Fotot: Endrit Mërtiri / Kostumi: Ardi Asllani / Hair & Make Up: Suela Çangu
Ajo është Romeo i parë shqiptar! Mund të tigëllojë e çuditshme, por Vikena Kamenica, soliste dhe mezzosoprano do të interpretojë rolin e Romeos së dashuruar në shfaqjen “Capuleti e Montecchi” në Teatrin e Operas dhe Baletit. Përkrah saj, e dashura Zhuljetë do të jenë Eva Golemi.
Vikena, rrëfen sfidën e saj me një rol kompleks, të bukur, të vështirë vokalisht në një prej veprave më të mira dhe më të rralla që vihen në opera, ku Romeon, simbolin e dashurisë e vë në skenë një femër siç e ka menduar kompozitori Vincenco Bellini.
Në një bisedë si nënë, si zonjë shtëpie, si këngëtare, si soliste dhe si një personazh televiziv, ajo ndan me ne edhe pakënaqësinë e mosvlerësimit të punës, në një vend ku arti lirik dhe kultura janë në krizë.
Opera e hakmarrjes dhe e dashurisë vjen në skenë në datat 20, 24, 26 dhe 27 mars, e megjithë peshën e madhe, ai nuk ia ka ndryshuar brendinë e saj. “Unë mundohem ta largoj (rolin) herë pas here, sepse më ndihmon mua për qetësi, në kundërt kam një luftë të madhe brenda vetes. Mundohem ta lë rolin të pushojë që ta rimarr. Prapë është e vështirë se stresi nuk ikën mbasi është një përgjegjësi shumë e madhe. Kur del në skenë duhet të lësh jashtë të gjitha gjendjet e tua”, – thotë ajo, duke treguar diçka edhe për familjen e saj, kohën për të dhe kohën për të bijën.
Ajo është Romeo dhe do të jetë një Romeo, siç e rrëfen më poshtë: i ri i dashuruar, i pafat, kompleks, i vështirë, plot duele dhe plot emocion.
Si e pritët propozimin për të interpretuar rolin e Romeos në operan “Capuleti e Montecchi”?
Kjo është një vepër që për hir të vendosjes vokale që kërkon, vihet rrallë nëpër teatro. Meqë rolin e Romeos e bën një mezzosoprano, Bellini e ka vendosur në shumë vështirësi teknike. Është edhe më i lartë se tesitura klasike e mezzosopranos. Përgjithësisht e kanë parë sopranot, që nuk para lejohet, ose mezosopranot që vërtetë mund të kenë një shtrirje më të lartë. Ky ishte një propozim i drejtoreshës artistike. Në momentin që u propozua për mua ishte sfidë e madhe. Në këtë fazë të jetës sime, pas 16 vitesh eksperiencë në Teatrin e Operas, kjo ishte ajo që unë i kërkoja vetes. Doja diçka që të më intrigonte. Në këto vite që jetojmë, në këtë kohë krize, kultura ka një krizë të fortë. Arti lirik, ai që unë ushtroj më së shumti, është në një fazë jo të mirë. Vlerësimi dhe vëmendja nuk është aty ku e tërë bota e vendos këtë zhanër. Teatri po rikonstruktohet ndërkohë vlerësimi i artistit nuk është aty ku duhet nga të gjitha anët.
Në ç’kuptim?
Ka qenë më përpara cilësia artistike që bënte diferencën e njerëzve që punonin, që jepnin më tepër dhe që shisnin më tepër skenë, që vlerësosheshin e kërkoheshin më shumë nga publiku – por është hequr prej vitesh. Stimuli i vetëm që mund të kisha në këtë fazë të punës e të jetës sime, ishte thjeshtë që të provoja diçka ndryshe tek vetja ime. Duke menduar pagën, apo vendosjen e të gjithëve njësoj, apo qoftë nga vlerësimi që instancat e larta kanë për institucionin tonë, mbase nuk do e fusja veten në këtë vështirësi. Por, në çastin që vepra u propozua, u gëzova, sepse stimuli i vetëm, pasional, që unë i jap vetes – është të bëj një rol kaq të fortë.
Veprat që vijnë nga autorë, që kanë bërë historinë e letërsisë botërore, siç është vepra e Romeos dhe Zhuljetës, është një kënaqësi tjetër më vete. Nuk të vjen shpesh rasti, sepse është një vepër që nuk vihet shpesh, ndaj i thua vetes se ky është momenti i jetës tënde, se mbase më vonë, do jetë shumë vonë.
Do jetë shumë vonë për shkak të vokalit?
Disa vepra vihen në një kohë të caktuar, sepse më vonë, i përshtaten disa vepra të tjera zërit tënd. Kjo është sfidë e moshës që kam tani, më vonë, kur të vijë koha, unë e di se çfarë rolesh të tjera do t’i kërkoj vetes, për të mbushur veten time.
Pra, është pjekuria vokale?
Po, është pjekuria vokale, është me eksperiencën, me të menduarit, të logjikuarit e botëkuptimit që ke. Kjo fazë është shumë e mirë.
Nuk u stepe kur t’u propozua Romeo?
Jo, absolutisht.
Sa kohë ke punuar me rolin, me veten, që prej teje të dalë Romeo?
Një muaj ka qenë punë intensive, duke qenë se jam e detyruar të bëj edhe gjëra të tjera në Shqipëri. Meqë jam mezzosopranoja e vetme në sektorin e solistëve (dhe unë shpresoj të futet një e dytë a një e tretë) kam qenë e detyruar të bëj vepra që kanë ardhur njëra pas tjetrës. Arsyeja pse unë nuk pata shumë kohë për t’u ushtruar në teatër, ishte se po merresha me rolin e Magdalenës tek “Rigoletto”. Mbarova atë dhe fillova punën me këtë, ndaj një muaj kohë kisha. Përveç kësaj, kam angazhime të tjera, jam nënë, jam zonjë shtëpie. Jo se këto ndikojnë tek puna, por ndikojnë në kohë.
Kisha dëgjuar për të si vepër prej kohësh por e kam pasur të pamundur, për ta prekur me dorë më shumë.
Si është Romeo si rol? Parë nga pozicioni juaj?
Është një rol i bukur dhe shumë kompleks. Është shumë kompleks sepse je një djalosh në moshën e pubertetit, ku hormonet bëjnë ‘luftë’, bie në dashuri për herë të parë, bëhen mëkatet e para të jetës. Hyrja e Romeos në skenë bëhet pas një vrasjeje, në versionin e Bellinit të të parit të veprës. Prezantimi i Romeos është me arien më të madhe që Romeo ka.
Pra, ju hyni në skenë me pjesën më të vështirë?
Po, me pjesën më të vështirë. Pastaj janë duetet që nuk janë të pakta. Është dueti me Zhuljetën që ka një peshë shumë të madhe, ka një luftë emocionale, ka një vendsoje teknike shumë të fortë muzikore. Është më pas dueli me Tebaldon për dashurinë, sepse është Tebaldo pretendenti për bashkëshort të Zhuljetës dhe Romeo që ndihet shumë i rivalizuar, ndihet keq. Dueli dhe gjendja emocionale aty merr kulmin. Më pëlqen shumë ai duel, sepse në atë moment që ata zihen për dashurinë, është trilluar vdekja e Zhuljetës që për sytë e të gjithëve ndodh vërtetë madje Romeo nuk e merr vesh se qe trillim. Ata dëgjojnë korin funebër që qan Zhuljetën dhe mësojnë se kjo është vajza që donin. Ka një dhembje të madhe qëi pushton të dy. Më pas është dueti i vdekjes dhe ka aq shumë sa është një rol me peshë të madhe, ka ndryshime emocionale.
Përjetimet e ndryshimet emocionale, vijnë të forta…
Vijnë të forta, që nga prezantimi. Është një vepër e vendosur nga Bellini me kulme emocionale të forta. Muzika pastaj është e mrekullueshme. Vetë stili i belcanto-s është një nga stilet më të vështira që këngëtarët kalojnë gjatë karrierës së tyre, e prapë qëndron bukur por është një vepër me vështirësi të madhe, për një mezzosoprano.
Ndërkaq, këto luhatje emocionale, janë të një mashkulli dhe ju jeni femër. Si jeni përshatur me gjestet dhe logjikën e Romeos?
Po ndërkaq unë jam mashkull, duhet të mendoj si mashkull, duhet të reagoj e të ec si mashkull. Nga ana tjetër është mendimi. Ana pasionale nuk qëndron dhe aq vështirë se vjen natyrshëm të nxjerrësh pasionin tënd, dhe pse je veshur si burrë, tingëllon bukur. Ajo që më dhemb është dueli me Tebaldon, sepse dueli i dy djemve është në fakt duel mes meje dhe një djali. Është shumë mashkullore në gjendje.
Si ka qenë bashkëpunimi me regjisoren turke?
Regjisorja Aylin Bozok, erdhi me ide interesante dhe me platformë të bukur regjisoriale. Nëse teatri do ishte në kushte të tjera teknike do të realizonte shumë më tepër. Teatri ka fituar në këtë rast një produksion të gjithin të tijin, dhe për më tepër janë realizuar veshjet e epokës në përsosmëri nga Ardi Asllani.
Dhe kostumet janë një tjetër pjesë e rëndësishme e veprës.
Unë dua të them se kostumet janë një dhuratë e bukur që i bëhet teatrit, për të krijuar veshjet e epokës, për të thyer atë tabunë që veshjet e epokës nuk realizohen, ja pra që realizohen – me dëshirën e mirë, me pasionin dhe me dashurinë e një artisti si Ardi Asllani. Aty ai ka dhënë art. Janë të pakët njerëz si ai që e njohin teatrin dhe kjo nuk është vepra e parë që ai ka realizuar. Ka bërë kostume baletesh shumë të bukura. Përpara kësaj opere, ka bërë kostumet e “Gianni Schicchi” dhe janë kostumet më të bukura në teatër. Kjo mbetet vepër repertori që mund të vihet edhe më vonë. Ideja e afrimit të Ardi Asllanit, një emër që e vlerësoj shumë, na tregon se është mirë që të afrohen njerëzit që japin një garanci me emrin e tyre dhe emri është garant dhe në këtë rast ai realizoi veshje me detaje që i shohim vetëm në filma të cilët janë produksione të mëdha. Mendoni nëse do të ekzistonin tekstile siç bëheshin në atë kohë, sa të bukura do të ishin. Kur është dëshira e mirë, gjërat bëhen bukur.
Një dirigjente femër dhe për më tepër një emër i njohur për rrethin e muzikantëve shqiptar, siç është ai i Elda Laros. Si ishte ky bashkëpunim i parë me të?
Një punë kolosale që pa drejtimin energjik, pasional të Elda Laros nuk do kishim një produksion muzikor kaq të arrirë. Është pika e lidhjes e gjithë performancës që ndodh “live” në ato orë plot emocion që një vepër e tillë e mban. Prej shumë vitesh ka punuar në qytetin e Bellinit në Catania ku ka përsosur njohjen e stilit kaq delikat të BelCantos. Mirënjohje e vërtetë për punën e saj që mbaron me sekondën e fundit që jemi në skenë dhe çdo të papritur të saj.
Ju folët për një rol të vështirë psikologjikisht. Sa ka ndikuar gjendja e personazhit në përditshmërinë tënde, duke qenë se atë nuk e zhvesh dot kur del nga provat?
Unë mundohem ta largoj herë pas here, sepse më ndihmon mua për qetësi, në kundërt kam një luftë të madhe brenda vetes. Mundohem ta lë rolin të pushojë që ta rimarr. Prapë është e vështirë se stresi nuk ikën mbasi është një përgjegjësi shumë e madhe. Kur del në skenë duhet të lësh jashtë të gjitha gjendjet e tua. Ka ndikuar në përditshmërinë time. Këndoj të njëjtat fraza që janë shumë emocionuese dhe në anën time pasionale vazhdoj jetoj si djalosh i dashuruar, në mënyrë që ta mbaj gjendjen time, sa më të karikuar.
Veprat e mëdha, si kjo, i japin mesazhe publikut. Vetë kjo, synon të japë mesazhin e paqes, të lënies mënjanë të hakmarrjes e urrejtjes. Kjo duhet së pari të ndikojë tek artisti që ai ta përçojë para publikut.
Ne aktrojmë duke kënduar. Vështirësia është se këtë e bëjmë në gjuhë të huaj; në rastin e Bellinit është një italishte e vjetër. Ne mundohemi që të theksojmë ato që të jepet përtej nesh, të jepet gjendja emocionale e asaj që këndon. Muzika ta shpjegon shumë mirë në vepra si këto, sidomos Bellini, sa edhe nëse nuk kupton fjalën, muzika ta ka thënë fjalën, ta ka përshkruar – kjo është e bukura e operës. Ta shoqëron gjendjen për të krijuar mbi atë që dëgjon.
Vepra këtu vjen e rrëfyer përmes Tebaldos. Kjo është një risi…
Po, ne jemi të tërë kujtime të tijat. Ai është një i moshuar që kujton. Është një version i bukur i të parit. Kjo donte një kor të madh burrash, por kushtet tek ne e bënë të pamundur dhe Aylin ka bërë një kor fantazëm që qarkullon edhe tek Kapuletët edhe tek Montecch-ët, sepse turma për të, ngelet e njëjtë, lufta është po e njëjtë për palët dhe forma e të menduarit është po e njëjtë.
Përtej hakmarrjes, kjo është një vepër e dashurisë. Kaq sa ju përfshin, sa ka ndikuar tek ju – ju jeni e martuar, por sa u ka sjellë ju në mendje dhe në gjendje, fillimet tuaja të dashurisë?
Nuk është vepra që të fut në atë gjendje. Ju them sinqerisht se jam munduar të bëj një analizë shumë muzikore të së gjithës dhe të veprës. Muzika të fal aq shumë sa ke se çfarë shpreh në atë skenë. Personazhin nuk e kam parë të tillë, sepse është aq i vështirë teknikisht sa nuk më çon fare në atë anë. Mendoj të më dalë sa më mirë. Unë tashmë e ndaj këtë, më parë mund ta ngatërroja, por tani e ndaj anën emocionale.
Veç kësaj, ju jeni e angazhuar si anëtare e jurisë edhe tek “Gjeniu i vogël”. Si është ajo përvojë?
Ajo është e bukur. Emocionet aty më dalin reale, reale sepse fëmijët i dëgjoj të këndojnë vetëm aty. Marr vetëm atë që më japin në moment. Në një provë ne jemi të detyruar të shkojmë, për të parë ku shkojnë fëmijët pa emocionet e dritave e kamerave. Këtë herë nuk kam mundur të shkoj, sepse kam pasur prova. Mund të them se ne kemi talente të frikshme, ky popull prodhon talente të frikshme, që ne i shkatërrojmë me duart tona.
Si i shkatërrojmë?
Sepse talenti nuk vjen ku do, talenti bie diku. Ty të vijnë nga qytete e fshatra të largët e të afërt. I dëgjon, magjepsesh dhe mendon se po të mos ishte ky audicion, ata nuk do ishin dëgjuar. Ti dëgjon fëmijë që këndojnë këngë shumë të vështira, dhe i këndojnë aq lehtë sa duket sikur thjeshtë po flasin. Ata vijnë me talentin e tyre dhe të jesh dëshmitar është gjë e bukur dhe të dëgjosh zëra të bukur është bekim. Por, më vjen keq më pas që nuk ka hallka për t’i ndihmuar në shkallë të tjera. Kjo më pas është problem se nuk mund të vazhdojnë vetëm.
A është vështirë që t’i kritikosh fëmijët?
Jemi të detyruar t’i themi sepse është garë. Nuk është një festival. Gara duhet t’i përmirësojë dhe t’i skualifikojë dhe ky është formati. Në një garë duhet edhe të humbësh sepse ka edhe më të mirë se ty. Ndaj quhet ‘gjeniu i vogël’ – kush i përballon emocionet më tepër. Duhet të dijë, të ketë talent, të përmirësohet… Ka fëmijë e prindër që nuk e mbajnë presionin e garës dhe problemi është se nuk mund të vijosh garën pa e merituar. Nëse nuk e përballon prindi ose fëmija, nuk duhet ta sjellësh. Nuk mund të fitosh pse qan – kjo nuk është logjikë. Që kur nis dihet se do përballesh dhe se do ketë më të mirë. Gara do kesh gjatë gjithë jetës. Por, jeta vazhdon edhe nëse humb – nuk janë gara për mbijetesën, janë eksperienca.
Ndërkohë si ia del t’i bësh të gjitha: operën, shtëpinë, televizionin?
Unë mund t’i mbaj, sigurisht është e vështirë, por dashuria dhe pasioni që kam për profesionin tim, më bëjnë të mos shoh limite. Jo të gjithë mund t’i bëjnë të gjitha – edhe operën, edhe televizionin, edhe të kënduarin ‘live’. Në opera jam soliste dhe e përmbush misionin, ndërkohë shkoj në televizion dhe mbaj edhe ‘live’, ndonëse këtu sakrificat dhe vlerat jo gjithmonë vlerësohen.
E ke menduar të ikësh, t’i lësh të gjitha e të ikësh nga këtu?
Më përpara jo. Thoja se do e ndërtoj jetën këtu, e tani sa vij e mendoj se edhe pse duket vonë, mund të dua të iki, e ndjej që ose do të iki ose të bëj një ndryshim, mbase shpesh mendoj të lë operën – se është shumë lodhje për atë vlerësim që merr. Është e dhimbshme të ngresh gjithë atë punë. Kjo nuk është vetëm për mua, edhe për kolegët. Zhuljetën e interpreton kolegia ime, prej 16 vitesh në teatër, Eva Golemi dhe unë e di se ndihma e partnerit është e madhe dhe e rëndësishme. Teatri i Operës është i vetmi dhe më dhemb tek vlerësimi dhe tek diferencimi i vlerave. Sa i fuqishëm je, sa e mban skenën, sa ia del, sa e tërheq publikun, sa e përballon rolin, sa e përcjell?! Dhe në fund, për çfarë të gjitha këto?
Një ditë e juaja e zakonshme me familjen dhe punët, si është?
Pas operas, unë kaloj në studio me çunat e “Keli Band”, sepse po përgatitemi për Festivalin ‘Balkan Trafik’ që bëhet në Bruksel. Ne jemi të ftuar, e prezantohemi me një koncert tonin me folk jazz. Ndërkohë jam afër një albumi me këtë muzikë. “Rrënjë të largëta” do të titullohet, po regjistroj materialet me Shpëtim Saraçin dhe janë të tëra veglat live, që inçizohen në studio për të bërë një gjë sa më të vërtetë. Pas operës, unë shoh me grupin programet që mund të kemi, shohim këngët të tjera dhe pjesa tjetër e kohës është për vajzën time.
Sa kohë i lë familjes?
Dua t’i lë shumë kohë, por është e pamundur sepse duhet të bëj edhe gjërat e tjera që kam marrë përsipër t’i bëj. Përpiqem të programohem.
Vajza ka vesh muzike?
Krista ka shumë vesh muzike, aq sa më impresionon. Por duke njohur sakrificat e këtij zanati nuk dua t’ia ushqej shumë. Në një kohë të caktuar dua të shoh vërtet prirjet e saj dhe të mundohem ta drejtoj që ajo zgjedhjet t’i bëjë vetë.
E merr në prova, e merr në teatër?
Jo, fare.
Po e mban me dëshirë larg?
E mbaj larg teatrit, larg për momentin. Pëlqen “Gjeniun e vogël” dhe më thërret mami Vikena Kamenica, sepse ashtu e dëgjon. Atë e pëlqen se e diskuton edhe me shoqet e veta.