Intervistë me Dr. Gera Tagani, specializante pëe Kirurgji Plastike Rikonstruktive
Teksa vërej me kujdes atë çfarë realizoni, më duket sikur kam të bëj më shumë me një skulptore apo piktore, sesa një kirurge plastike. E përceptoni dritën në një mënyrë të tillë që të habit, si në një ekspozitë portretesh, ndërkohë që kirurgjia plastike tradicionale shpesh e ka injoruar, ose të paktën unë kështu e mendoj. Zakonisht, procedurat kozmetike thjesht kanë qenë aplikuar, pa u bazuar në studime individuale të fytyrave dhe tipareve të tyre.
Faleminderit! Së pari, vlen për t’u theksuar që unë jam një specializante e botës së madhe të kirurgjisë plastike, jam duke u specializuar në këtë fushë dhe kam një rrugë të gjatë përpara deri sa të fitoj titullin kirurge plastike. Për 6 vite me rradhë kam marrë pjesë në programe kirurgjikale intensive dhe kam asistuar kirurgët e parë në këtë fushë, eksperiencë e cila më ka ndihmuar të zhvillohem shumë profesionalisht.
Ne i japim rëndësi çdo detaji, sado i vogël qoftë ai, sepse detajet bëjnë diferencën, duke punuar me kujdesin dhe seriozitetin maksimal për të arritur rezultatin e dëshiruar nga pacienti, brenda kornizës së perceptimeve dhe pritshmërive të tij. Ne synojmë të bukurën dhe e bukura është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me artin, me mënyrën se si ne e perceptojmë, me faktin se secili nga ne është një vepër arti unike dhe e papërsëritshme. Për rrjedhojë, nëse duam të spikasim dhe të jemi të sukseshëm në punën tonë, duhet që njëkohësisht në shpirt të jemi edhe skulptorë, edhe piktorë, edhe fotografë, për të kuptuar sa më mirë balancën dhe proporcionalitetin e tipareve të fytyrës së pacientëve tanë. E thënë ndryshe, ne nuk synojmë vetëm përmirësimin e pamjes fizike, por edhe të gjendjes shpirtërore, që ndikohet edhe nga perceptimet mbi veten dhe këtë e arrijmë nëpërmjet artit të kirurgjisë plastike.
– Duket qartë se ju e bëni me shumë pasion punën tuaj. Do të doja të më flisnit pak më shumë për veten, që t’ju njohim më mirë, përtej doktoreshës, Gerën.
Duke qenë se kam qenë dhe vazhdoj të jem natyrë shumë kurioze, që kur isha studente e mjekësisë në Boston, USA, kisha dëshirë të punoja vullnetarisht nëpër spitale, për të marrë sa më shumë njohuri për fushën e mjekësisë, për të kuptuar më mirë se si funsiononin spitalet, si komunikonin mjekët me njëri-tjetrin dhe me pacientët e tyre ….etj. Madje edhe gjatë periudhës së verës kam shërbyer vullnetarisht në spital, për të ndihmuar të tjerët, por edhe veten për t’i patur idetë e qarta se çfarë do të bëhesha në të ardhmen.
Nisur nga natyra ime shumë praktike, si fillim kam përkthyer vullnetarisht në departamente të ndryshme të Spitalit Amerikan 2, me mjekë turq, ndër to edhe me kirurgë plastikë. Falë kësaj eksperience interesante dhe shumë frytdhënëse, kam arritur të ndjek nga afër procedura të ndryshme si ato kozmetike, djegiet, rinkonstruktive, deformimet kongjenitale të bebeve …etj. Pra jo vetëm i jam përkushtuar formimit akademik, por natyra praktike e shumë kureshtare më ka lejuar të punoj pa pasur drojë, në nivele të ndryshme të mjekësisë.
– Nga sa kemi parë në instagram, në punët tuaja dhe specializimimet, apo trajnimet në të cilat merrni pjesë vihet re dukshëm shpirti juaj artistik. Dikush mund të hamendësojë, jeni piktore, apo kirurge plastike?
Duke qenë se prej një kohe të gjatë, pavarësisht moshës së re, merrem, studioj e praktikoj kirurgjinë plastike, kam kuptuar se disa koncepte kanë ndryshuar shumë. Nga tendenca për të bërë sa më shumë të jetë e mundur, tani në 2020-ën mbizotëron minimalizmi, cilësia dhe finesa, pra si të dukemi bukur me sa më pak ndërhyrje në vendet e duhura dhe nga profesionistët e duhur. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën për pacientin tonë, duke e konsideruar të bukur edhe një fytyrë jo të përsosur, sepse në fund të fundit bukuria nuk është perfeksion, por është balancim, mirëstrukturim dhe nxjerrje në pah e tipareve që na i ka dhuruar natyra. Pra ne nuk kemi si qëllim të ndjekim e gjurmojmë rrudhat, apo të garojmë me moshën dhe vitet në rrugëtimin e tyre, ne kemi rrugëtimin tonë përkrah së bukurës fizike dhe shpirtërore, me qëllim rrezatimin e saj tek të tjerët që na rrethojnë. Duke u përpjekur edhe të ulim ca shpejtësinë e trenit të plakjes, pa e frenuar, apo tjetërsuar binarët e tij.
– Për sa thatë deri tani, ju jeni ndër ata persona që e kuptoni qartë këtë, duke përshtatur vizionin tuaj me fytyrat e njerëzve dhe duke i shndërruar papërsosmëritë e tyre në tipare të bukura e të rregullta.
Më se e drejtë! Çdo fytyrë dhe çdo tipar ka diçka të bukur në vetvete, qoftë ajo edhe e padukshme.. Parë në këndvështrimin e aspektit konceptual të asaj që unë bëj është pikërisht nxjerrja në pah e kësaj bukurie të fshehur dhe ruajtja me fanatizëm e karakterit të fytyrës së pacientit, tipareve dalluese dhe individualitetit të saj, me qëllim arritjen e rezultatit të kërkuar brenda pritshmërive dhe të qenurit përsëri vetvetja para pasqyrës.
– Pra më shumë se sa t’i ndryshoni njerëzit, duket se ju keni për qëllim të rrisni vetëbesimin te ta. A jeni marrë ndonjëherë me pikturë apo fotografinë?
Në shpirt unë jam një artiste e trajnuar në mënyrën më klasike të mundshme. Lindur dhe rritur në Stamboll, kam ndjekur kurse të shumta të artit për fëmijë dhe kjo më ka ndihmuar shumë që të evidentoj të bukurën tek çdo gjë, edhe tek njerëzit. Babai im ka qenë një burim i pashtershëm frymëzimi dhe informacioni për mua, duke më injektuar dashurinë për historinë, librat dhe pikturën.
Një nga gjërat më interesante që kam zbuluar deri tani rreth fytyrës së njerëzve, nuk është ajo çfarë i bën ata të bukur, por ajo çfarë u jep atyre identitet. Për ne si specialistë të fushës është e rëndësishme të kuptojmë ato karakteristika, që krijojnë tek ne ndjesisë e të ndryshuarit, por brenda kornizës së të qenurit vetvetja.
– Referuar platformës suaj, veçanërisht asaj në Instagram duket qartë se ajo bazohet në pozitivitetin me të cilin duhet ta shohim trupin tonë. Si arrini të ruani ekuilibrat, ndërkohë që mundoheni t’i ndihmoni njerëzit të ndihen mirë me veten, por pa i bërë ata të ndihen nën presion, që t’i përshtaten një standardi të caktuar bukurie?
Unë mendoj se është e mundur të kesh një përqasje pozitive ndaj trupit tënd dhe ta duash atë duke mos u fiksuar pas papërsosmërive fizike. Megjithatë, në ditët e sotme, për shumë burra e gra moderne nuk mjafton vetëm ky pozitivitet ndaj trupit, sepse sado mirë që të ndihemi ne duam gjithnjë e më tepër të dukemi përditë e më bukur tek të tjerët dhe të shfaqim anën tonë më të mirë. Ti mund të jesh pozitiv me veten tënde, por prapë kërkon të zbusësh një rrudhë në fytyrë , apo të eleminosh thinjat nga flokët. Ky fakt nuk ju bën të dukeni siperfaqësorë, apo të fiksuar pas estetikës, por ju bën të ndiheni si çdo person tjetër në tokë dhe pikërisht ky është edhe shpirti i bukurisë, të jesh gjithmonë në kërkim të më të mirës së mundshme, sepse të dukesh bukur na bën të ndihemi mirë dhe në paqe me veten dhe të tjerët rreth nesh, si edhe rrit performancën dhe produktivitetin tonë në punë. Këtë e konfirmojnë tashmë edhe studime nga universitetet më të mirë të botës. Unë personalisht nuk synoj të jem një supermodele nëpër kopertinat e revistave të modës, thjesht dua të jem versioni më i mirë i vetes sime. Kjo më bën të kem ca më shumë besim tek vetja, rrit performancën time si mjeke, më përmirëson në vijimësi si njeri, në trup edhe në shpirt.
– Çfarë është për ju bukuria moderne?
Për mua, bukuria moderne do të thotë të lejosh secilin prej nesh të jetë dhe të ndihet i bukur në mënyrën dhe llojin e vet, pa paragjykime, urrejtje ose stigmatizime. Nga përvoja ime dhe e kolegëve, në vend e jashtë tij, shumë nga ata që shprehen skeptikë ndaj kirurgjisë plastike, janë pikërisht ata persona, që do të bënin çdo ndërhyrje të mundshme estetike, nëse do të kishin mundësi. Ndërsa unë mendoj se ne duhet të jemi, ashtu siç dëshirojmë të jemi në mënyrën më të sigurt e të përgjegjshme të mundshme, pa u fiksuar pas aparencës sonë, duke ndërrmarrë iniciativa shpeshherë të rrezikshme. Nëse do të doni të ndryshoni diçka të vogël tek vetja, duhet ta bëni me anë të metodave moderne që ne disponojmë, për të kënaqur sadopak pritshmëritë tuaja.
– Nëse pacientët e tu nuk mbeten të kënaqur pas injeksionet që u bëhen, mund të injektoni diçka tjetër për ta shpërndarë atë, apo jo?
Pikërisht, dhe kjo i rehaton shumë pacientët. Është njësoj si të fshish me magji atë çka ke bërë më përpara, thjesht me një të shtypur të butonit.
– Cilat janë tendencat e trajtimeve që preferohen më shpesh në brezin e ri?
Unë mendoj se trajtimet minimale invazive janë shumë tërheqëse. Kombinimi i teknologjisë moderne dhe i delikatesës në estetikë në harmoni me njëra tjetrën kanë funksionuar më së miri dhe kanë përforcuar idenë e injeksioneve dhe trajtimeve minimale invazive. Për momentin po i jepet një rëndësi e theksuar cilësisë së lëkurës, kështu që mikro-injeksionet dhe mikro-infuzioni janë trajtimet më të kërkuara. Këto trajtime i japin lëkurës suaj shkëlqimin e duhur dhe e bën atë të duket bukur.
Kjo prirje drejt finesës do të thotë që shumica e pacientëve zgjedhin më mirë të bëjnë procedura me të vogla, trajtime minimale invazive që në moshë më të re, për të ngadalësuar procesin e plakjes me kalimin e viteve dhe për t’u ndjerë më mirë më veten.
– Pra, është më parandaluese. Dhe nuk kemi pse shqetësohemi dhe të jetojmë me frikën se një ditë krejt papritur do të dukemi një person komplet ndryshe me atë çka ishim më parë.
Po, parandalimi ka një rëndësi të madhe. Procedurat si baby botox (është botoksi në doza të për gjysmuara e që ka një efekt më natyral), ndihmojnë në parandalimin, thellimin e rrudhave të minikës, rinovimin dhe rigjenerimin e lëkurës.
– Më pëlqeu shumë mesazhi juaj që e rëndësishme është të ndjehemi mirë me veten, pa pasur nevojë të bëhemi një supermodel.
Dhe nuk ka arsye të synosh të jesh një supermodele, duhet vetëm të jesh vetvetja. Në një farë mënyre, nuk ka gjë më të mërzitshme sesa dukshëm të përpiqesh të jesh një person tjetër. Nuk ka më keq se sa të jesh një version i dobët i një personi tjetër, kur ti mund të zgjedhësh të jesh versioni më i mirë i papërçudnuar i vetes tënde. Duhet të kesh karakterin tënd, në stilin tënd të veshjes, në mënyrën se si rregullon flokët apo përdor make up…etj, sepse vetëm kështu ne mund të identifikohemi dhe të ndihemi të bukur në mënyrën tonë, sepse diferenca bën ndryshimin dhe na bën të ndihemi unikë.
Cili është trajtimi juaj më i njohur?
Nëse flasim me terma jo-kirurgjikalë, trajtimi më i njohur në praktikën time është procedura e mbushjes me anë të fillerave të injektueshëm, siç mund të jetë konturimi i fytyrës në mollëzat dhe nofullat (jawline) për të rindërtuar strukturën e fytyrës, ose rinoplastikë jo kirurgjikale, ku me anë të përdorimit të injeksioneve krijohet pothuajse iluzioni e një pune kirurgjikale në hundë.
Për sa i përket kirurgjisë, referuar faktit që unë ende nuk jam kirurge, por specializante, unë marr pjesë rregullisht në ndërhyrjet kirurgjikale që zhvillohem nga 2 kirurgë të mrekullueshëm grek nga Athina, të cilët e vizitojnë spitalin çdo javë dhe njëkohësisht janë edhe mentorët e mi. Trajtimet më të njohura që ne kryejmë në spitalin tonë janë tërheqja e lëkurës së fytyrës (facelift), blefaroplastika (kirurgjia e qepallave që mundëson heqjen e lëkurës së tepërt mbi qepallë dhe nën sy), dhe rimodelimi gjirit. Fytyra dhe sytë janë zemra e identitetit tuaj fizik si person, ndaj kjo është arsyeja pse këto trajtime janë të rëndësishme. Zmadhim i gjoksit është gjithashtu shumë i njohur, sepse ideja jonë për feminitetin është e lidhur ndër të tjera me figurën femërore, veçanërisht me gjoksin e mbushur e të plotë.
– A do t’i sugjeronit një pacienti që të mos e bëjë një procedurë të caktuar estetike nëse do të ishit e mendimit se kjo gjë nuk do të përmirësonte bukurinë e tij?
Absolutisht. Unë jam shumë e sinqertë me pacientët e mi dhe përpiqem të jem gjithmonë e sjellshme dhe empatike me ta. Marrëdhënia që unë krijoj me pacientët e mi, është një marrëdhënie mbi baza të forta besimi dhe respekti reciprok. Asnjëherë nuk dua ta bëj dikë të ndihet i gjykuar. Mundohem t’ua shpjegoj me hollësi çka është e përshtatshme për ta dhe cilat janë procedurat e duhura dhe të sigurta për shëndetin e tyre.
Ekziston një shprehje në fushën time, “diskrecioni është pjesa më e mirë e trimërisë”, që do të thotë se nganjëherë, të jesh pak i tërhequr është përgjigjja fituese. Unë mendoj se kjo është mëse e vërtetë në rastet kirurgjikale, veçanërisht kur njerëzit kanë një ide jorealiste rreth asaj çfarë duan ose ato janë të fiksuar pas idesë së përsosmërisë.
– Kur shoh punën tuaj, ajo çfarë dalloj është transformimi plot shije e finesë në mënyrën më delikate të mundshme.
Përsosmëria nuk ekziston, ne thjesht mund të bëjmë të pamundurën ti afrohemi sadopak asaj. Unë gjithmonë u them pacientëve të mi që ta shohin atë çka ne bëjmë si përmirësim të pamjes së tyre dhe jo si një përqasje drejt përsosmërisë.
Nqs do kisha nje vajze në të ardhmen do doja që të ndihej e bukur dhe ta dojë veten e saj pa synuar perfekten, por duke përmirësuar brenda një kufiri të arsyeshëm atë çka i ka falur natyra dhe të kuptojë se bukuria është brenda nesh dhe se ne nuk duhet të gjykohemi vetëm nisur nga pamja jonë e jashtme për edhe nga përgatitja dhe intelekti. Unë dua që ajo të ndihet 100 për qind plot dhe nëse një ditë kur të jetë në moshë madhore dhe do ta shqetësojë ndonjë gjë e vogël në pamjen e saj të jashtme, për ta përmirësuar atë do t’i sugjeroja dhe do ta mbështesja t’i drejtohej profesionistëve të vërtetë duke përdorur metoda moderne të azhornuara me kohën.
– Ku e shihni të ardhmen e kirurgjisë plastike?
Më pëlqen shumë shprehja “stay current or go extinct”. Ju duhet të vazhdoni të ndryshoni dhe të përshtateni. Përshtatshmëria është inteligjencë dhe unë mendoj se kirurgjia plastike është një fushë shumë inteligjente, referuar faktit se ne jemi gjithmonë në ndryshim. Ndryshimi na bën mirë, sepse na ndihmon të perceptojmë bukurinë në këndvështrime të ndryshme dhe të pranojmë faktin se bukuria është relative dhe se nuk shikohet vetëm me sy por ndihet me shpirt e me zemër.
Dhe në fund të kësaj interviste, unë do të thoja se më bindët e jam dakort me çfarë pohuat më sipër.
Faleminderit! 🙂