Fakti që shumë korçarë fitojnë vit pas viti Lotarinë Amerikane, për disa njerëz nuk duket të jetë fare rastësi. Madje, gjerësisht është përhapur bindja se me aplikuesit nga ky qytet, “rastësia” nuk është edhe aq bindëse.
Megjithatë, edhe Ambasadës Amerikane i ka rënë në vesh dyshimii të gjithëve: a janë vërtet më të favorizuar korçarët për të fituar Lotarinë Amerikane? Në një postim të fundit, faqja zyrtare e Ambasadës Amerikane, përmes një situate të krijuar, njofton se kjo nuk është aspak e vërtetë.
“Shumë njerëz (madje edhe Keni) më kanë pyetur nëse korçarët e kanë më të lehtë të fitojnë Lotarinë Amerikane. Shikoni si iu përgjigja Kenit kur bëmë testin e të vërtetës….” – shkruhet në njoftimin zyrtar.
Kështu, Ambasada thotë se një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë dhe se shanset për të fituar Lotarinë Amerikane i kanë të njëjta si një shqiptar i lindur në Korçë, ashtu edhe një tjetër i lindur në çdo cep të vendit: “Kushdo që beson se kualifikohet, mund të regjistrohet për Lotarinë dhe përzgjedhja është tërësisht e rastësishme”, – thekson Ambasada duke shuar dyshimet e të gjithëve për “të favorizuarit.”