Para se të pushtonte skenat evropiane me energjinë e saj magnetike, Eleni Foureira ishte një vajzë që rritej mes mungesave në Shqipëri. Në një intervistë të fundit, këngëtarja foli hapur për fëmijërinë në një fshat të vogël, ku, siç kujton ajo: “bukë tregu nuk kisha ngrënë kurrë. Mamaja e bënte çdo ditë vetë.”
Rrëfimi i saj shkon përtej nostalgjisë. Ajo përshkruan një realitet ku mbrëmjet shpesh mbuloheshin nga errësira dhe ku gjërat që sot duken të zakonshme, si ashensori apo buka e furrës, u shfaqën si zbulime të jashtëzakonshme pas shpërnguljes në Greqi:
“Kur shkova në Greqi, gjëra të thjeshta si ashensori apo shija e bukës së furrës i dukeshin të jashtëzakonshme,” ka treguar ajo, duke rikthyer në vëmendje kontrastin mes dy botëve.
Sot, një nga artistet më të njohura të skenës evropiane, Foureira e sheh atë periudhë si themelin e forcës së saj. Suksesi nuk e ka shkëputur nga rrënjët, përkundrazi, e ka bërë më të vetëdijshme për sakrificën dhe përulësinë që e çuan drejt majave. Në të njëjtën frymë intime, ajo foli edhe për jetën si nënë, duke pranuar se energjia e djalit të saj Hermes e sfidon çdo ditë:
“Nuk jam e qetë në jetën e përditshme… por më vjen mirë që kam një fëmijë me energji që dëshiron të zbulojë botën,” u shpreh ajo.







