Kristina është mbretëresha e bukurisë për vitin 2016. 20-vjeçarja e cila prej vitesh jeton në Greqi ka rrëmbyer kurorën e “Miss Shqipërisë”. Në intervistën për “Summer Pages”, ajo risjell edhe njëherë emocionet e asaj nate, ku deri në momentin e fundit nuk e ka besuar se do të ishte ajo fituesja. Megjithatë, ai që e ka besuar gjithnjë ka qenë i dashuri i saj grek, që ashtu si ajo thotë, ka qarë natën kur ajo mori kurorën. Më tej ajo tregon edhe paragjykimet e shumta që ka ndeshur në Greqi, për shkak të origjinës së saj shqiptare. E tashmë që ka fituar këtë trofe kaq të rëndësishëm, Kristina synon botën e televizionit, edhe pse aktualisht është fokusuar te “Miss Globe”, si një mundësi tjetër për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë…
Si u ndjetë teksa vutë kurorën e “Miss Shqipërisë” në kokë, çfarë emocionesh kishit?
Të them të drejtën jam shumë e lumtur që erdha deri këtu. Kam bërëshumë sakrifica për të qenë te “Miss Shqipëria”. Kam vetëm tri javë që kam ardhur në Shqipëri dhe më është dashur të heq dorë nga shumë gjera për t’u bërë pjesë e këtij kompeticioni. Më vjen mirë që gjithçka m’u shpërblye me këtë kurorë. Nuk e prisja të isha unë fituesja e këtij spektakli, ndaj dhe kur u tha numri, s’po më besohej. Mendoja se do të ishte një vajzë tjetër ajo që do ta fitonte. Ishte një emocion i madh, nuk di se si ta përshkruaj.
A patë vajza të tjera që u xhelozuan për ju, teksa morët kurorën e ‘miss’-it?
Jo, nuk pashë asgjë të tillë. Vajzat përgjatë gjithë këtyre ditëve kanë qenë të mrekullueshme dhe kemi krijuar raporte shumë të mira. Më uruan, dhe unë e di që urimet e tyre kanë qenë të sinqerta. Në fund të fundit, kjo ishte një garë që vetëm njëra do ta fitonte. Edhe pas garës po kalojmë shumë mirë me vajzat. Jemi bërë shoqe tashmë.
Në tërësi, a e ke ndjerë xhelozinë e femrave ndaj jush, si një femër e bukur që jeni?
Edhe më ka ndodhur të ndeshem me xhelozinë e femrave. Nuk di ç’të them rreth kësaj, po besoj se jam mësuar edhe me këtë pjesë. Ndërsa unë nuk jam e tillë, përkundrazi, nëse shikoj një femër të bukur, më vjen mirë. Në fund të fundit, kush nuk e pëlqen të bukurën!
Mendoni se konkurrentet e tjera kanë menduar se një vajzë vjen nga Greqia dhe merr kurorën e më të bukurës?
Në Shqipëri ka shumë femra të bukura. Edhe pse prej vitesh jetoj jashtë, mbetem shqiptare. Në fakt, kurorën e ‘miss’-it e ka marrë një shqiptare; nuk besoj se ka vend për të thënë diçka të tillë.
Për çfarë do t’ju shërbejë kurora e “Miss Shqipërisë”?
Unë shpresoj që të më hapë më shumë dyer në fushën e modelingut si fillim, sepse ai është pasioni im. Pastaj pjesa tjetër mbetet për t’u parë.
A do të synoni botën e televizionit, si zakonisht bëjnë ‘miss’-et?
S’e di, sepse është ende herët për ta thënë diçka të tillë, megjithatë do të doja shumë të ishte kështu.
Si është të zgjohesh një ditë dhe ta kuptosh se je e famshme?
Kush nuk do të jetë i njohur?! Jam habitur nga urimet dhe komplimentet e shumta të njerëzve si dhe nga shkrimet e ndryshme. Është një ndjesi shumë e mirë.
Si është jeta juaj në Greqi, një ditë e zakonshme, pasionet?
Në fakt bëj jetën e të gjitha moshatareve të mia. Unë aktualisht studioj për Kimi-Biologji dhe jam shumë e angazhuar me shkollën. Atë pak kohë të lirë që më mbetet e shpenzoj në palestër, pasi dua ta mbaj trupin tim në formë. Gjithashtu, një pasion i imi është edhe leximi, e shijoj shumë.
A jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar në Greqi për shkak se jeni shqiptare?
Në fakt më ka ndodhur shumë shpesh të më paragjykojnë. Në çdo fushë të ndryshme të jetës i kam hasur paragjykimet e tipit, “çfarë do kjo shqiptarja këtu?!”, megjithatë kam treguar se ia kam dalë mbanë edhe t’i përballoj këto paragjykime. A keni një idhull të cilit përpiqeni t’i ngjani?
Po, më pëlqen shumë Angela Martini. Do doja shumë të kisha një karrierë si të sajën.
Prej disa kohësh jeni në një lidhje me një grek; si jeni njohur?
Ne jemi njohur në Kretë, kemi rreth një vit bashkë. Ai studion në Athinë për marketing. Ne jemi njohur nga shoqëria e përbashkët, por ai më ka thënë se më ka pasur qejf që shumë vite më përpara.
Përse nuk zgjodhët një mashkull shqiptar por një grek?
Po sepse shqiptarët nuk më kanë ngacmuar asnjëherë mua. S’më kanë folur ndonjëherë, s’e di pse.
Çfarë të tha i dashuri kur pa se fituat “Miss Shqipërinë”?
Më mori në telefon dhe po qante. Ka qarë shumë atë natë. Më tha se gjithmonë kishte besuar se do të isha unë ajo që do ta fitonte këtë trofe.
Ku do ta shikojmë Kristinën në shtator?
Është ende herët për të folur. Për momentin unë po mendoj “Miss Globe”. Shpresoj shumë që të bëhem pjesë e këtij kompeticioni, duke përfaqësuar vendin tim./ Gazeta Shqiptare