Pavarësisht se thuhet se koha shëron çdo plagë humbja e një njeriu të dashur lë gjithmonë një vend bosh në zemër. Megjithatë shumë kanë arritur të gjejnë “kurën”, duke e kthyer dhimbjen në art dhe duke e ndarë me të tjerët. Disa personazhe të njohur kanë zgjedhur këtë mënyrë për t’u lehtësuar disi dhe për të treguar gjithçka ndjejnë përmes një kënge. Ka mjaftuar një dedikim, disa fjalë të ndjera për t’i kujtuar gjithmonë njerëzit e tyre më të dashur dhe për t’i pasur përherë pranë zemrës.
Leonora Jakupi
Leonora Jakupi i ka dedikuar dy këngë shumë të ndjera babait të saj që ra dëshmor gjatë luftës për liri në Kosovë. “A vritet pafajësia” këndoi Leonora në 1998 për babain dhe më pas kjo këngë u kthye në një himn për të gjithë Kosovën në kohën e luftës. Në vitin 2002, këngëtarja i dedikoi një tjetër këngë të atit. Kushdo që ka dëgjuar “Këngë për babin tim” ka derdhur lotë, sepse të gjithë ata që kanë humbur një njeri arrijnë të gjejnë veten. Pak kohë më parë Leonora arriti të plotësonte amanetin e të atit, duke kthyer pas 20 vitesh eshtrat e tij në Kosovë.
Adelina Ismaili
Pas një lidhje disavjeçare me policin, Triumf Riza, Adelina Ismailit i duhej të përballej me një tragjedi. Për shkak të një atentati në vitin 2007, i dashuri i këngëtares humbi jetën. Një vit më vonë në nder të ish-partnerit të ndjerë, Adelina i dedikoi një këngë, “Trimit tim”.
Greta Koçi
Pjesëmarrja e saj në vitin 2012 të ‘Kënga Magjike’, ishte një dedikim kushtuar gjyshes së ndjerë. Greta Koçi e përjetoi keq ndarjen nga jeta të gjyshes së saj, me të cilën kishte një lidhje shumë të ngushtë. Greta u shpërblye edhe me çmimin, “Jon Music”, për këngën e saj mjaft emocionuese, “Më sheh nga lart”.
Morena Taraku
Morena Taraku ka humbur nënën e saj në një moshë shumë të vogël dhe ja ka ndjerë gjithmonë mungesën. Sigurisht që jeta e saj pa njeriun më të shtrenjtë nuk ka qenë aspak e lehtë, prandaj këtë gjë ajo vendosi ta tregonte në një këngë. “Lule” është kënga që Morena ja ka kushtuar nënës së saj. Përpara publikimit Morena rrëfeu se ka sakrifikuar shumë për t’u shfaqur gjithmonë e lumtur para të tjerëve, pavarësisht se shtylla kryesore ka munguar gjithmonë në shtëpi.
Zanfina Ismaili
Ndarja nga jeta e nënës së tyre Mona, ishte një ngjarje shumë e dhimbshme për motrat Ismaili. Ajo ishte personi më i rëndësishëm në jetën e tyre dhe shtysa kryesore për t’u bërë pjesë e botës së muzikës. Në nder të kujtimit të nënës së saj, Zanfina Ismaili vendosi t’i kushtonte një këngë. Balada e ndjerë që mban si titull shkronjën e parë të emrit të nënës së këngëtares, “M”, ishte kënga që e riktheu Zanfinën sërish në muzikë pas një mungese të gjatë.
Vesa Luma
Në ditën e ditëlindjes së tij, Vesa Luma vendosi t’i dedikonte një këngë babait të ndjerë. Më mirë se personi i saj i zemrës, Big Basta, askush nuk mund të shprehte ndjenjat e Vesës në tekst dhe muzikë. “Sa mall” është kënga që këngëtarja ja kushtoi jo vetëm të atit, por të gjithë njerëzve që gjejnë veten në çdo notë dhe frazë të saj.
Yllka Kuqi
Këngëtarja Yllka Kuqi zgjodhi ditën e grave, 8 marsin, për të publikuar këngën “Jeton në mua”, një dedikim për nënën e saj që është ndarë nga jeta disa vite më parë. Në baladën e ndjerë ka dorë edhe vëllai i këngëtares, Vali, i cili punoi me muzikën dhe prandaj emocioni u përcoll i plotë tek të gjithë dëgjuesit. Në klipin e këngës u shfaqën edhe disa figura shumë të njohura shqiptare si: Nexhmije Pagarusha, Leonora Jakupi, Fatos Kryeziu, Ylber Bardhi, Adriana Matoshi dhe Genc Prelvukaj.
Ardit Gjebrea
Në edicionin e 20-të të festivalit “Kënga Magjike”, Ardit Gjebrea u ngjit në skenë jo vetëm si prezantues, por edhe si këngëtar. Përkrah tenorit të njohur, Saimir Pirgu, Gjebrea këndoi këngën “Kur them ajo”, kushtuar nënës së tij. Ndarja nga jeta e njeriut të shtrenjtë në gusht të vitit 2018, ishte një ngjarje shumë e dhimbshme për moderatorin e njohur. /revistawho.com