Pas festivalit të 11-të, Justina Aliaj nuk e mbushi kurrë boshllëkun që i la mungesa e artit e megjithatë, pas viteve ’90të, në kohën e lirisë, zgjodhi të largohej. Shtypjet e vazhdueshme, e bën të zgjedhë të ardhmen e mirë të fëmijëve. Për vite me radhë nuk e pamë e dëgjuam këngëtaren e aktoren Justina Aliaj. Vitet e fundit, daljet e saj në skena kanë qenë më të shpeshta. Ka arritur të realizoj ëndrrat që dikur ja lanë në mes. Sot, në këtë intervistë të gjatë, Justina tregon për të gjitha. Që nga fëmijëria e largët kur nisi të interpretonte role fëmijësh, e deri te peripecitë e kohës që nuk ju gëzuan dot. Për herë të parë Aliaj flet edhe për anët e hamendësuara por të pa zbardhura të rretheve artistike të kohës! Sigurisht që më fshehtë se sot por avantazhet që kishin disa vetëm sepse ishin më ‘të gatshme’ se ca të tjera, kanë ekzistuar gjithmonë. Për diktatorin, ngacmimet seksuale dhe vajzat e privilegjuara, aktorja shkodrane flet për “Panorama”.
Si e keni nisur karrierën artistike?
E kam nisur në lagjen “Arra e Madhe”. Kam qenë shumë e vogël. Në teatrin e fëmijëve kemi luajtur “Borëbardha” me çarçafë, ajo mënyrë e famshme e Shkodrës për të bërë teatër, karnavale, koncerte, qoftë edhe për të luajtur prindërit tanë arrash me njëritjetrin në rrugicë. Kështu ka nisur… krejt thjesht. Si u evidentuat? Kam qenë në shkollë, në klasën e parë. Më ndau veçmas profesori dhe më tha: “Eja këtu more djalë”, se isha si djalë. “Hajde të të dëgjoj”, më tha. Kështu, më pas kam shkuar në Shtëpinë e Pionierit dhe kam luajtur teatër shumë. Ndërsa si këngëtare më ka zbuluar Tonin Daija. Kemi punuar opereta apo teatër me Kolë Shtjefnin.
E kujtoni këngën e parë?
Po. Është në Festivalin e parë për fëmijë. Ishte kënga e Aleksandër Garxholës me titull “Aviatori”. Ishte shumë këndshëm, festë e qytetit. Në festivalet tona kanë ardhur “të mëdhenjtë”, nuk e dihet çfarë bëhet sot. Në klasën e 7të më doli bursa për të shkuar në Liceun Artistik. Atje aktiviteti ishte më i madh. Shpalosa talentin tim sepse deri atëherë e mbaja si të ndrydhur muzikalisht. Studioja për muzikë, por nuk e lash edhe teatrin. Në teatër më dhanë çmimin e parë si aktore dhe më pas kalova në teatrin dramatik. Gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë edhe në festivale, deri sa mbaroi ashtu si mbaroi.
Besoj i referoheni Festivalit të 11-të. Çfarë ndodhi atëherë?
Asgjë. Besoj ne ishim avangardë dhe si gjithmonë mendoj se pema me fruta gjuhet. Ne u gjuajtëm të gjithë. Ishte shumë herët. Sa ju kushtoi në karrierën tuaj? Nuk e pashë për 18 vite televizionin, apo të isha e lirë në skenë.
Si i kaluat ato 18 vite?
Me njerëz që më njihnin, më donin… Ndokush kishte frikë të fliste me mua. Ballafaqoheshe me shumë probleme.
I dhimbshëm largimi nga skena?
Sigurisht që po. Artisti është artist. Artisti i vërtetë del kudo, por artisti i vërtetë ama, se tani has një realitet tjetër. Shkodra ishte plot me artistë të vërtetë.
Por disa i përzgjodhi diktatori Enver Hoxha?
Po, kishte të privilegjuar, por jo të gjithë ishin të aftë. Ne në qarqet tona e dinim kush ishte i afti dhe kush ishte i privilegjuari.
Kishte nga ata të privilegjuar që nuk ishin artistë të vërtetë?
Sigurisht që po, por s’mund të jap emra, e ndaluar rreptësisht. Kjo nuk mund të ndodhë me mua. Ata e dinë vetë në radhë të parë a e meritojnë apo jo.
Kishit atëherë kontakt me diktatorin?
Jo, asnjëherë. Vetëm kam kënduar përpara tij, por s’jam takuar asnjëherë. Nuk isha unë ajo që duhej të takohesha me të.
Pse ju dënuan?
Ishte absurde ta mendoja se pse po dënohem. Asgjë nuk kisha bërë. Ne u munduam të ecnim me kohën pa shtrirje gjeografike. Në qoftë se kudo në botë muzika ecën dhe arti ecën, me këtë normë dhe me këtë temp u munduam të ecnim edhe ne, por kjo nuk ishte për atë sistem. Nuk e kuptuam realitetin që ishte. Po ta kuptoja, nuk do të kisha kënduar ashtu se është turp t’i biesh në dorë, pse të gënjej. Nuk e kuptuam sepse ishte kaq e virgjër, ishte kaq bio, saqë nuk ia merrja borxh asnjeriu, dilja me aftësitë e mia. S’kisha nevojë t’i ngjaja askujt, s’kisha nevojë të kopjoja askënd. Unë kisha bindjet e mia, shinat e artit tim që ndiqja. Kjo ishte, s’kishte arsye.
Ç’mendoni për ato që gjetën të bënin karrierë si “të privilegjuarat” e sistemit?
Ishte e neveritshme. As nuk e kam dashur kurrë dhe as nuk e kam bërë kurrë, nuk ishte rruga e duhur. Nuk ishte arti i vërtetë, por një art që i shërbente një elite. Kaq. Ne nuk iu përgjigjëm dot asaj.
Shumë artistë dolën dhe panë Europën, mërziteshit që s’ishit asnjëherë në listë?
Jo, nuk mërzitesha, por gjithmonë artisti i shkretë ka diçka brenda tij, është si fëmija. Një natyrë shumë e butë… Kisha shpresa se do të vinte ajo dita ime dhe mendoja me vete se do të dal këtu, aty, edhe jashtë shtetit. Ishte një gjë që çdo artist e bën, është kuzhina e brendshme…
A e spiunonin artistët njëri-tjetrin?
Sigurisht që po. Ishte e zakontë.
Si ruheshit ju, kishit frikë?
Nuk duhej të flisja. Në qoftë se flisja, nuk flija rehat pastaj.
I keni njohur ju ata artistë që kanë spiunuar?
Ato ishin gjëra që ne i kuptonim, i dinim.
Sa e vështirë ishte të jetoje në atë realitet?
Nuk ishte realitet, ishte një jetë rrenash. E neveritshme. Do të dilje që nga mëngjesi deri në darkë për të gënjyer dhe jo për të qenë vetvetja. Ndodhte që të shkoje dhe të thoshe se kam dëshirë të këndoj një këngë angleze dhe ata çohen dhe bëjnë mbledhje partie. Nuk e kuptoja, sepse nuk po kërkoja diçka thua se çfarë.
Ruani miqësi me ata artistë që në atë kohë ishin të privilegjuar?
Të them të drejtën miqësi s’mund të kem me ta. Sigurisht që, kur më ofrohen flas me ta, bëj sikur ka kaluar gjithçka, bëj sikur nuk e di sepse nuk më duhet ajo pjesë fare, më duhet vetëm çfarë flet me mua. Është energji e keqe.
Pas viteve ’90 lulëzuat sërish në art, por ikët?
Pas viteve ’90 mua m’u dogj besimi dhe ktheva shpinën, ika, u largova. Është një dhimbje e madhe, një përzgjedhje për të shpëtuar fëmijët, se nuk bënte që ata të vazhdonin këtu kur m’u dha mundësia. Ndaj edhe qëndrova shumë vite pa ardhur fare.
Një artiste e madhe si ju që mund të kishte gjithçka pas viteve ’90, pse ikët?
Se m’u dogj besimi. Kjo ishte. Edhe sot kam një dhimbje të madhe kur shoh një realitet që shpresoja të ishte më mirë. Shpresoja të ishte shumë mirë, flas edhe për artin.
Jeni penduar që keni sakrifikuar artin për familjen?
Jo, asnjëherë. Edhe 100 herë po të më jepej rasti, atë zgjidhje do të bëja. Çfarë faji kishin ata që vura në prehër. Mirë unë, por fëmijët pse? Asnjëherë nuk u pendova.
Megjithatë keni qenë në skenë, pavarësisht se jetoni jashtë Shqipërisë?
Patjetër që po. Kam pasur shumë raste të bukura ku kam interpretuar, ka qenë shumë bukur. Gjithmonë me mall dhe e pashtershme. Arti është i pashtershëm. Më vjen keq që deri në fund të jetës time nuk kam për të mundur që të shpreh atë që mundem, atë që di, atë që kam forcë të bëj dhe më vjen shumë keq.
Mes dy kohërave të ndryshme asaj diktature të rrepte dhe kësaj demokracie të brishtë a ndiheni një artiste e plotësuar?
Të flasësh sinqerisht se a i kam thënë të gjitha përmes artit tim, nuk i kam thënë të gjitha. Nëse më thoni në brendësinë time apo pjekurinë time, natyrisht që ndihem e plotësuar. Nuk dua të shes mend, por mendoj se ndihem e plotësuar si artiste. Natyrisht që kam gjëra që duhet të shoh, t’i përgjigjem sa një herë jam e rreptë me vetveten që atë që di ta bëj e bëj dhe atë që nuk di nuk e marr përsipër. Gjithmonë është kjo që dikush e ka pikë në zemër dhe ka artistë që nuk mund ta thonë dhe kjo për asgjë tjetër, por vetëm për xhelozi. Mbajeni mend këtë që ju them, nuk paska asnjë formë tjetër, xhelozi ekziston në të gjitha kohët. Sot është më e ashpër, prek një realitet që më mahnit, më mrekullon për keq.
Mund ta shpjegoni më thjesht?
Po. Nëse bën një show, e bën shumë bukur, të do i gjithë publiku dhe rri 5 minuta në skenë, duke duartrokitur në këmbë. Kur mbyllet shfaqja, këpusin duartrokitjet dhe mundin të më prishin edhe zërin dhe të thonë t’i guxove të këndosh bukur, ta tregoj unë ty dhe çfarë nuk bëjnë pastaj. Ama ata nuk e dinë që artistin në pisllëk ta fusësh ajo pika e vajit do të dalë në krye. Vetëm janë mjeranë, me të vërtetë mjeranë, ata që i bëjnë këto gjëra.
Si ju duket Shkodra sot?
Shkodra është nusja ime, ajo gjithmonë nusnon. Nuk kam qejf t’ia shoh që nganjëherë fustani i bëhet pis. Ashtu si është në shpirtin tim, mundohem ta pastroj. Mundohem sikur një fjalë të mirë ta them kur shoh një teatër, çfarë më pëlqen e çfarë jo apo çfarë do të dëshiroja të shihja në skenën e teatrit “Migjeni”. Në përgjithësi kam menduar se do të ecet më shumë. E shoh se, siç themi ne në Shkodër “shkon loja tuj mbyll vedin”. Është shumë absurd, është shumë gjynah, një ekuacion me shumë të panjohura, kur Shkodra është një gjak që lëviz. Shkodra leu e talentuar, por Shkodrës i është heq dera për të bërë teatër të bukur, muzikë të bukur. Pse i hiqet kjo, nuk e di. Shumë herë e shoh të paplotësuar, mungojnë shumë gjëra dhe nuk mund të gënjej, por kjo është e vërteta që has. Është e çuditshme se si në Shkodër nuk ka më një teatër, një muzikë apo një lojë bio. Unë asaj i falem. Dhe ti s’mundesh t’më gënjesh kur hyp në skenë. Unë të shoh menjëherë a je i sforcuar, a bën gjoja apo jo. Deri kur vazhdohet kështu? Kur ka pasur korifenj teatri, muzika e kultura shkodrane.
Po sot?
Sot jo. Më vjen keq. Mungon pasioni, dashuria për artin. Ia zë vendin diçka tjetër disa artistëve, ia zë vendin ligësia. Ndoshta jo të gjithëve. Mundohen se kujt t’ia hedhin, si t’ia marr rolin tjetrit, si mos ta bëjnë regjinë njëri apo tjetri. Kujt i shërbejnë? Për hirin e artit ata duhet të jenë të gjithë një frymë, duhet t’i shërbejnë të gjithë një gjëje më të shenjtë, që është arti. Kjo gjë nuk po ndodh.
Keni një emër për Shkodrën, si mund ta cilësoni?
Kam një poezi që e kam shkruar. E kërkush nuk do të dijnë se nuk asht Shkodra pronë për tan/në qoftë se dikush do t’ia qendisë tragjedinë/ai duhet me ken veç një Shekspir shkodran. Kjo i mungon.
Mund të themi se po shuhet gjithçka në art dhe kulturë?
Po ta mendoj thellë, nuk e mendoj këtë, sepse nuk më pëlqen fataliteti, nuk dëshiroj ta ndjell, por ndoshta them unë kjo kohë po pjell këtë situatë, këtë lloj sistemi. Si shkollën, si artin, si fushat e tjera të shkencës. Ndoshta është një gjë që erdhi krejt natyrshëm ky rrënim. Nuk ka ma perfektë, nuk e di se si mund të organizohet, nuk mundet që shkatërrimi të jetë kaq i organizuar. Kjo është ndoshta një rrugë që duhet ta përshkonte edhe Shkodra.
Ua thoni këto artistëve të rinj, por edhe atyre që kanë në dorë të zhvillojnë artin?
Jo, nuk pranojnë artistët e rinj të dëgjojmë. Janë shumë më të këndueshëm, shumë më të dishëm se na. Diçka që e kam nuhatur, nuk mundet ta kuptojnë se gjithçka shkon stafetë. Stafeta e urtë që e quaj unë, të futesh ngadalë, ta kalosh në dorën tënde pa bërtitur dhe pastaj ta çosh më përpara. Këtë nuk e duan fare, çuditërisht, e ndiej. Mos paça punë me ta, por dhimbje kam, sepse po i del për zot të hypë në skenë. Dalin aty, bërtasin, panairi i kotësisë. Nuk e di kujt i shërbejnë. Mu nuk më trembin ata, por ajo që më tremb është se si mundet që populli t’i ndjekë.
Një ushqim i keq, apo jo?
Mendoj se nuk është një rrugë për ta zhvilluar, për ta gëzuar, për ta jetuar artin apo për ta ushqyer shpirtin. Mendoj se shumë herë e shoh gabim dhe më vjen shumë keq ta them. Këto që them nuk m’i ka thënë kush, por i kam konstatuar vetë. Ka një superprodhim në skenë, por nuk mund të hypësh ashtu, nuk është pronë e jotja, skena është shumë e shenjtë. Duhet të jesh ekzigjent që të dalësh aty. Mirëpo dalin dhe thonë unë jam shkëlqyeshëm, unë jam e bukur dhe si mund të thuhen këto. Edhe nëse je e bukur, s’je as e para dhe as e fundit dhe s’po thua diçka që nuk e ka askush. Ke zërin, më fol me zërin. Pastaj plotësojnë njëratjetrën dhe nxjerrin një hiç. Kam dhimbje t’ju them që asnjë këngë që dëgjoj mundem ta këndoj. Kjo s’ka ndodhur me ne, nuk ka ndodhur në atë kohë. U përvlonim të gjithë në një tigan me vaj, përcëllim i gjallë, ama muzika kishte profilin e vet. Ju e përmendët që femrat përdorin hiret për të bërë karrierë.
Juve në atë kohë ju lakmoi dikush nga udhëheqja hiret, për t’ju ofruar më pas një karrierë e jetë më të mirë?
Patjetër që kishte lakmime apo gjëra të tilla. Është e vërtetë, por njeriu e di vetë çfarë bën. Njeriu duhet të shohë në sy drejt gjithkënd, kjo për mu është lumturi. Duhet t’i lëmë të kalojnë, por në atë kohë ishin si bukë me djathë.
Edhe me ju ka ndodhur?
Po, ka ndodhur edhe me mua, edhe unë nuk mund t’i shpëtoja atij sistemi.
Si reagonit?
Bëja sikur nuk kuptoja, por pastaj kisha marrë dënimin. Nuk këndoja për kohë e kohë, më hiqnin nga një koncert, nga një tjetër, e kështu me radhë. Është një gjë që më vjen keq që më pyetët, por edhe më vjen keq të gënjej.
Pra kishte ngacmime seksuale?
Po, kishte. Madje, kur flisnim ngushtë me dytri shoqe që kishim, thoshin se “e kanë për detyrë”. Ishte e dhimbshme, por secili din vetë çfarë bën dhe e ka për vete gjithsekush. Pra, refuzuat ngacmimet për të qenë sërish në skenë e suksesshme? O Zot i madh! Normal që kam refuzuar. Unë s’kisha nevojë asgjë prej tyre, sepse në radhë të parë është gjaku që nuk shprishet dhe në radhë të dytë, kisha aftësitë e mia dhe nuk doja asnjë lloj ndihme veç t’më linin të hypja në skenë dhe në skenë unë nuk hypa për 18 vite.
Një debat i madh për shkrimtarin Dritëro Agolli, akuza, kundërakuza, debate, kundërshti. Ju e keni jetuar atë kohë, cili është perceptimi juaj për të?
Këto janë fenomene që hasen dhe që është e pamundur t’i rrëshqasësh. Për sa i përket Dritëro Agollit, unë nuk i them në emër, por i them “I Ndrituri”. Ai është një gjigant i letrave shqipe. Unë nuk guxoj të them një gjë që është e pakëndshme për të, sepse Dritëro Agolli është i vetmi njeri që në kohën kur mua m’u mbyllën të gjitha rrugët, më ka hapur derën e shtëpisë së tij, së bashku me bashkëshorten e tij, Sadije Agollin, që është një vajzë e Shkodrës. Dritëroi është një fuqi, një potencial, që unë ndihem krenare që jetoj në epokën e tij. Dritëroi është një filozof i poezisë, i mendimit, është një njeri që baltën e vesh me melodi poetike. Poezia e tij më ka mrekulluar gjithmonë. Është gjenial. Te thjeshtësia e tij qëndron madhështia. Si njeri ka qenë dhe është një pupël, nuk e rrëzonte me brutalitet, por me pendën e artë të tij.
A kishte lidhje me sistemin monist, siç ka nisur të akuzohet apo siç mendojnë disa?
Jo. Unë që kam hasur realitetin, them se jo. Madje koniunkturat kanë ekzistuar gjithmonë. Unë nuk e kam parë asnjëherë që ai të rrëshkasë ose unë të mendoj që në një moment po vepron keq.
Kishte privilegje për Dritëro Agollin nga sistemi diktatorial?
Jo, nuk mendoj. Nuk ishte në të mirën e asnjërit, qoftë edhe të elitës që ta përjashtonin apo dënonin, sepse ishte shumë i madh, shumë gjigant. Nuk mendoj se është një ide e mirë për të thënë atë çfarë nuk duhet, por ai ishte një njeri shumë i butë dhe shumë i arsyeshëm. Ka mbërritur dhe ka shkuar në Komitet Qendror dhe ka thënë “Justina Aliaj më është kthyer në fantazmë dhe dua vetëm një fjalë t’ju them: kam kurajën civile t’ju them se talentet nuk lindin çdo ditë”. Kështu ka thënë për mua dhe nuk ka pasur asnjë interes. Unë isha e dënuar dhe, megjithatë, e ka shprehur. Sa i përket artit, është një fat i madh që e kemi. Është një njeri që i sheh gjërat në një mënyrë të tillë apo në atë këndvështrim për sendet, për kafshët, për pyllin apo për drunin. I sheh në një dashuri platonike. Ata janë personazhe, ata flasin, qan pylli për sorkadhen thotë. Po t’i dëgjosh, mbase as në përralla nuk i gjen, aq bukur i shkon imagjinata. Për breshkën, është e bukur thotë, “e morën breshkën, erdhi në bulevard, i bukur bulevardi, por s’ka ferra”. Sa i bukur është si mendim. Kaq dhe e lë se është i urtë, është i ndritur.
Kur do t’ju shohim në skenën e teatrit “Migjeni” me diçka tuajën, e keni menduar?
Po e kam menduar.
Keni një projekt?
Jo, nuk kam. Siç duket nuk janë pjekur kushtet shpirtërore.
Kushtet shpirtërore tuajat nuk janë pjekur?
Jo. Në të dy krahët.
Kush heziton më shumë?
Unë nuk ndihem e sigurt dhe bëj një lloj tërheqjeje që nuk e di. Qofsha e gabuar, por dëshiroj që të ketë dashamirësi, sepse arti duhet ta ketë këtë.
Cila është motoja juaj?
Qysh se kemi le dhe deri sa të vdesim, në qoftë se do të jemi vetvetja, jo Shqipëria, jo Shkodra ime, por e gjithë bota shpëton. Kur del nga këto shina, atëherë i ke lënë vend korrupsionit, gjithçkaje dhe pastaj, o burra, kë të mbysim, qoftë edhe shpirtërisht./ Panorama