Në një paraqitje të fundit në emisionin “Live with Kelly and Mark”, Lindsay Lohan hodhi dritë mbi arsyen kryesore që e mbajti larg Hollywood-it dhe pranë jetës në Dubai. Aktorja, e njohur për rolet në filma si “Freaky Friday”, foli me sinqeritet për qetësinë dhe normalitetin që e ka gjetur atje – diçka që, sipas saj, është e pamundur për një të famshëm në SHBA.
“Është thjesht shumë larg Hollywood-it dhe unë jetoj një jetë shumë normale” u shpreh Lohan. “Nuk kam asnjë shqetësim se nuk mund të shkoj të ha në këtë vend sepse dikush do t’i bëjë një foto djalit tim. Dhe thjesht, ndihem shumë e sigurt.”
Moderatorja Kelly Ripa, e habitur, pyeti: “Nuk kanë fotografë atje?”. Përgjigjja e Lohan ishte befasuese: “Jo, nuk është e ligjshme. Nuk mund të bësh një foto të dikujt tjetër nëse je në një restorant. Duhet ta pyesësh personin, gjë që është një ndryshim i madh nga këtu.”
“Kjo është e pabesueshme,” reagoi Ripa.
Lindsay Lohan është zhvendosur në Dubai që prej vitit 2014. Pikërisht atje ajo njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm, Bader Shammas. Çifti filloi të përflitej për një lidhje në vitin 2020 dhe u martua në 2022. Sot, ata janë prindër të një djali të vogël, Luai, që ka mbushur 2 vjeç.
Në një kohë kur shumë të famshëm ankohen për mungesën e privatësisë, Lohan duket se ka gjetur “parajsën e qetësisë” në një vend që i respekton kufijtë personalë dhe e lë të jetojë një jetë larg zhurmës së flash-eve.








