Ka mbajtur prej ditësh faqet e para të gazetave. Është vënë në qendër të emisioneve. Është kthyer në kryefjalën e pëshpëritjeve të mundësisë për të qenë ndryshe por edhe kryefjalë e përjashtimit. Ai vetë theu tabu, ndërsa për të tjerët, njësia matëse ishte relative. Kishte vendosur të kryente martesën, që në konceptin e tij konsiderohej si “martesa e shekullit”, ndërsa njeriu i ëndrrave të tij, ishte një këngëtare e njohur brenda dhe jashtë vendi. Për ditë me radhë, historia e tij pushtoi medien dhe mendjen e njerëzve të afërt dhe të largët, ndërsa prej pak ditësh, duket se emri, fama dhe bëmat e tij sikur u harruan. Ky ishte Dalip Gjoka që i propozoi martesën e ëndrrave Bleona Qerretit. Po ku është tani Dalip Gjoka, njeriu që mbajti peshë mediet dhe opinionin me propozimin publikisht për t`i ofruar gjithçka të veten Bleonës, e cila kishte kërkuar live një baba për fëmijën e saj? Dalip Gjoka është i shtruar në psikiatri! Është i shtruar prej dy ditësh, ndërsa ende nuk dihet se cila është sëmundja që ka prekur mjekun, menjëherë pas situatës ku u bë protagonist i një historie rozë, por që tashmë duket se është kthyer në bumerang për fatin e jetës së tij. Familja, e kontaktuar nga “Shekulli”, pranoi se Gjoka është i shtruar në spital, por pa specifikuar asgjë në lidhje me gjendjen e tij.
Nga fama në psikiatri
Në fakt, Dalip Gjoka kishte njoftuar se do të ishte i pranishëm tek një prej emisioneve më të ndjekura në vend, mbrëmjen e së premtes. Drejtuesi i emisionit, njoftoi publikisht se po i telefononte Dalipit për të mbërritur në studio, por numri i telefonit të tij vijonte të ishte i fikur. Informacionet që erdhën në adresë të gazetës “Shekulli” tregonin se Dalipi ishte sjellë nga Burreli në spitalin psikiatrik nr 5, në Tiranë, që mëngjesin prej të premtes dhe vijonte të ishte pacient pikërisht i këtij pavijoni. Sipas të dhënave që vijnë nga spitali bëhet me dije se mjeku matjan është i shtruar në atë spital, por refuzojnë të bëjnë të ditur diagnozën për të cilën ai është shtruar. Të dhënat flasin për një përkeqësim të gjendjes së tij mendore, por sipas informacioneve që vijnë nga persona që e njohin nga afër pediatrin e njohur matjan, ai kurrë nuk ka patur probleme të tilla. Ai ditën e djeshme ka qëndruar gjatë në praninë e njerëzve të familjes, më saktë të vëllezërve dhe të motrave, kanë thënë mjekët e spitalit nr. 5, por ai vijon të flasë për prishjen e planit për dasmën përrallore, ku një kompani i ka vënë në dispozicion helikopterin, ndërsa bashkia do të merrte përsipër gjithë organizimin e cermonisë së dasmës. Mirëpo mjekët nuk pranojnë të flasin për asnjë detaj tjetër në lidhje me sëmundjen e tij, nëse është e tillë, por pranojnë se ai është pacient i atij pavijoni dhe se nuk dihet për sa ditë do të zgjasë, ndërsa presin që mjeku i sëmurë të vinte nga kafeneja e spitalit për në pavijon.
Rrëfimi i Dalipit dhe gjykimet që duket se i sollën sëmundjen
Mjeku që ka edhe një vit për të dalë në pension dhe që njihej në të gjithë Matin, tashmë edhe në të gjithë opinionin publik, ka bërë me dije faktin se martesa e tij ishte konsumuar. Me një elekuencë të rrallë ai shpjegoi idenë e tij mbi lirinë, duke e përkthyer atë në martesë me Bleona Qerretin, që në fakt në pamje të parë të linte të kuptoje se ai kishte nisur pa kuptuar një hakmarrje ndaj asaj që ishte mbajtur peng prej kohësh. Të dhënat nga spitali në të cilin gjendet i shtruar që prej mëngjesit të së premtes, bëjnë me dije se ai vijon të flasë për ndërprerjen e ëndrrës së tij, atij rastit që iu dha dhe se askush nuk e mbështeti në sipërmarrjen e tij të veçantë dhe krejt unike në formë dhe përmbajtje. Ndonëse mjekët nuk pranojnë të saktësojnë nëse gjithçka që i ka ndodhur mjekut e ka nga ndonjë problem mendor, por pranojnë se ai nuk heq dorë prej planit të tij për të realizuar dasmën me Bleona Qerretin edhe pse tashmë duket se me dërgimin e tij në spitalin psikiatrik merr fund edhe historia e tij e bukur që prej shumë kujt mund të jetë konsideruar edhe si aventurë. Mjeku i vuri kushte këngëtares që ajo të ishte nuse e denjë matjane, ndërsa në rrëfimin e tij të sinqertë, si në gazeta ashtu edhe në televizione, në fakt nuk shquhej asnjë teprim apo veprim prej ndonjë problematiku.
Refuzimet
Pritet që në ditët në vijim të mësohet edhe e vërteta mbi gjendjen mentale të pediatrit të njohur. Do të jenë mjekët ata që do të përcaktojnë gjendjen e tij, ndërsa ende nuk dihet se kur Gjoka do të lërë spitalin për t`iu kthyer gjendjes së tij normale, çoftë edhe të kërkesës së tij për të realizuar bashkimin me Bleonën, edhe pse ajo e ka refuzuar, duke iu dukur disi e pabesueshme kërkesa që i ka ardhur nga burri që tashmë është edhe gjysh i një vajze të vogël. Dalip Gjoka mësohet se përveç përplasjeve që ka pasur me vajzat, ka hasur në kundërshtime të forta edhe në familje, nga pjesa tjetër, si vëllezërit dhe motrat e tij, duke e kritikuar për prishjen e imazhit të familjes së njohur matjane. Por Dalipi edhe publikisht ka pranuar se ai po kritikohej nga të gjithë njerëzit e afërt, për shkak të mentalitetit, ndërsa ai nuk ka treguar asnjë shenjë inati me bashkëshorten dhe me dy vajzat e tij, paçka se Elda Gjoka ka reaguar thuajse çdo ditë në rrjetet sociale duke ironizuar sipërmarrjet e të atit. Madje mjeku ka thënë publikisht se bashkëshortja e tij ishte aq mendjehapur sa për të kuptuar si duhet bashkëshortin e saj në zgjedhjet që ai do të bënte, por me sa duket ose Dalipi vuan prej kohësh problemet mendore, ose ngjarjet e kohëve të fundit ka ndikuar aq fort në jetën e tij, sa edhe i kanë përkeqësuar gjendjen shëndetësore sa për t`u sjellë nga Burreli e në Tiranë dhe për tu shtruar në pavijonin e psikiatrisë.
Elda Gjoka: Do flas më vonë
Kontaktuam vajzën e mjekut për të mësuar të vërtetën mbi gjendjen shëndetësore të Dalip Gjokës, 64- vjeçarit matjan , por ajo refuzoi të fliste në lidhje me këtë fakt. Vajza, e cila ka qenë mjaft aktive në rrjetet sociale për të mbrojtur familjen e saj, që po ekspozohej nëpër media, ditën e djeshme saktësoi faktin se tashmë media duhet të respektonte gjendjen e familjes së saj. Elda Gjoka saktësoi se: “Po, është i shtruar. Nuk dëshiroj të bëjë më shumë deklarata në këtë momente sepse akoma nuk janë bërë 24 orë që nga koha e shtrimit. Në një moment të dytë, ne do të kemi një komunikim zyrtar për të gjitha mediet. Në këtë moment, dua vetëm të respektoni gjendjen e familjes sime. Jam me babin këtu dhe nuk mund të flas më gjatë”.