Talebanët kanë legalizuar dhunën në familje në Afganistan, në një sulm tronditës ndaj të drejtave të grave.
Kodi i ri penal prej 90 faqesh, i miratuar nga lideri suprem Hibatullah Akhundzada, u lejon burrave të ushtrojnë dhunë fizike ndaj grave dhe fëmijëve, për sa kohë që dhuna nuk shkakton thyerje kockash ose plagë të hapura.
Kodi përcakton nivele të ndryshme ndëshkimi në varësi të faktit nëse autori konsiderohet “i lirë” apo “skllav”, duke e përfshirë pabarazinë drejtpërdrejt në sistemin e drejtësisë.
Po ashtu, talibanët nuk e kanë dënuar dhe as nuk e kanë ndaluar qartësisht dhunën psikologjike apo seksuale ndaj grave.
Ata që shkelin rregullat e reja përballen me një dënim maksimal prej vetëm 15 ditësh burg.
Megjithatë, ky dënim aplikohet vetëm në rastet e përdorimit të “forcës së turpshme”, siç janë frakturat e dukshme apo plagët e rënda.
Edhe kur dhuna kalon këtë kufi, dënimi varet nga fakti nëse gruaja arrin ta provojë në gjykatë duke paraqitur plagët para gjyqtarit.
Kjo është pothuajse e pamundur, pasi gratë janë të detyruara të qëndrojnë plotësisht të mbuluara në publik.
Ato duhet gjithashtu të paraqiten në gjykatë të shoqëruara nga burri ose një kujdestar mashkull, ndonëse në shumicën e rasteve dhunuesi është vetë burri.
Rregullat e njëjta lejojnë që një grua e martuar të burgoset deri në tre muaj nëse viziton të afërmit pa lejen e burrit, edhe nëse ajo po kërkon strehim nga dhuna.
Më shqetësuesja është se ligji, në thelb, i klasifikon gratë si “pronë” të burrave të tyre.
Ai gjithashtu heq garancitë e mëparshme ligjore, përfshirë Ligjin për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (EVAW).
I miratuar në vitin 2009 gjatë qeverisjes së mëparshme të mbështetur nga SHBA, ky ligj vendosi masa të ashpra kundër martesave të detyruara, përdhunimit dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore.
Aktivistët nga organizata e të drejtave të njeriut në mërgim, Rawadari, paralajmërojnë se kodi i ri penal legjitimon “abuzimin, keqtrajtimin dhe ndëshkimin” e grave dhe fëmijëve, duke i ekspozuar ato ndaj “dhunës së vazhdueshme në familje”.
Grupi ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të zbatimit të kodit të procedurës penale në gjykatat e talebanëve.







