Mëngjeset nisin furishëm mes alarmit, kafesë, trafikut dhe planeve që kemi gjatë ditës. Po ashtu nisin mëngjeset edhe në televizionet tona. Nga një media në tjetrën, zgjidhja mes zgjedhjesh mbetet lëvizja e telekomandës dhe jemi aty, në emisionet e mëngjesit. Gara është e fortë, e shtruar në një orar dhe një formulë që krijon në secalin prej tyre, një përbërës sekret.
Shtatori blen, shet dhe kornizohet për sezonin e ri. Kështu edhe ky shtator na pasqyroi karriget që do të na shoqëronin mëngjeseve.
Nisim me “Wake up” në Top Channel, një transformim i plotë. Me largimin e Ori Nebiajt dhe Isli Islamit, mikrofonin e mori Blendi Salaj. Krah tij dy vajzat, Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj. Informacione, të ftuar, analizë e lajmeve të ditës, mëngjesi ecën rreth këtij trinomi.
Nga aty, në Tv Klan. Prej vitesh “Aldo Morning Show” kishte krijuar një profil të qëndrueshëm, me një zë të njohur dhe një imazh të panjohur. Ky vit erdhi ndryshe, Aldo nuk fshihet më, nga ora 7 deri në orën 10, nën shoqërinë e Albana Çaushajt dhe Megi Latifit. Mesazhe, informacione, lajmet e ditës, parashikimi i motit dhe të ftuar specialë.
Trokasim në Klan News, aty na pret moderatorja Iva Kalemi, çdo mëngjes në 3 orë transmetim të drejtpërdrejtë. Një formulë e përditshme, e krijuar me edicionin e plotë informativ, aktualitet, shtypin e ditës, kulturë, personazhe, intervista të zakonshme dhe të jashtëzakonshme.
Një ecejake më tej drejt “Vizion Plus”. Me “7 pa 5” vijnë Alma Çelaj dhe Xhoi Malësia, në një format të mirëstruktuar, informacione, të ftuar, tematika të përditshme, ekonomi, kulturë, turizëm, në 3 orë transmetim të drejtpërdrejtë.
Natyrisht mëngjesi troket edhe në “A2CNN” me Drini Zeqon dhe Aulona Mingën, nga ora 7.00 deri në 8.45. Informacion, të ftuar dhe një xhiro e shpejtë me lajmet nga vendi dhe bota.
Një xhiro të shpejtë edhe në “ABC NEWS” në “ABC-ja e mëngjesit”. Enkel Demi, Alban Musa, Romina Braho dhe Bora Shahini prezantojnë nga e hëna në të premte, nga ora7 deri në orën 9, aktualitet, politikë, sociale, sport, kulturë dhe të ftuar në studio.
Shkojmë drejt e “Euronews” aty ku në orën 7.00, mëngjesin e nisin Flori Gjini dhe Greta Topjana. Aktualitet, lajmet e fundit, të ftuar, një transmetim që na shoqëron çdo mëngjes.
Një klik me telekomandë dhe shkojmë drejt e në “Kafe shqeto” në Syri Tv, me Flavio Qarrin. Ka lajme, aktualitet, të ftuar, lidhje direkte, ka “Calling Flavio” me Genti Pjetrin. Nga ora 7:00 deri në 10:00, transmetim i drejtpërdrejtë.
Nuk mungon padyshim “ Koha për t’u zgjuar” në “News 24”. Me Bashkim Hoxhën, prej vitesh mëngjeset janë me informacion, lajme, aktualitet. Zëri karakteristik që troket në orën 7:00.
Nuk harrojmë “Herët në MCN” me Etelina Nikollën. Nga ora 8:00 deri në orën 10:00, ka informacion, lajme,ka kulturë, shoqëruar me muzikë.
Në “Ora News”, mëngjesi nis me “Ditë e Re” me Arjola Shehun. Edhe aty, nga ora 7.00 deri në orën 10.00, lajmet e fundit, debate, politikë, kulturë, showbiz, personazhe.
Në “RTSH”, na ftojnë Florian Agallaiu dhe Matilda Mcini me “Mirëmëngjes Shqipëri”, në 3 orë transmetim, prej orës 7.00. Rubrika dinamike, lajmet më të fundit, motin, trafikun rrugor, ekonominë e kulturën.
Mëngjesi nis me alarmin, kafenë, mëngjesi nis me lajmin, nis me ty!