Luana Vjollca ka publikuar sot episodin e ri të projektit të saj “Thuaje” dhe këtë herë rrëfimi i kushtohet nënës së saj dhe sakrificave që ajo ka bërë për të rritur 4 motrat Vjollca. Në rrëfimin e saj, Luana tregon se nëna e saj u bë më e fortë nga sfidat që e përballi jeta dhe e falenderon që as ato nuk i la të bien, por i mësoi të qëndrojnë të forta përballë jetës. Sot Luana do të publikojë edhe një këngë kushtuar nënës me titull “A me ra” dhe mund të themi se kjo është dhurata më e bukur që mund t’i ketë bërë ndonjëherë.
“Mami ka qenë gjithmonë aty, ajo nuk ra edhe pse pati çdo arsye në këtë botë për me ra. Nuk ra, as kur unë isha një foshnjë dhe babai ndërroi jetë, as kur iu desh të rriste e vetme 4 vajza në Shqipëri. Ajo u bë më e fortë, nuk kërkoi lëmoshë, por kërkoi veshje në kishë për ne duke falenderuar Zotin çdo ditë. Nuk u dorëzua, por punoi disa punë për të na shkolluar. Nuk ra, por ndihmoi të rimëkëmben dhe të tjerë që kishin nevojë njësoj si ajo. U vetëmohua për ne, mes greminash qëndroi e fortë për ne. Unë nuk mbaj mend të më ketë munguar diçka sepse ka patur gjithmonë shumë dashuri. Sot nuk i numëroj më hapat, rënia nuk më tremb më. Faleminderit ma që nuk na le me ra!”, shprehet Luana në episodin e ri.








