futbollit evropian, flet shumë gjuhë, ka përvojë të madhe në jetë, dhe është shumë i afte për futbollin. Edhe futbolli ka nevojë për një sportist sikur është Loriku.
Loriku dhe bashkëlojtarët e Kombëtares, janë të gatshëm tashmë për atë që i pret në Francë?
U bënë 13 vjet që Loriku është bërë pjesë e kombëtares, dhe nëse nuk gaboj ka afro 85 ose 90 ndeshje me kombëtaren. Dhe për këto 13 vjet, Loriku e ka pasur vetëm një gjë në kokë. Që t’i bashkoj të gjithë futbollistët nga të gjitha trojet Shqiptare. E sot kemi në kombëtare futbollist nga Presheva, Maqedonia, Kosova, futbollist që luajnë në Evropë. Shqiptarët janë një popull shumë i talentuar, fatkeqësisht pa kushte. Shqiptari kur lind, e lind natyra dhe Perëndia me talent të jashtëzakonshëm, dhe ne me ato kushte që i kemi pas arritëm këtu ku jemi sot, padyshim me përkrahjen e De Biasit, në krye me Armando Dukën. Besoj që çunat do të vazhdojnë të shkëlqejnë kudo që shkojnë.
Me siguri gjithçka është në frymë futbolli mes meshkujve në familjen tuaj (jeni dy dhe të dy futbollist). Ti dikur luaje për skuadrën e madhe të ish-Jugosllavisë, e Loriku gjithashtu morri të njëjtën rrugë. E keni shtyrë djalin apo e dashi vet futbollin?
Aq sa ka pas fat Loriku ta mbyll karrierën me një kompeticion si Euro 2016, aq kam qenë me fat unë sepse kam qenë pjesë e Prishtinës së madhe dhe kam qenë edhe unë futbollist profesionist. Shkollë këtu nuk ka pas. Fati i tij ka qenë kur ne u shpërngulëm në Zvicër atë kohë. Loriku ishte 6 vjeçar kur kemi shkuar në Zvicër. Vetëm klasën e parë e ka përfunduar në Prishtinë. Unë sigurisht që nuk e kam shtyrë kah futbolli, pasi që çdo gjë që bëhet me zor, nuk ka sukses. E kam vërejtur se ai e do futbollin. ‘E ke kujdes sepse duhet shumë punë’, i pata thënë në fillimet e tij. Ai ka nis me angazhimin e tij në futboll nga mosha 8 vjeçare. E sot rezultati i tij ka ardhur me shumë punë. Gjithmonë ka pas disiplinë. Ka pasur një tretman, me ushqime, me fjetje me të gjitha. E si përgjigje e gjithë kësaj është edhe fakti se Loriku nuk ka shokë të gjeneratës së vet sepse s’ka pas kohë të dal. Ai e ka pas shkollën, ka pas futbollin dhe shtëpinë. Ka pas një ditë në javë kur ka dalë, por pastaj në moshën 16 vjeç ai e la Zvicrën për të shkuar në Paris. I vetmi shok që i ka mbetur nga ajo kohë është Diego, të cilin e ka pas si vëlla. Krejt këto sakrifica për faktin se Loriku e ka dashtë dhe e do futbollin. Edhe përpara e edhe tani kur ndodhet para përfundimit të karrierë së tij si futbollist.
Doni që edhe Boikenin ta shihni në këtë fushë?
Aty nuk dihet dhe s’kam çfarë të them.
Ju do të donit?
Pse jo?! Ajo do të ishte një kënaqësi. Por fatkeqësisht nuk mund të bëhemi të gjithë. Bëhen vetëm ata që kanë fat dhe që janë pak më të talentuar. Për Boikenin nuk e di. Nëna e tij është arkitekte, dhe nuk e di si do të jetë. Unë do të doja ta shoh në futboll (qesh). I ka të gjitha kushtet.