Gjatë një interviste të fundit, Jonida Maliqi ka ndarë një tjetër faqe të rëndësishme nga jeta e saj private, historinë e një marrëdhënieje që nisi në adoleshencë dhe u mbyll pas shumë vitesh bashkëjetese. Këngëtarja tregon se pavarësisht sfidave, ajo mbetet e bindur se lumturia dhe paqja e brendshme janë thelbësore për çdo prind dhe grua.
Ajo shpjegon se lidhja e saj nisi shumë herët dhe se koha, ritmi i jetës dhe rritja personale e të dyve sollën ndryshime të pashmangshme:
“Unë jam lidhur në moshë fare të re, në moshën 17-vjeçare. Kam kaluar 17 vite me babain e Danit. Jam divorcuar në moshën 34-vjeçare, sigurisht që Dani ishte shumë i vogël, 5-vjeç dhe sigurisht që kisha nevojë për të qenë familje. Megjithatë ishte një zgjedhje ku mendoj që erdhi si pasojë e kohës. Kur njihesh në një moshë fare të vogël, njerëzit mendësojnë më ndryshe, reagojnë ndryshe, evolojnë dhe ti nuk je më ai personi që ke qenë dikur.”
Jonida ndalet edhe te ndryshimet e mëdha emocionale që shumë gra përjetojnë me kalimin e viteve dhe rithekson se stabiliteti emocional është shumë më i rëndësishëm se ideja e një familjeje perfekte vetëm në letër:
“Sidomos dhe ne grave na ndodh një lloj metamorfoze, dhe mendoj që shikojmë me tjetër këndvështrim. Primar është fëmija dhe jo më… as vetja jote.”
Për të, një shtëpi e qetë vlen më shumë se çdo sakrificë:
“Kështu që mendoj më mirë të jesh në një familje të minimizuar, por të jesh i lumtur brenda katër mureve të shtëpisë, sesa të kesh pasiguri, konflikte dhe të mos jesh në paqe me veten. Mendoj që divorci nuk është i thjeshtë, por nuk është dhe fundi i botës.”
Ajo shton se dashuria për veten është baza e çdo marrëdhënieje të shëndetshme:
“Ne kemi lindur vetëm dhe vetëm do të vdesim. Unë mbi të gjitha dua më së shumti veten time, dhe kur të dua veten time do të dua çdokënd që do të më respektojë, do më vlerësojë dhe do rrugëtojë me mua në të mirë dhe në të keqe.”
Në fund, ajo përcjell një mesazh të fortë për gratë që hezitojnë të marrin vendime të vështira:
“Unë mendoj që dy prindër duhet të jenë pranë njëri-tjetrit në të mirë dhe në të keqe. Dhe ky është mesazhi që dua të japë për të gjitha femrat që kanë dilema.”








